I lumtur të vlerësoja sot me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, poetin e përjetshëm të tokës, atdheut dhe dashurisë, Dritëro Agolli.

Me mirënjohje për personalitetin e shquar të letërsisë, kulturës dhe trashëgimisë tonë kombëtare, i cili me veprën e tij të pashembullt poliedrike e shumëdimensionale: letrare, artistike, estetike, filozofike, enciklopedike, akademike, politike dhe shoqërore, mishëroi virtytet më të vyera të shqiptarizmës dhe ngjizi në shpirtin e kombit shqiptar
atdhedashurinë dhe patriotizmin, dashurinë për tokën, njeriun dhe gjuhën e bukur shqipe, duke u kthyer në një shërbestar humanist dhe apostull besnik i ëndrrës shekullore të rilindasve tanë.


Dritëroi ynë i madh dhe i paharruar dritëron përjetë në çdo varg, libër, mesazh e këshillë të mençur, që na la trashëgim të gjithëve!
“Po kur të jesh mërzitur shumë.
Në raft të librave kërkomë,
Atje do të jem i fshehur unë,
Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë
Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do zbres, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje.”