Nga:Zade Kuqi
Ti më bënë t’i ëndërroj pallatet e rrënuara të Trojës,
të ndjejë frikë nga fëshfërima e gjarpërit si rrëshqet gurëve,
ta vështroj me sy pyetës fluturimin e një zogu mbi qiparis,
duke harruar kohën, këtë det të fjetur në fjalët lozur në ajër,
gjithnjë në Trojë ti ngadalë me gishtat e dorës buzët
prek dhe… të mbeshtes kokën mbi supin tënd,
veshur me këmishën xhins.
S’vonoj aspak të ulem mbi një tra të latuar,
ndoshta dikur pikërisht këtu Eneu e veshtroi
të fundit herë Trojën, derisa dorën e drejtoi
plot kuptim mbi kripin e kokës time,
mbi duart e librit që puthiten për lëkurën time
të bardhë; nuk e nxinë asnjë rreze nga plazh i Vlorës,
të ndjellë dhitë për qumësht fëmije tonë që rris
dhe është bërë më i madh se koka dhe zemra ime…
Një çast tjetër të qëndis një fytyrë kokëshogët
mbi krahët mëndafsh të fluturës, hap e mbyll dritaren
e natës time të lashtë, si ajo që s’donte të ikte Teuta
dhe korbat e bardhë e të zi nga shkretëtira-bore.
S’kam ç’mendoj ngjyrat, ç’të zgjedhë për qëndismën
e të vazhdoj të të dua, ndryshe nga të gjitha shpresat
që janë ndalur të tregtojnë në një skaj tjetër bote.
O trëndafili im… të mendoj ty, s’më ndal gjë, qoftë
dhe pamundësia, të mos nisem që të kthehem prapë,
sepse dhe pasqyrat u thinjën, bashkë me ujin e detit
dhe peizazhin e qetë nga barka koti. Të mendoj ty,
pikërisht si po vjen,
si asgjë tjetër, ndonjëherë.