Ambasadorja amerikane Yuri Kim, me anë të një editoriali ka paralajmëruar bashkëqeverisjen Rama-Basha.Teksa u ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së Lulzim Basha që të pastrojnë listat nga të inkriminuarit para se të hyjnë në Kuvend, ka bërë apel edhe për bashkëpunim.
“Presim me kënaqësi ta shohim parlamentin të rikthehet me pjesëmarrje të plotë në mënyrë që shqiptarët nga i gjithë spektri politik të jenë të përfaqësuar. Nxisim udhëheqësit nga të gjitha krahët që të kthehen me vendosmëri të ripërtërirë për të punuar fort në emër të popullit shqiptar. Kjo do të kërkojë ndryshim, vizion si dhe udhëheqësi të vërtetë për të çrrënjosur krimin dhe korrupsionin në mënyrë që secili të ketë një mundësi të drejtë dhe një të ardhme më të mirë. Do të kërkojë që Edi Rama, Lulzim Basha, si dhe udhëheqës të tjerë të kontrollojnë listat edhe njëherë për t’u siguruar që kur të kthehen në parlament, njerëzit të mund të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre”, shkruan Kim.
“Po ashtu, do të kërkojë që palët të ngrihen mbi interesat e tyre partiake dhe të gjejnë mënyrën për të arritur kompromis dhe për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin për një kauzë më të lartë, për të ardhmen e Shqipërisë”, shkruan ndër të tjera Kim.