Nëse një ditë do të më shohësh të vjetër…

0

Plakja është një proces natyror i pashmangshëm që nuk kursen asnjë gjallesë. Periudha e moshës së thyer ose pleqëria asociohet me sëmundjet, dobësimin, humbjen e fuqive, energjive, kujtesës etj. Në këtë mënyrë, të jetuarit e një pleqërie të shëndetshme shndërrohet në një ankth për individin, familjen, dhe për të gjithë shoqërinë. Për të arritur në një mplakje të shëndoshë është e nevojshme të tregohet vazhdimisht kujdes për shëndetin trupor dhe mendor. 1 Tetori me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është shpallur si Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve. Kjo ditë është ditë nderimi për sakrificat e tyre dhe kontributin e dhënë për familjen dhe shoqërinë në tërësi. Shënimi i saj promovon mbrojtjen e të drejtave njerëzore, rritjen e cilësisë së jetës dhe mirëqenies së të moshuarve.Kjo ditë risjell në fokus të shoqërisë apelin për më shumë mirëkuptim e mbështetje ndaj moshës së tretë. Qëllime të rëndësishme të saj janë gjithashtu, ndërgjegjësimi për çështjet që prekin të moshuarit të tilla si; abuzimi me ta. Nga ana tjetër dhe besimet fetare luajnë rolin e tyre pozitiv duke na këshilluar se të moshuarit duhet të nderohen maksimalisht nga të gjithë. Dashuria dhe respekti i shprehur përmes fjalëve të mira, përkushtimit e përkujdesjes u fal atyre kënaqësinë më të madhe në moshën e pleqërisë. E teksa politikanët mbajnë fjalime e japin premtime, shumë të moshuar nuk mund të marrin kujdesin e duhur shëndetësor, sasinë e mjaftueshme të medikamenteve, ushqimeve etj. Madje ka dhe nga ata që s’kanë një çati mbi krye. Të moshuarit bien herëpashershëm pre e dhunës ekonomike, e cila shfaqet në formën e vjedhjeve, përvetësimit të padrejtë të parave apo sendeve me vlerë, nëpërmjet mashtrimit dhe manipulimit të tyre. P.s.: Shumëkush prej jush të dashur lexues, e njeh përmbajtjen e letrës në vijim, në mos qoftë kështu, atëherë le të gjejë mundësinë që t’i kushtojë pak minuta këtij testamenti shpirtëror, që qarkullon si një amanet mes brezash, i cili meriton t’i përulemi thellësisht. Letër e një babai (të moshuar) birit të tij Bir i dashur ! Nëse një ditë do të më shohësh të vjetër: nëse bëhem pis gjatë të ngrënit dhe nuk arrij të vishem, ki durim! Kujto kohën kur unë kaloja duke të mësuar ty. Nëse kur flas me ty përsëris gjithmonë të njëjtat gjëra, mos më ndërprit. Më dëgjo! Kur ishe i vogël duhet të të tregoja çdo natë të njëjtën histori deri sa të zinte gjumi. Kur nuk dua të lahem mos më ofendo e mos më turpëro. Kujto kur duhej të të gjëmoja nga mbrapa duke gjetur justifikime se ti nuk doje të laheshe. Kur të vëresh injorancën time mbi teknologjinë e re, më jep kohën e duhur dhe mos më shiko me atë buzëqeshje ironike. Kam patur gjithë atë durim për të të mësuar ABC-në. Kur për ndonjë moment harroj apo humb fillin e diskutimit, më jep kohën e duhur për t’u kujtuar dhe nëse nuk arrij, mos u bëj nervoz. Gjëja më e rëndësishme nuk është ajo që them, por nevoja që të jem me ty dhe të të kem pranë tek më dëgjon. Kur këmbët e mia të lodhura nuk më lejojnë të ndjek hapat e tua, mos më trajto si të isha një peshë e rëndë për ty, po eja drejt meje, me duart e tua të forta ashtu siç unë bëra me ty, kur hodhe hapat e para te jetës tënde. Kur them ndonjëherë më mirë të isha i vdekur mos u mërzit. Një ditë do ta kuptosh çfarë më shtyn ta them këtë gjë. Mundohu të kuptosh që në moshën time nuk jetohet, por mbijetohet. Një ditë do të kuptosh se pavarësisht gabimeve te mia, gjithmonë kam dashur më të mirën për ty, kam dashur të t’i qartësoj gjërat dhe jo të t’i vështirësoj ato. Më jep pak nga koha jote, me jep pak nga durimi yt, më jep një shpinë ku të mbështes kokën në të njëjtën mënyrë siç bëra unë me ty. Më ndihmo të eci, më ndihmo t’i mbaroj ditët e mia me dashuri dhe durim.Në shkëmbim do të të jap një buzëqeshje, dhe dashurinë e pafundme që kam dhe do të kem për ty…

Nga: Gladiola Jorbus

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.