(Pa)barazia gjinore në status quo

0

Nga: Gladiola Jorbus

Pjesëmarrja aktive e gruas në jetën sociale, artistike dhe politike është një domosdoshmëri, sepse gruaja e angazhuar duhet të gëzojë rol trajtëformues në shoqëri.Gratë janë të zonjat dhe dinë si të shtrëngojnë frerët e familjes e të profesionit, por ato vihen gjithnjë në pikëpyetje. Ato lodhen dyfish për të realizuar veten dhe kjo kërkon energji, impenjim, efektivitet, integritet, përgjegjshmëri, sens të detyrës. Përgjatë periudhave të ndryshme historike kanë spikatur shumë heroina apo ikona femërore, por sërish grave u duhet të depërtojnë në një botë që mbetet thellësisht maskiliste në kërkesa e mendësi.Ndonëse ka pasur një rritje të përfaqësimit të grave dhe të pranisë së saj në strukturat vendimmarrëse, ato sërish mbeten të nënpërfaqësuara. Demokracia do të merrte plotësisht kuptim dhe dinamizëm, nëse politika do t’u kushtonte vëmendje të barabartë, interesave dhe aftësive të të dyja gjinive.Gratë duhet të gëzojnë plotësisht të njëjtat mundësi, shanse, detyra dhe të drejta me burrat. Ato nuk kanë pse të rivalizojnë me ta, por të shijojnë lirinë e të shpalosurit të kompetencës, pikëpamjeve e personalitetit të tyre.Prezenca e grave në jetën publike dhe politike është e domosdoshme, pa harruar se edhe gruaja mund t’i gëzojë privilegjet e konsideruara mashkullore siç janë; të folurit haptas apo ngritja e zërit, kundërshtimi a stoicizmi. Gjithmonë, nëse ajo nuk ndihet një kukull, por një aktore protagoniste në jetën publike. Gratë nuk duhet të jenë marioneta që veprojnë sipas interesave e vullnetit të liderëve apo eprorëve të tyre dhe as t’i nënshtrohen symbyllazi çfarëdolloj udhëzimi që u jepet, pavarësisht nga niveli i hierarkisë.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.