Nga :Gladiola JORBUS
Një histori që vazhdon të ngjallë interes dhe që ka mbijetuar deri në ditët e sotme është ajo e Shabbetai Tzvi, Mesia Mistik. Disa studiues janë të mendimit se ai ka lindur më 9 Av ose më 1 gusht 1626 sipas kalendarit Gregorian. Po t’i referohemi traditës hebraike është data e shkatërrimit të dy tempujve dhe gjithashtu “përshkruhet” si data e lindjes së Mesisë. Në vitin 66 të e.s. popullsia hebreje u rebelua kundër Perandorisë Romake. Katër vjet më vonë në ditën e 9-të të Av, legjionet romake shkatërruan pjesën më të madhe të Jeruzalemit dhe tempullin e dytë.Për një kohë të gjatë mendohej se varri i Shabbetai Tzvi ndodhej në qytetin e Beratit, në një teqe të ndërtuar në oborrin e Xhamisë Mbret, për shkak të varrit që gjendej aty deri në vitin 1967. Sidoqoftë, hulumtimet më të fundit mbi këtë çështje të bëra në 1985 – ën, tregojnë se ai është varrosur në Ulqin. Në qendër të Ulqinit, në Mal të Zi ndodhet varri – tyrbe i Shabbetai Tzvi, i cili kërcënoi autoritetin rabinik në Evropë dhe në Lindjen e Mesme, para se të dëbohej nga Stambolli drejt Ulqinit nga sulltani, në vitin 1673.Në Mars të 1668, ai shpalli se ishte mbushur me “Shpirtin e Shenjtë” në Pashkë dhe i ishte shfaqur një “zbulim”. Ai ose një nga pasuesit e tij, botoi një vepër mistike duke pretenduar se Shabbetai ishte Mesia i vërtetë, synimi i së cilës ishte të afronte mijëra muslimanë në Judaizëm. Shabbetai Tzvi u vetëshpall Mesia në moshën 22 vjeçare. Ai u mbështet në një interpretim (të diskutueshëm) të Zoharit (një libër i misticizmit hebraik), sipas së cilit gjatë vitit 1648, njerëzit do të shihnin shëlbimin e popullit hebre. Në përputhje me zakonin mbizotërues të kohës, babai i Shabbetai e nxiti të birin të studionte Talmudin. Emri Sabatai lidhet me fjalën hebraishte Sabat, emri i së Shtunës së Shenjtë, një nga tabutë dhe ritet kryesore të hebrenjve deri më sot. Prindërit e tij ishin hebrenj dhe nuk e tradhëtuan kurrë doktrinën e Talmudit.Por Sabbatait studimet në halakha, ose ligjin hebre, nuk e tërhoqën; me sa duket ai u ndje i magjepsur nga misticizmi i Kabalasë dhe asketizmi, përmes së cilave adhuruesit besonin se ishin në gjendje të komunikonin me Zotin e engjëjt, të parashikonin të ardhmen dhe të kryenin mrekulli. Shabbetai Tzvi lexoi Zohar-in dhe praktikoi ushtrime asketizmi e pastrimi të quajtura tikkunim.Pra Shabbetai u zhyt tërësisht në shkrimet mistike hebraike të Kabalasë. Periudhat e zgjatura të ekstazës dhe personaliteti i tij i fortë u bashkuan për të tërhequr shumë dishepuj. Sipas ‘Studia Rosenthaliana’, e vetmja revistë shkencore në botë për historinë, kulturën dhe trashëgiminë e hebrenjve në Hollandë, thuhet se ai ishte një person jashtëzakonisht karizmatik, me një pamje mbresëlënëse dhe një zë magjepsës.Shabbetai arriti të entuziazmojë popullin hebraik kudo në Evropë, në mesin e shekullit XVII, duke gërshetuar sharmin e Mesias me misticizmin dhe iu premtoi atyre, rikthimin në Tokën e Shenjtë.Nga ana tjetër duke e shpallur veten Mesia, ai do të provokonte një skizmë të thellë brenda Judaizmit, midis atyre që do ta pranonin dhe atyre që do ta refuzonin atë.Në qytetin e bukur të Ulqinit, ai iu besua kujdestarit të kalasë, i cili ripërtëriu katin e sipërm të Kullës së Balshajve për hir të tij. Mesia gdhendi në mure dy yje të mëdhenj Davidi gjashtëcepësh, të quajtur ndryshe Magen David.
Emri Ulqini (në turqisht Ylgyn) u bë Alkum në përkufizimin e tij, si një aludim për melek – alkum nga thëniet e Urta të Solomonit, 30:31 (… dhe mbreti me ushtrinë e tij). Mos ndoshta kjo nënkuptonte se ai mbërriti atje me dëshirën e Zotit e jo me urdhrin e sulltanit, dhe se ishte në të vërtetë “mbreti i Ulqinit” ?!
