PSE KAQ E HUAJ DRITA PËR ËNDRRËN QË DUA?

0
Nga Xhemile Adili
Sa larg dielli që do më ngrohte, sa larg, sa larg!
Këto erëra si nuk po marin flakën e shpirtit tim?
Këta acar, ky thellim, këto trandje, ky trishtim,
si s’po përplasen ngado? Shtypje, kanë mesazhin.
Sot jam, nesër s’jam… Dua gjithë rrugët e tërë barin!
Sa larg dielli që do më ngrohte, sa larg, sa larg!
Gjithçka ka një çmim, gjithçka do shpaguhet,
edhe lotët çurg e dhembjet – thikë në zemër.
Jeta nuk rrëmbehet dot, dashuria nuk blehet,
Sy, shpirt kam…Fusha, ajër, dritë për mua s’ka!
Sa larg dielli që do më ngrohte, sa larg, sa larg!
Mos e merr përdore, o Zot, për askend mëshirën,
se rënkon e dërgon rreze malli, edhe sa i huaj
ky përrua vështrimesh e vërshimesh të egra!
Sa e huaj drita për ëndrrën që dua! Sa e huaj vdekja!
Zjarr në gjoks, zjarr nën këmbë, zjarri – mort i uruar!
Sa larg dielli që do më ngrohte, sa larg, sa larg!
Si burgaxhinj më janë bërë qirinjtë pranë kokës time,
si burgaxhinj: lotët ditë natë, po dita kurrë s’arrinë.
E ajo zemër më vjen me ajër, më rri pezull mbi kokë,
e marr, e mikloj, e dua, pa atë nuk kam ku shkoj dot.
Sa larg dielli që do më ngrohte, sa larg, sa larg!
Vetëm lotët e mi këndojnë. Gjakun – bukë të ngrohtë
që bëj, këndon. Dhe kthej prapa, shoh jetën time,
lënë dhëmbëve të huaj, xhepave të huaj, drurit
mbi shpinë vërtitur me dhembje… O Zot, i nxirr
plagët e mia nga ky ferr që s’ka fund asnjëherë!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.