PROMOVOHET LIBRI “SHQIPËRI O DHIMBJA IME” I AUTORIT MEM MEMAJ

0

Në mjedisin e lokalit të trevës së Malësisë së Madhe “Kështjella-Xhafaj””, më 24 tetor 2019, në një prani të mrekullueshme krijuesish, poetë e prozatorë, artistë të skenës e të humorit, miq dhe dashamirës të librit dhe të poetit Mem Memaj, shoqata ”Shkrimtarët dhe Artistët, M.Madhe ”Nderi i Kombit” promovoi librin e parë poetik të poetit Mem Memaj. Në prani të medias lokale e të një serioziteti maksimal, si respekt ndaj interpretimit e prezantimit të vlerave poetike e divulgative të librit, të pranishmit përcollën me një emocion admirues e profesional vlerat estetike e njohëse të vëllimit poetik ”Shqipëri,o dhimbja ime!” të z.Memaj. Pas fjalës së hapjes dhe prezantimit profesional të vlerave të këtij libri poetik, moderatori i evenimentit, kryetari i shoqatës së krijuesve malësorë, ofroi para të pranishmëve dimensionet e një libri gjithë ndjesi, dhimbje dhe nostalgji për vendlindjen nga ana e poetit Memaj. Fjalë gjithë emocion, mbresa e respekt për veprimtarinë e z.Memaj ofruan të gjithë diskutantët, shkrimtarë, poetë, përkthyes, korrektorë letrar, artistë të fjalës,si: Isuf Hebaj, Fadil Hasmujaj, Dimitrov Popaj, miq, familjarë e të afërm te poetit si: “Mjeshtri i sportit” Seladin Zogu, Rexhep Meta etj. Emocione të veçanta ofroi, në këtë rast, buqeta me lule, një dhuratë dhe inkurajim origjinal, për poetin më të ri të trevës sonë, nga njëra prej pjesëmarrëseve, në emër të njerëzve më të shtrenjtë, motrave e familjes së tij, të gjithë të pranishëm, në këtë eveniment të poetit Memaj, që prej kaq vitesh jeton në Itali. Mbresëlënie të veçantë përcolli për të pranishmit fjala e mirënjohjes e poetit ndaj pjesëmarrësve dhe shoqatës së krijuesve malësorë, e shprehur në vargje, prej të cilës zgjodhën këtë strofë: ”Kush ka nder e dinjitet e do shumë vendin e vet dhe patriotizmin e demonstron në çdo cep të botës ku jeton”. Memaj ka lindur më 13.03.1949 në fshatin Qafëgradë-Reç të Malësisë së Madhe, në një familje me tradita patriotike, punëdashëse, gjithherë i integruar në jetën shoqërore të fshatit dhe të zonës Grizhe të trevës sonë, si një familje që i ka përballuar me dinjitet sfidat e kohës, dje nën diktaturë dhe sot në demokraci. Si mbaron shkollën e mesme për agronomi, në fshatin Reç, Memaj vazhdon studimet në shkollën e lartë ”V.I.LENIN”, si dhe kursin një vjeçar për filozofi, në Tiranë. Dallohet kurdoherë si veprimtar shoqëror në punën me rininë po ashtu edhe si ekonomist, përgjegjës sektori, përgjegjës i burimeve njerëzore në koperativën bujqësore ”Partizani”, Grizhe, po aq edhe si drejtues ekonomie në nivel koperative bujqësore në Shalë,Dukagjin. Gjithë jetën e tij, kudo ka punuar është dalluar për ndershmëri, përkushtim, solidaritet me njerëzit e thjeshtë dhe ndjeshmëri maksimale ndaj problemeve shqetësuese në popull, duke dëshmuar shpirtin e njeriut të lirë nga filozofia e përjashtimit të tjetrit, siç e kërkonte koha për arsye biografie etj. Si përgjegjës sektori, drejtues partie, kryetar koperative, apo përgjegjës kuadri për shumë vite në koperativën ”Partizani” Grizhe ku është edhe vendbanimi i tij. Memaj është i martuar dhe me 4 fëmijë, dy djem dhe dy vajza, me vullnetin e prindit për një ardhmëri sa më të mirë të tyre, si shumë shqiptarë gjatë viteve të tranzicionit, pas viteve 90 merr rrugën e emigrimit drejt Italisë. Me punë dhe përkushtim shembullor ndaj vetes, si qytetar i denjë dhe familjar shembullor, me një vitalitet të pashoq arrin të stabilizohet, pajiset me pasaportën italiane famijarisht duke arritur të ndërtojë jetën e re si qytetar i denjë i Republikës së Italisë. Gjithë mall dhe dashuri për vendin e vet, nostalgjik deri në skaj ndaj dheut ku lindi dhe u rrit, një ditë të paparashikuar Memaj hyn në jetën e fjalës së shkruar si autor i të parës përmbledhje me poezi, si këngë që rrëfejnë, gjithë dashuri dhe respekt, gjithë mall dhe rebelim, rrugëtimin e dhimbshëm të vendit të tij, sidomos gjatë këtij tranzicioni të tejzgjatur për fajin tonë, të cilin e përcjell me aq dinjitet: ”Shqipëri,o dhimbja ime”.  