Nga Jani Malo
Berisha ka vendosur të mos largohet nga politika pa u siguruar se do të urrehet edhe nga i fundit i atyre që nuk e kanë vendosur akoma.

*
Ringjallja e Krishtit qe e para, më pas Rama shpiku Rilindjen. Nuk është faji i tij që njerëzit janë të verbër.
*
Politika nga shumë njerëz shihet si gjë e pistë.
Ilir Meta është shembulli se edhe gjërat e pista mund të ndoten.
*
Të shpresosh se Monika Kryemadhi do të sjellë ndryshimin është njëlloj sikur të besosh se gicat lindin nga sallami.
*
Brekushet e Edi Ramës të kujtojnë Ludovikun XIV. Thonë se ngaqë ai kishte xhunga në kokë filluan dhe u dukën parukat.

*
Sikur të qëndronte edhe një mandat tjetër Ilir Meta në presidencë, do besohej se bordeloja është vendi ideal për të luftuar prostitucionin.
*
Lul Basha ngjan me një Kolomb të (sh)kurdisur. Kurrë nuk di çfarë kërkon dhe, pasi mbërrin gabimisht diku, nuk e di se ku është.
*
Monika duhet të jetë fatia e Shqipërisë që po lind. Vetë ajo mund ta kthejë letrën në para, vuajtjen në gëzim dhe hallën në xhaxha.
*
Shumica e atyre që e qeverisën këtë vend në 30 vjet i bënë punët me bythë. Gjynah që asnjërit nuk iu dha çmimi “Kim Kardashian”!

*
Qeveritë shqiptare u kanë ngjarë matrioshkave ruse, por ndryshe nga ato, ku nga më e madhja del një më e vogël, pas qeverisë “e Keqja më e Vogël” ka ardhur qeveria “e Keqja më e Madhe”.
*
Rama ka meritën se debatin se kur iku gjermani i fundit nga Shqipëria e zëvendësoi me pyetjen se kur do të ikë shqiptari i fundit për Gjermani.
Nga libri “Qumësht gomari”, 2022