Lufta e Koplikut 1920 dhe ngjarjet që i paraprijnë. Ky është titulli i librit më të ri i cili sapo ka dalë nga botimi, dhe tashmë ka filluar të shkojnë në duart e lexuesve, veçanarisht të atyre lexuesve të apsionuar pas ngjarjeve historike.Kësisojë ky libër ka dalë në dritë, në kohën e duhur dhe momentin po të duhur, pikrisht në kuadër të 100 vjetorit të luftës së Koplikut.Ndaj të gjithë pasionantët e njohjes së fakteve historike të kësaj ngjarje duhet ti themi autorit Ndue Bacaj faleminderit! Po kështu një falenderim meriton edhe kryetari i Bashkisë M.Madhe z, Tonin Marinaj, i cili e ka mundësuar botimin e këtij libri!
Nga:Gëzim Vuçaj
Siç ishte paralajmruar në vigjilie të jubileut të 100 vjetorit të Luftës Koplikut , publicisti dhe studiuesi i njohur malësor , z.Ndue Bacaj botoi librin me vlera historike e memorative , me titull : Lufta e Koplikut 1920 dhe ngjarjet që i paraprijnë. Libri, siç e tregon edhe titulli i kushtohet qendresës dhe luftës mbrojtëse të trojeve shqiptare nga lakmitë dhe invazionet e fqinjëve shoven serbo-malazez. Libri siç e pohon edhe autori është frut i punës disa vjeçare i bazuar në dokumente arkivore , “materiale” të ndryshme të shkruara, dokumentuara dhe referuara, libra si dhe trashigimi gojore të besueshme dhe në një farë mënyre të konvergueshme me ato të dokumentuara. Libri prej rreth 200 faqeve është i “ndarë” në dy pjesë : Pjesa e parë trajton ngjarjet që i paraprijnë luftës Koplikut fill pas luftës së parë botërore, ngjarje që zhvillohen në trojet etnike shqiptare të Malësisë Madhe , Shkodrës e deri në Konferencën e Paqës në Paris. Në këtë pjesë të librit një vëmendje të veçantë i kushtohet masakres serbo-malazeze të fund-dhjetorit 1919 , ku vetëm në në Hot do të humbnin jetën dhjetra malësorë me të vetmin “faj” se ishin shqiptarë autoktonë në trojet e veta etnike të cilët donin të mos mdaheshin nga Shqipëria Nanë… Në liber ka mjaft hollësi të ketij krimi makabër të shovenëve serbo-malazez , si dhe emrat thuajse të plotë të hotjanëve të vrarë në pabesi e me tradhti…Këto ngjarje thotë autori i librit nuk mund t’i veçoj nga lufta e Koplikut, të cilën e konsideroj vijim i këtyre kohëve të mbushura me qëndresë, (me pendë dhe me pushkë), ndaj shovenëve serbo-malazez, nëatë kohë të kolektivizuar në federatën Serbo-Kroate-Sllovene (Jugosllavi), ku bënte pjesë pa emër Mali i Zi. Ndersa pjesa e dytë i kushtohet luftës 203 ditore të Koplikut (27 korrik 1920-14 shkurt 1921). Këtu janë memorizuar data , beteja luftarake , por edhe perpjekje diplomatike të Qeverisë Shqiptare të dalur nga Kongresi i Lushnjes. Por mbi të gjitha janë memorizua emrat e drejtuesve dhe udhëheqësve të kësaj lufte që nga Ahmet Zogu e Bajram Curri (si të derguar të qeverisë) dhe ata vendor si Sylço beg Bushati , Deli Meta , Lucë Nishi, Adem Haxhia, Zef Seerreqi, Jonuz Sokoli , Keq Sadik Balaj , Nikollë Luca Junçaj, Tomë Nikollë Hasaja e tj. e tj. të cilësuar në libër . Gjithashtu janë memorizuar emrat e 77 dëshmorëve të kësaj lufte , që nga Zef Prelë Martini , Lucë Nishi Dedvukaj , Lukë Nikë Pllumi, Ndrek Kaçeli , Gjeto Dedë Marku, Selman Bajram Ramçaj, Ali Rexhep Spahia, Zeqir Bejto Fikaj e tj. e tj. , si dhe emrat e disa të plagosurve. Autori nuk ka lënë pa cilësuar edhe disa nga emrat e malësorëve e më gjërë që ishin në anën e gabuar të historisë (në sherbim të shovenëve serbo-malazez). Gjithashtu autori në libër nuk lë në harresë as Luftën e Vlorës kundër pushtuesve Italian dhe atë të Dibres kundër shovenëve serb, luftra këto të drejtuara nga qeveria kombëtare e dalur nga kongresi i Lushnjës, si dhe rolin e Malësorëve si barrikada dhe fushbeteja më e madhe e kësaj lufte. Gjithashtu z.Bacaj vë në pah (në veçanti) edhe kontributin e koplikasve , duke cilësuar edhe emrat e tyre. Zoti Ndue Bacaj në këtë libër (si dhe në të tjerët e botuar më përpara) , shkruan i bazuar në referenca të plota. Konkretisht për këtë libër ka perdorur 344 referenca të renditura ekzakësisht nga fundi i librit, gjë që i japin vlera të jashtzakonshme librit dhe autorit. E themi këtë se sot në pergjithsi shkruhet duke i anashkaluar referencat… Libri në fund është i paisur edhe me një album të vogël, por domethënës me fotografi që i kushtohen luftës Koplikut. Libri Lufta e Koplikut 1920 dhe ngjarjet që i paraprijnë, i autorit Ndue Bacaj është libri i parë që i kushtohet posaçërisht kësaj lufte mbrojtëse, si nga autor malësorë dhe shqiptar në pergjithsi. Librit i shtohen vlerat pasi vjen edhe në jubileun e 100-të të luftës Koplikut. Ky libër është padyshim edhe një kontribut i madh i publicistit e studiuesit Ndue Bacaj , i cili memorizim për sot e brezat që do të vijnë qendresen e Luftën mbrojtëse të të pareve të tanë, atëherë kur rrezikohej coptimi i metejshmen i trojeve shqiptare. Libri është një vlerë e shtuar në dokumentimin, perkujtimin e memorizimin e Luftës Koplikut. Nëse në rrjeshtat e shkruar të ketij libri mësojmë për historinë e shkuar me fqinjët, në mes rrjeshtave të librit duhet të “mësojmë” edhe për të sot…
Suksese të mëtejshme autorit, në rrugen e memorizimit të historisë së qendresës e luftrave të Malësisë e shqiptarisë , në mbrojtje të identitetit dhe trojeve etnike shqiptare.
Voo: Ndue Bacaj është autor edhe i librave:“Kryekryemgritja e Malësisë Madhe, kundër perandorisë Turke-Osmane 1911” (plus ribotimi) , “Malësia e Madhe Kundër… kushtuar kryengritjes së parë antikomuniste (1945) në Shqipëri dhe Europë” dhe “Rrethimi i Shkodrës 1912-1913 dhe Malësorët”. Autori ka të shkruara edhe libra të tjerë, që presin driten e botimit.
Koplik me 09 shtator 2020