Ky do të jetë edhe titulli i të parit libër me vargje plot nostagji, apo poezi rrëfimtare, kushtuar rrugëtimit të dhimbshëm deri në absurd të atdheut të tij të dashur, i cili, edhe pse pritej të jetonte i realizuar, në hapësirat e lirisë, si një vlerë e realitetit demokratik, nuk po i shpëton dot dramës së keqkuptimit me vetveten. Kur e pyet rreth motivit që të frymëzojë, Memaj të përgjigjet, si i vrarë në shpirt, ndryshe gjithë dhimbje: ”Nuk mendoja që pranvera demokratike do të na qeshte e plotë kaq shpejt, por ama, kurrsesi nuk besoja se këtë radhë tragjikomike të fatit tonë do ta zinte stina e re e konfrontimit mes nesh, në epokën e postfronteve, si përjashtimi i tjetrit, thjesht për bindjet partiake, gjithsesi po si dje, në emër të nënës parti, aq më tepër të vijojë një lojë-tallje e tillë, me votuesit, sa që zhgënjimi ndaj politikanëve tanë dhe lojës parapolitike të partive tona të na ofrohet si një tjetër argument se ne jemi shumë larg Evropës, edhe pse në gjenezën tonë jemi bijtë e natyrshëm të kësaj Evrope. Janë veprimet dhe emocionet e përcjellura nga heroi i tij, kolektiv, populli shqiptar, që njëherësh vijnë edhe si refleksione apo ndjesi të poetit, në kontekstin e asaj anarkie të vitit të mbrapshtë 1997, që marrin jetë në vargjet e poemës “Shpresa dhe zhgënjime”: ”Edhe tanke dhe aviona, u grabitën në repartet tona, qeveria nuk ekzistonte, anarkia kudo mbretëronte, populli i Vlorës u vesh në zi, mbasi humbi njerëzit e tij, që na sjellin aq bukur në vemendje thënien e Nekrasovit të madh: ”Poet mund të mos jesh, por qytetar duhet të jesh patjetër”: Një mesazh brilant për ata shkrimtarucë apo poetucë, humbjakohës të letërsisë masive, që sot shkruajnë si qëllim në vetvete, larg rolit emancipues të krijuesit në jetën e shoqërisë. Përmes poezisë së tij qytetare poeti Memaj shpreh mjaft bukur ndjenjat dhe qëndrimet e veta, në të cilat jeta personale përjetohet e pandarë nga jeta e vetë shoqërisë ku gjithëpërfshihet si qytetar shumë aktiv dhe i ndërgjegjshëm. Ja sa bukur ironizon me gjuhën e tij poetike mediokritetin politik të ditës përmes karakteresh letrare mjaft të goditura në poezitë: ”Premtimet e Gajushit”, apo ”Mashtrimet e Sadushit”: “Me Jushin kur komunikon,Aq i zgjuar nuk tregon,Por ky djalë politikan,E ka trurin si shejtan.Ndërkohë tek poezia “Mashtrimet e Sadushit” ironia si një tallje e hollë, por e fshehur, ia le vendin sarakazmës si një tallje e hidhur, plot vrer, e bazuar në ndjenjën e epërsisë së atij që flet ndaj atij për të cilin po flitet: ”Si kryetar i partisë së majtë,Thoshte aq thellë i kemi rrënjët,Sa edhe Xhorxh Bush Junior,Me na i shkulë e ka zor”. Dhe po aq sa ne, emigrantëve shqiptarë, kudo që jemi, na dhemb zemra për Shqipërinë, vendin amë, po aq ndjehemi të brengosur për zhvillimet në Kosovë apo Çamëri, dy gjymtyrët tona natyrore, që, nëse dikush i pengon në rrugën e gjetjes së vetvetes në Evropën e Re , pengesa e parë bëhemi edhe ne, vendi amë, me standartet e paarritura, që ofrojmë me politikëbërjen tonë, foklorike, me komunikimin tonë anakronik, brenda nesh, me diskreminimin e vlerave tona, deri publikisht, në sytë e botës së qytetëruar, nëntekston poeti përmes përjetimit të tij.” Mjafton të njihesh sado pak me librin në fjalë të Memajt ”Shqipëri,o dhimbja ime!” për të shijuar dhimbjen e tij, si dhimbja e shpirtit në përpjekjen e pandërprerë për të kapërcyer atë gjendje krize që vijon, në Shqipërinë tonë, deri edhe në ditët më të fundit. Me bindjen se askush nuk na do, po nuk ditëm të duam dhe ndryshojmë pozitivisht vetveten, autori rebelon përmes