Një e puthur në cep të buzës

0

Nga:Anila Kananasi Karapidou

Dy fjalë për Poeten  Anila  Kananasi Karapidou ,poezit e saj po i percjell tek lexuesi  revista “Fjala”.

Lindur në Tiranë më 7.4.1971.Ka mbaruar Shkollën Mesme Teknollogji – Kimike në Tiranë.Që prej 2005 jeton në qytetin e Selanikut- Greqi.Eshtë “Poete”. Ka botuar dy libra me poezi.Në vitin 2008 librin me poezi “Kur lëndohet zemra e poetit”Në vitin 2020 librin me poezi “Një e puthur në cep të buzës”Krijimtaria e saj letrare  në poezi dhe prozë është përfshirë dhe në disa antologji brënda dhe jashtë vendit.E përkthyer në Paris në antologjinë me “Tregime për dashurin” nga 35 krijues nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora.Eshtë anëtare e “Degës së Blertë” në Selanik.Eshtë  Ambasadore e Paqes për qytetin e Selanikut – Greqi në 200 shtete në botë për të drejtatat e njeriut.

 

-1-  MURI I KOHËS

Me mollëza me thonj gërvisht murin e kohës,

Në tullat të vëna sirtarë, ku të vjetrat kujtime janë ruajtur.

Pluhurin e verdhë – ajrit  shpërndarë,

Në vazo kristali mbledhur si relikë e fatit.

Penën marr lehtë dhe në pluhur e ngjyej.

Formoj gërma, fjalë, thur historinë e shkuar.

Pa histori jeta është e humbur,

Është dru i djegur oxhakut, hi – vatrës shkrumbuar.

Muri i kohës i lodhur, gërryer  egër nga stuhitë,

Me plagët thellë trupit, jetës  i bën ballë.

Diku, mbi të, varur një orë e vjetër , hijerëndë.

Me tik-takun e saj të cjerrë, sakate, calë-calë.

Me thonj gërvisht murin dhe kockat më thërrmohen,

Truri i lodhur vazhdon, thërrmon labirinthet,

Në tullat sirtarë ruajtur, ndjenjën sërisht të përseritet.

 

-2- LAMTUMIRË

A keni parë ndonjë herë një të vdekur!..

Të vdekur , prej ayre të pa vënë nën dhe.

Koka i ngjan me një kafkë të tretur,

Por lëkura i ka mbetur cipë ende mbi të.

Një natë më parë shpirti i fluturoi në parajsë.

Të paktën kështu thonë, në ka qenë shpirt mirë.

Në mes të kishës, nën një shandan rri shtrirë një arkë,

Mbuluar plot me trëndafila të bardhë.

Dy metra thellë nën tokë do ta ketë shtëpinë.

Shpirti bymehet, kërkon të ulërijë.

Nga sytë lot rrjedhin faqeve në qafë,

Duart nuk ngrihen syve t’u përgjërohen.

Kryqëzuar janë, dëgjojnë liturgjinë.

Prifti këndon shpirtrat të lehtësohen,

Njerëzia në heshtje kryqin bën,

AMIN!

Përcjellja e fundit e një jete përtej jetës…

Mërgimi nga një botë në një botë tjetër.

LAMTUMIRË!

-3-C’ËSHTË POEZIA !..

Në poezia s’është ndjenjë…

Në poezia s’është varg..!

Një metafor hyn e del,

Në portë troket si plakë e calë.

Në poezia nis calon,

Si meteorët bien nga qielli.

Se një figurë në yll a hënë..,

Po s’del nga shpirti,

Nuk krijon vargun..!

E nis kritika si dielli i nxehtë,

Për metaforën, figurën letrare.

Vargu calon se është i thatë,

S’ka frymëzim e ndjenjë sociale.

Se ndjenjë e shpirtit nuk luan rol.

Poet i mjerë…duhet teknik.

Të hysh më thellë në shpirt të shpirtit,

Pa metaforë të thon je hic.

Po kush më thotë..!

C’është Poezia që lindur ka në lashtësi.

A nuk është ndjenjë që shpirtrat ndez..!

Zemrën të tret e shpirtrat ngjiz.

Po kush më thotë ..

C’është Poezia!

 

-4-UNË JAM…

Ti… që dridhesh sa herë dëgjon zërin tim të fuqishëm.

E ajrin mundohesh të ma masësh me kubikë.

Ti …që shpresën e fëmijëve degëve të pyllit ke varur,

Si lëmoshën për lypësin që pret në këndin buzë rrugës cdo ditë

E c’je në këtë jetë ti!.. një copë e thepisur shkëmbi,

Që shkëputet nga mali dhe bie në humnerë.

Fytyra jote me pamjen e cakallit, ngjyrën kafe,

Të plagës së vjetër po merr.

