Nga :ZANA TAKO
Dallimi është virtyt, është udhë ku zbulon atë që të përket, atë që duhet të ndjekësh, duke kuptuar, se fija e mendimit mund të këputet, kur ngatërron udhë që nuk të shpie askund.
Dallimi kryhet në vullnet të lirë, por i mbështetur fort tek e vërteta, e cila nuk është mjet për t’u përdorur në formën e sendit. E vërteta nuk është njeri, por gjendet tek njeriu në koshiencën e tij, në ekzistencën e tij. Lufta kundër saj është e padukshme për njeriun, por bëhet e dukshme, kur ushtrojmë vullnet të lirë për t’i paraprirë mendimit, i cili ushqehet nga forca dhe fuqia e së vërtetës, e cila nuk ndahet nga besimi. Besimi lidh urën që kalohet pa pengesë nga bashkëpunimi (vullnet dhe besim).
Fuqia e së vërtetës mposht çdo kundërshti të së keqes, e cila qëndron fshehur për të sulmuar mendimin e krijesës, për t’i ndryshuar udhë në drejtim të gabuar. Kjo fshehtësi nuk e ndihmon qoftëlargun të zbatojë planin e tij. Fshehtësia është e përkohshme, pasi e vërteta ka lindur në dritë dhe jeton në dritë. Drita e saj verbon errësirën që mbjell qoftëlargu nëpërmjet mendimit. Errësira çahet dhe griset nga drita plot shkëlqim e së vërtetës. Qoftëlargu shpërbëhet me humbjen e tij, nga shpërthimi i energjisë absolute që rrezaton në ekzistencë.
Rregull tjetër i artë shpirtëror, është harmonizimi i veprimeve, në bashkëpunim me udhëheqjen shpirtërore, e cila nuk e humbet drejtimin, por e fiton atë. Kjo udhëheqje njeh shtigje të panjohura për dhuruesin në vullnet të plotë shpirtëror. Besimi ruan portat e shpirtit të mbyllura ndaj ngacmimit. Ky besim luan rol tepër të rëndësishëm në mirëqenien shpirtërore, e cila zhvillon dhe ndihmon besimin.
Jetojmë në kohë ku gatuhet ushqim i shëndetshëm për banorët e tokës së Zotit. Krijesat janë në mëdyshje ndaj zhvillimeve të fundkohërave. Kjo mëdyshje nuk është zakon, por mënyrë jetese e qenies njerëzore. Shpëtimi prej saj nuk vjen nga propaganda, por nga realiteti i gjallë i ekzistencës së të vërtetës, e cila jeton brenda qenies njerëzore. Ky realitet është sulmuar dhe sulmohet vazhdimisht nga armiku i saj, i cili ka dështuar që me fillimin e kohërave.
E vërteta i shërben krijesës në mënyrë që ajo të ndjejë siguri në ecjen e saj, e mban fort të mos rrëzohet, e mban fort të qartësohet, e përkëdhel me formën e saj në vështirësitë e ngjitjes shpirtërore, dhe e përqafon në kulmin e lartësisë shpirtërore. Ky kulm realizohet, kur ngjitja jep prodhimin e saj në forcën shpirtërore, në qartësinë e ideve të mendimit, i cili nuk lëkundet nga ngacmimi, as nuk dorëzohet nga vështirësitë.
Elementet që shoqërojnë këtë ngjitje shpirtërore, janë idetë që prodhon e vërteta, prej të cilave vilen fryte që ndihmojnë shpirtin gjatë kërkesave të ushqimit shpirtëror. Krijesa nuk ndjen uri dhe etje, por ngopet me fryte të së vërtetës, e cila nuk është e varfër në ushqyerje, por plot begati që prodhon shëndet dhe mirëqenie shpirtërore.
Frika zëvendësohet me fuqinë që e mposht atë. Fuqinë nuk e prodhon njeriu, por njeriu ushqehet me fuqi jo nga padija, por nga mendimi i begatë i së vërtetës, e cila zëvendëson përfundimisht çdo hamendësim dhe dyshim, produkte të frikës të cilat ushqehen nga mosbesimi, kundërshtar i fuqishëm që lufton me armët e ngacmimit.
Me largimin e frikës, udhët janë të hapura dhe plot ndriçim. Krijesa ndjen gjymtyrët t’i përtërihen, ndjen shpirtin të përparojë drejt lartësive ku ushqehet e vërteta.
Bindja kthehet në fuqi që rrezaton energjinë. Burimi i saj është i pashtershëm, i cili ushqen dhe fuqizon shpirtin që dhurohet në përplotësi, në krahët e së vërtetës me emrin Lavdi Qiellore, atje ku buron forca që lufton kundërshtarin e dashurisë, i cili është armik i betuar i krijesave njerëzore.
Fuqia nuk matet me hapat e njeriut, por bëhet mishërim i mendimit të tij. Kjo fuqi nuk barazohet me koeficientë matematikorë, sepse matematika nuk është fuqi e mendimit të njeriut, por fuqia është formulë e patjetërsueshme e misterit të madh që zotëron ekzistencën.