ironisë dhe qëndrimit kritik, të paanshëm ndaj antivlerave që ofrohen si deri dje, në emër të pushtetit partiak, ndryshe të vijës së partisë. Autori ndjehet i lumtur dhe krenar që është shqiptar, sado i larguar prej gati një çerek shekulli nga vendi i tij, po aq sa ndihet i lumtur për Kosovën e lirë dhe të pavarur, sikurse bën thirrje që kjo shpresë të mbetet e gjallë edhe tek çamët, vëllezërit tanë të një gjaku, të një gjuhe e të një kombi, të ndarë padrejtësisht nga shteti amë, duke shpresuar në standartet demokratike të Evropës së Bashkuar ku edhe ne aspirojmë të bëhemi pjesë e saj. Megjithatë gjendja për të qarë e për të qeshur në shumë raste të qasjes sonë, ndaj pritmërive të Shqipërisë sonë të dashur, e mbajnë autorin të zhgënjyer, ndryshe me shpresa dhe zhgënjime të dhimbshme, të cilat së bashku duhet të punojmë t’i përcjellim me dinjitet, nënkupton dhimbja e tij. Ndryshe Evropa, mbetet larg për të qenë përfshirja jonë, në standartet demokratike, që ajo aspiron t’i plotësojmë edhe ne si komb, siç aspiruan breza të tërë shqiptarësh. Ironia dhe sarkazmat që artikulon autori ndaj dukurive nga më negativet në këto vite të tranziconit shqiptar, pasojë e abuzimit të institucioneve tona qeveritare me vetveten si dhe e tjetërsimit deri në përmasa absurdi të vetë qenies njerëzore, vijnë si një apel me theks sa aktual, po aq edhe universal, kundër antivlerave me një kosto mjerane për vetë civilizimin tonë si popull, nëse e kemi sinqerisht me vetveten devizën ”Evropa e ardhmja jonë!”. Nuk ndalet kurrsesi shpërthimi i poetit të tejet indinjaur, plot ironi dhe sarkazëm ndaj idealizmit tonë demokratik, tek poezia”Gajushi”, si shprehja më e kthjelltë e anatemimit të hipokrizisë sonë civile: ”I vendosur Jushi është treguar,/Në banjo të majta nuk ka shkuar,/Këtë veprim nuk e pranonte,/Që të djathtët t’i tradhtonte”.Dashuria dhe malli i pafund për atdheun e tij,ndonëse prej një çerek shekulli i mërguar nuk i ushqejnë gjthnjë besimin tek ardhmëria e këtij vendi, që thirret Shqiperi ku përmes dy poemave liriko-epike, kushtuar Çamërisë dhe Kosovës, poeti shprehet gjithë respekt dhe ndjesi të hollë, prej patrioti iluminist, në vragun sintetik, aq të goditur “Dy krahinat e Epirit si dy gurë prej xhevahirit”. Mbyllja e përmbledhjes poetike, me poezinë kushtuar “Flamurit kuq e zi”, ngërthen në vetvete filozofinë e një malli përvëlues, që mban ndezur shpirtin e njeriut të lirë, dhe përgjithësisht të diasporës sonë, kudo jeton, duke na ofruar si një buqetë prej lulesh të freskëta uniteti, mes vedi dhe rreth tokës Nënë, mesazhin më kuptimplotë: ”Rebeloj ndaj teje, sepse të dua aq shumë vendi im i shtrenjtë, sepse është pikërisht ky mall dhe kjo dashuri që në shpirtin tonë të trazuar, dhimbja yte vazhdon të jetë dhimbja e secilit prej nesh, në këtë botë të mbërthyer keq, pas egoizmit dhe individualizmit ekstrem. Natyrisht libri ”Shqipëri,o dhimbja ime!”, si i pari i këtij autori, ka nevojë edhe për reflektime më serioze brenda vetes, sa i takon vlerave të tij letrare, por gjithsesi ai premton se kush punon dhe e do fjalën si vlerë estetike, ka shansin të jetë nesër njëri ndër anatemuesit më të suksesshëm, të antivlerave të çdo ngjyre, në emër të jetës dhe të dashurisë për fjalën si vlerë universale, po aq për njeriun dhe për jetën, si e vetmja rrugë për gjetjen me dinjitet evropian të vetvetes sonë si popull i civilizuar dhe ky mesazh që ofron libri, si një oponencë serioze, në llojin e vet, nuk është pak për një shkrimtar të ri, që jeton me dhimbjen si nderim për vendin e tij, çka mishërohet aq këndshëm, estetikisht, në titullin aq të gjetur të librit, në fjalë, të Memajtn ”Shqipëri,o dhimbja ime!“.

Kadri Ujkaj, kritik letrar, kryetar i shoqatës”Shkrimtarët dhe Artistët,M.Madhe”Nderi i Kombit””

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.