NGA: MIRA NIKOLLA
Asht krejt e lehtë
me ja lexu shpirtin poetit
se asht libër i hapun
e ai s’i trembet vedit!
Në çdo fletë ti prek
një fragment nga e vetja jetë!
Ti lexon mes rreshtash
ku shpesh gjindesh mrenë edhe vetë!
Tu i prek me dorë e sheh
që janë të ndryshme ngjyrat e fletës
herë të bardha, herë të zeza
e herë me lara si ngjyrat e vetë jetës!
Poeti ka guximin, shpirtin me zhvesh
e pa frigë me ta lan në dor!
Me të, her t’jep mjalt e her zeher
her t’nxen me diell e her t’ftof me bor!
Ke me e dashtë poetin
e me e drashtë,
se me fjalët e tij si rrezja e dritës
të futet në shpirt edhe pa dashtë!
E kur ti e ndin
se n’shpirt t’ka hy mrënë,
me e lujt prej aty,
vonë ka me kenë!
Poeti asht gjithmonë i dashuruem!
Ai mbi çdo gja don jetën e lirë
Nuk njeh limite a kufij
burg, pranga e zinxhir!
Pra mos e luj poetin
se s’mund ta vësh për funit,
shpirtin mos kërko me ja lidhë…
A i lidhen krahët pllumit?
Asht kollaj me e dashtë poetin!
Se n’vargje e ke njoft kamë e kry!
Po shpirti i tij asht i të tanve
e mos harro se ai s’t’njeh ty!