SHIJA E VARGUT QË FALË KËNAQËSI

0
Nga :Rita Shkurtaj
Të flasësh për lakimin e pendës së një poeti duhet të jesh shumë i matur në peshimin e fjalëve që do përdoresh për ta përshkruar ndjesinë që merr nga vargu i tij, e të guxosh të kesh një mendim kritik sado skeptik të jesh do duhej të kesh një bagazh njohurish shkencore, të cilat rrallë kush i zotëron, kjo është edhe arsyeja pse ne lexuesit merremi më shumë me kënaqesitë që na falë një poezi, sesa ta analizojmë atë.
Deri para pak vitesh poezia kishte dy kënde, ku mund ta ofronte kënaqsinë e të lexuarit, në libra dhe në mediat e shkruara si në gazeta, apo revista social – kulturore dhe jo gjithkuj i jepej e drejta e botimit të vargjeve të tij poetike, pasi për tu pranuar një poezi për botim do duhej të kalonte një sërë filtrash kritikësh letrar e ideologjik, saqë do duhej aq shumë maturi, saqë mendimi i lirë i poetit mbeti gjithnjë skllav i atij realiteti.
Një nga ata guximtar që ka ditur të mbajë ekuilibrat e atij filtri letrar duke ju botuar herë pas here poezitë e tij në mediat e shkruara, ishte dhe malsori Isuf Heba, lindur në Reç të Malësisë së Madhe me 01. 06. 1957. Vjershat e para të tij të butuara zënë fill që në rininë e tij në vitin 1977, tek gazeta “Drita” si dhe revisten “10 Korriku”, medja të asaj kohe të redaktuar nga poetet Lirim Deda dhe Hysni Milloshi.
Në vitin 1980 Isuf Heba botoi edhe nje materjal të shkruar në prozë. Monografia e tij kushtuar dëshmorit Rifat Nuzi pati jehonë të madhe, aq sa autori mori shumë përgëzime për stilin e punimit në përshkrimin e jetës dhe veprës së dëshmorit.
Poeti Isuf Heba për asnjë çast nuk ka hequr dorë nga dhuntia dhe dashuria për vargun, për të cilin ai pohon se më vjen natyrshëm ta formuloj në varg çdo gjë që shoh, apo ndjesi që përjetoj, e për këtë dëshmojnë botimet e tij të shumta…si “Shiu i Prillit”, “Lisi i Vajzave”, “Elegji Kosovare”, “Rrënjet e Gjakut”, “Lëndina e Fluturave” etj…,në të cilat spikat një pendë e hollë që lakon bukur hijeshinë njerëzore, bukuritë e natyrës, dashuritë në të gjitha kuptimet. Ceken bukur shprehitë plot kuptim të dialektit malsor, qartëson bukur raportet e të veçantës në mes të tërës etj.
Penda të tilla bëjnë që ndër adhuruesit e atij vargu të përfshihen të gjitha moshat, duke nisur nga fëmijet, për të cilët ka mjaft vargje edukative e deri tek moshat madhore, për të cilët me vargun e tij u freskon mendjen me shprehi që dita ditës po humbasin peshën në perdorimin dhe kuptimin që kishin.
Vargu i bukur është arti i një pende të hollë, ndërsa kënaqsia që i falë lexuesit bën diferencën e të veçantës së tij.
Lëndina e Fluturave
Mbi një pellg të vogël uji.
Sa shumë flutura rreth i vijnë,
Ç’bukuri syri më zuri,
Një sfilatë për bukurinë!
Syri më kërkoi më t’bukurën,
Më thanë: – rri tek një lëndinë.
Era fryu, e trembi fluturën,
Nuk e la me shoqet t’rrinë.
Renda lëndinës pa fjalë,
Mbi një lule flutura rrinte.
Sa e pashë, më zuri mall
Malli plot dashuri rridhte.
Z’doja fluturën ta trazoja,
Veç me sy thash, ta vëzhtroj.
Pranë një shtegu ta rrethoja..
Ndër gjergjef, sa më mikloi!
Si u habit e bukura flutur
Mbi gjergjefin n’rreth rrethuar
Gjithë me gishta bezen skuqur..
Se n’gjelpërë i kishte shpuar
***
E kujtoj fluturën e bukur,
Gjithë sa herë mbi atë lëndinë.
Faqet kuq buzët pa puthur
Më ngatrroi t’i gjej shtëpinë.
Duke e përgëzuar poetin e talentuar malsor z.Isuf Heba për gjithë punën e shkeqyer ndër vite, gjej rastin t’i uroj vetëm suksese në realizimin e projekteve të reja si poet pendëartë që lë gjurme në shijet e lexuesit.
Tetor 2020

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.