Thuhet se ai vdiq në 17 Shtator 1676, (në ditën e shenjtë të Yom Kippur – it e njohur gjithashtu si Dita e Shlyerjes/ Pendesës dhe dita më e shenjtë e vitit në Judaizëm), vetëm dy muaj pasi kishte mbushur 50 vjeç. Akoma ekziston një legjendë në qytetin e Ulqinit, e cila thotë se një djalë i vogël ra nga një fik dhe vdiq në vend, megjithëse Shabbetai e kishte paralajmëruar të mos ngjitej.Duke ndjerë se ndoshta ai, Mesia mund të ishte fajtor për vdekjen e djalit, Shabbetai iu lut Zotit që ta ringjallte djalin dhe t’ia merrte pikërisht atij jetën në vend të vogëlushit. Dhe lutja u pranua. Biografi i tij Gershom Scholem, përmend që anëtarët e komunitetit donme (hebrenj të cilët ishin konvertuar në Islam) nga Selaniku (një qendër e rëndësishme hebraike dhe Kabaliste në ish-Perandorinë Otomane ose në Greqinë e sotme) e vizitonin dhe bënin pelegrinazh në varrin e Shabbetai Tzvi deri në fillim të shekullit XX.Shumë shkrimtarë të shquar, ndërmjet të cilëve dhe Isaac Bashevis Singer, fitues i çmimit Nobel në letërsi, në vitin 1978 ka shkruar mbi kultin e Shabbetai Tzvi dhe ndikimin e tij te pasuesit që e konsideronin si Mesia i vetëshpallur, në romanin “Satanai në Goray”, botuar më 1955. Ky libër është vepra e parë e botuar e Singer. Përkthimi në anglisht (nga jidish) është bërë nga Jacob Sloan me ndihmën e autorit. Ngjarjet përshkruajnë periudhën pas viteve 1648, kur ndodhën masakrat Chmelnicki, të konsideruara si një nga katastrofat më të mëdha hebraike. Historia përshkruan kultin mesianik hebre që u ngrit në fshatin Goraj dhe ndikimin e Mesias së rremë të shekullit XVII, Shabbetai Tzvi, mbi popullsinë vendase.Ndërsa zelli mesianik përshkon Poloninë mesjetare, hebrenjtë e Gorayt u ndanë në dy grupe: ata që mendonin si Rabini se askush nuk mund të “sforcojë fundin” dhe ata që ndiqnin pretendentin mesianik Shabbetai Tzvi. Por ndërsa histeria rritej, u bë e qartë se nuk qe Mesia ai që kishte mbërritur në Goray. I shkruar bukur nga pena mjeshtërore e prozës jidike I.B. Singer (gjuhë e përdorur nga populli hebre në Evropën Qendrore dhe Lindore para Holokaustit), “Satani në Goray” është një rrëfim folklorik i shndërruar në letërsi të mirëfilltë.Lëvizja që u zhvillua rreth Shabbetai Tzvi u bë e njohur si Shabbetaianism. Kjo lëvizje u përpoq të pajtonte pretendimet madhështore të Shabbetai-t dhe autoritetin shpirtëror, me tradhtinë e tij në dukje ndaj besimit hebre.
Shabbetianët besnikë e interpretuan braktisjen e Shabbetai-t si një hap drejt përmbushjes përfundimtare të tij dhe u përpoqën të ndiqnin shembullin e udhëheqësit të tyre. Ata argumentuan se veprime të tilla sipërfaqësore ishin të parëndësishme për sa kohë që dikush së brendshmi ndihej hebre. Edhe pse dihet pak rreth tyre, flitet se ekzistojnë disa grupe të quajtura Donmeh (turqisht për “të konvertuar”) të cilët vazhdojnë të ndjekin udhën e tij kryesisht në Turqi. Ata e paraqesin veten si myslimanë në publik, por praktikojnë format e besimit hebraik mesianik / mistik në mënyrë private.Një tjetër autor, Gershom Scholem, filozof modern i njohur dhe me imagjinatë të pasur historike shkroi librin ‘Sabbatai Ṣevi: The Mystical Messiah, 1626–1676’ i vlerësuar si kryevepra e tij, ku paraqet një përshkrim të hollësishëm të lëvizjes së vetme mesianike që përfshiu hebraizmin. Një vepër monumentale e historiografisë hebraike, e cila detajon shkëlqimin e spikatur të Ṣevi – t dhe shquhet për ndërthurjen e autoritetit filologjiko – empirik dhe pasionit të G.Scholem.Duke perifrazuar dhe një tjetër arkeolog, shkrimtar e poet, eruditin shqiptar Moikom Zeqo, në artikullin e tij studimor ‘Ulqin: Sabatai Zevi, Mesia i Rremë mes shqiptarëve’, i cili risjell në vëmendje se lidhja e Zevit me Ulqinin dhe Beratin flet për përparësinë e intimitetit të Zevit me shqiptarët si dhe me hebrenjtë e trevave shqiptare. Simbolet përkujtimore për Zevin pasurojnë historinë shqiptare dhe atë ballkanike. Sabateizmi qe një rrymë mistike opozitare kundër pushtetit otoman dhe kjo përkonte me vetë rebelizmin e shqiptarëve.Gjithsesi, Shabbetai Tzvi mbetet rabini kabbalist i Perandorisë Osmane së shekullit XVII, i cili zgjoi një pasion të zjarrtë që u përhap në tërë botën hebraike, kur u vetëshpall Mesia. Ai konsiderohet themeluesi i lëvizjes Shabbetiane, pasuesit e së cilës më pas do të njiheshin si “të konvertuarit” – Donmeh apo hebrenjtë e kriptuar.