Dhe ti cakërdisur, mundohesh të mbash ,

Nën pranga, të ndryshkura pushtetin tënd.

I trembesh zërit tim të fuqishëm,

Dhe grushtit të ngritur që po të godet nëpër dhëmbë.

Hej… filizat duhet të celin dhe rriten në këtë vend.

Në vendin e të parëve tanë që ti ke harruar,

e nuk i përmend më.

Fronit tënd që në ar ke derdhur e shtrëngon fort,

Uji po i kalon nën rrogoz, e po kalbet si rrënjët nën tokë.

Hej.. unë jam ai grushti i fuqishëm që të godet,

Jam zëri që po jehon e do të mbetet  shekujve

në këtë vend.

Unë…Jam POPULLI dhe rrënjët

Nuk mi shkul dot nga ky vend

 

-5- LOTË TË BARDHË

Sa lotë të bardhë kulloi sot qielli,

Mbi olimp rëndoi si gunë e rëndë.

Princesha e akullt nga gjumi u zgjua,

E heshtur fluturoi mbi një kalë të bardhë.

Pyllit shëtiti mbi tokën e thinjur.

Me fustanin stolisur kristale verbuese.

Trokitjet e kalit mbi dëborë të ngrirë,

Si kërcitjejt e drurit zjarrit kur digjen.

Pylli i qetë mundohej të flinte,

Nën kuvertën e shtruar ashtu i përgjumur.

Princesha e akullt ajrin e grishte,

Pemët i qendiste me forma stalaktitesh.

Me buzëqeshjen e ngrirë fytyrës pikturuar,

Ngadalë ulej në prehërin e thinjur të tokës.

Mundohej gjithësinë të puthte , të prekte,

E të depërtonte rrënjëve thellë nëntokës.

 

-6- LIVADHI

Që të krijohet një livadh i tërë,

Duhet farë e mbjellë dhe shumë bletë.

Ylberë me ngjyra, të dalë mbas shiut.

Një qiell ngjyrë blu me hënë të ngrënë.

Që të krijohet një livadh i tërë,

Duhen dhe flutura krahë të shkruara.

Shpirtra të etur, të endur nëpër të,

Dhe një ndjenjë të vetme në dy zemra të gdhendur.

7- NDJENJA  JOTE

Në rrugën e mendimit tënd do të hyj,

Në labirinthet  e ngushta ku ndjenjën tret.

Brenda molekulave të gjakut tënd,

Aty do të fshehem e do të zë vend.

Kur arteriet e tua do të rrahin për mua,

Tëmthat do të pulsojnë, si flegra peshku.

Do ta ndjej, janë rrahjet e zemrës tënde,

Jashtë molekulave do të dal e trembur.

Në burgun tim do të hyj , në burg.

Me ndjenjën time të ndezur flakë.

Aty do të fshehem në një skutë,

Ndjenjën tënde do mbaj të zjarrtë.

-8- HESHTJE

Heshtja ime kaq e rëndë,

Thyen dhe gurët e portës.

Sytë e mi si shpuzë kanë rënë,

Gërryejnë kalldrëmet,

Të ndehura mbi cipën e tokës.

E mendimet më shpojnë,

Trurin tim…

Kjo heshtje më lodh, më bie kokës.

Më ngatërrohen mendimet,

Brenda udhëkryqeve të mia,

E ndaloj në të vetmen pikë,

Që quhet zgjidhje.

Udhëkalimin që quhet heshtje,

Heshtje ….

Atë …heshtje që mbolle ti,

Brenda meje.

-9- MU THYE NATA…

Mu thye nata në dy gjysma,

Rruga e shpirtit, mbeti pa shpresë.

Rrufe që vrerin e mbajnë të mbytur,

Vrapojnë qiellit pa hënë mbi krye.

Yje të fshehura tej galaktikës,

Dritën të zhdukur nën tokë të hënës.

Nata u thye në mes u gris,

Udhë shtegu i hapur qiellit të ngrënë.

10- A KA THINJA DETI VALLË

Shpesh kam pyetur veten time.

Plaket deti!… Thinjet vallë!..

Unë me detin dashuruar,

Kurrë një thinjë nuk ja kam parë.

Zemërimin ja kam ndjerë,

Valëve kur i shkumbon.

Dallgën ngre me oshëtimë,

Dhe drejt bregut nis vrapon.

Ngjyrën blu të thellë të errët,

E kam ndjenjë të përgjëruar.

Perëndimit kur puth diellin,

Xhelozohem, puthjen dua.

A ka thinja deti vallë!..

Pyes shpesh, përgjigje  s’marr.

Zemërimin ja kam ndjerë,

Por dhe dashurinë e marrë.

A ka thinja Deti vallë!…

 

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.