NGA :ZANA TAKO
Thonë se faji është jetim, e jetimin nuk e do askush.
Origjina e fajit është mëkati, por mëkatarët thonë se nuk janë fajtorë, e kur u kërkohet të qëllojnë me gurë mëkatarin, nuk guxojnë. Guximi i tyre matet me pabesinë, e cila i ngre kurthe shpirtit, duke e futur në udhë pa krye.
Në mendjen e fajtorit mbillen dyshime për drejtësinë, e këto dyshime janë fijet që e tërheqin shpirtin drejt mëkatit.
Papastërtitë nuk janë gurë diamanti, të cilat fajtori i quan si pasuri të vetvetes. Fjalët e fajtorit zënë në kurth mendjeprishur në udhën e mëkatit. Bashkëpunëtorë të fajtorit, bëhen ata që lypin drejtësi skutave të errëta, ku ndyhet mendja nga premtime rrenacake.
Fajtori nuk ta tregon udhën e drejtë por ta fsheh atë. Fshehja nuk është gjymtyrë, por godet njësoj si gjymtyra.
Të qëndrosh i fshehur nën hijen e fajit, është si të qëndrosh nën shi i mbrojtur nga një çadër e grisur. Faji nuk është gur, por bëhet i tillë duke të mbytur në detin e papastërtisë, i cili nuk ta zbardh faqen por ta nxin atë.
Jemi të pafajshëm, apo fajtorë që nuk e pranojmë mëkatin?