NGA: ZANA TAKO
Nevoja dhe dëshira janë dy ide dhe dy qëllime. Njëra pasqyron gjendjen ku ndodhemi, dhe tjetra volumin e ndjenjës e cila kthehet në dëshirë.
Të ndash këto dy botëkuptime, duhet të njohësh e të mos njollosësh pasqyrën e realitetit, i cili ofron mundësi të vazhdueshme për të mos ndalur edhe kur ndeshesh me vështirësi.
Ndjenja e fuqishme e dëshirës, nuk e udhëheq gjithmonë njeriun drejt suksesit, por ndjenja e lufton dëshirën kur ajo tërheq pas vetes ngarkesë mendimesh, të cilat nuk rikuperojnë atë çfarë na dëmton në vetpërmbajtje.
Kur lufta mes ndjenjës dhe dëshirës bëhet e fuqishme, atëherë njeriu thërret në ndihmë nevojën për të vendosur atë ç’ka është më e mirë për të. Çdo nevojë për të përballuar kërkesa në kohë lufte shpirtërore, ndodh të përplasen me dëshirën, e cila nuk është fjongo që lidh, por qëndron gjithmonë e zgjidhur, sa herë që hendeku ndërmjet dëshirës dhe ndjenjës thellohet, kur nevoja shkëputet në ekzistencën mes qëllimit dhe realizimit të dëshirës.
Në gjuhën e shkruar fjala dëshirë nënkupton brishtësinë e ndjenjës, e cila merr forma të ndryshme sipas kërkesës në zgjedhje. Por në gjuhën e folur fjala dëshirë përkthehet “qëllim në vetvete”, ku si pasojë e zgjedhjes konfliktojmë qëllimet tona, pasi jo çdo zgjedhje ka vlerën e mirësisë.
Njeriu nuk është qenie e komplikuar në krijim, por bëhet e tillë kur ndërthur pa qëllim ndjenjë dhe dëshirë, nevojë dhe zgjidhje. Këto konflikte shpien në rrugë të pazgjidhshme kërkesat dhe qëllimet e çdo krijese që mendon, krijon dhe vepron në ekzistencë.