Kënga e famshme “Gryka e Kaçanikut”, e shkruar në ato vite të trazirave në Kosovë dhe e kënduar nga grupi popullor i Radio Shkodrës gjatë një turneu në Kosovë, shumë shpejt u bë e famshme në shkallë kombëtare dhe konsiderohej si një himn i patriotizmit dhe i qëndresës shqiptare në shekuj kundër pushtuesve turq. E kënduar në ato vite delikate ajo i shërbente rezistencës dhe lëvizjes në Kosovë kundër qëndrimeve antishqiptare serbe.
Kjo këngë ka për autorë dy krijues shkodranë, që i kanë dhënë shumë kulturës, artit e muzikës shkodrane e shqiptare. Ajo ishte frut i bashkëpunimit të kompozitorit e violinistit të famshëm, Artistit të Populit PJETËS GACI dhe gazetarit e poetit PAULIN SHTJEFNI. Frut i këtij bashkëpunimi ishte edhe kënga tjetër e bukur popullore me titull “Ky marak”.
Pjetër Gaci u nda nga jeta në atë moshë kur ishte ende në kulmin e energjive të tija krijuese dhe po i jepte shumë këngës e muzikës shkodrane e asaj shqiptare. Paulini i dedikoi atij një monografi, në të cilën kam patur nderin e kënaqësinë të jem redaktor.
Me Paulinin më ka lidhur një miqësi më shumë se 40-vjeçare. Më parë isha njohur me vëllanë e tij, të ndjerin Tonin Shtjefni, që kur ishim studentë në degën e gazetarisë, kur punonim bashkë për gazetën “Studenti”, ku ai ishte kryeredaktor e më vonë në gazetën “Zëri i rinisë”. Me emërimin tim në Shkodër u njoha me familjen e nderuar Shtjefni, ku u bëra gati si një anëtar i saj. Baca Kolë, burrë fisnik, shumë i mençur e me një kulturë të gjerë, ishte figurë e historiografisë, e kulturës popullore dhe sidomos e folklorit dhe kostumografisë popullore. Ai i njihte më mirë se kushdo tjetër kostumet popullore deri në detajet më të imta dhe ishte ai përzgjedhësi i kostumeve të ansamblit përfaqësues të Shkodrës në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Ka shkruar dhe u ka lënë lexuesve një sërë librash nga fushat në të cilat ai paraqiste interes dhe kishte njohje të thellë.
Në këtë rrugë ecte edhe Paulini. Pikërisht atë vit që unë filloja punë si redaktor në gazetën “Jeta e re” të Shkodrës, ai filloi si redaktor në Radio Shkodra. E filloi midis nesh një miqësi e bashkëpunim që do të vazhdonte për më tepër se katër dekada. Paulini ishte njohës i mirë i muzikës, madje i binte edhe violinës. Kjo njohje bënte që bashkëpunimi i tij me kompozitorët shkodranë të ishte i suksesshëm, sidomos në festivalet e këngës për fëmijë, qoftë ai lokal, apo edhe festivali kombëtar i fëmijëve që bëhej gjithnjë në qytetin e Shkodrës. Në 19 festivale kombëtare ai ka qenë redaktor i teksteve, ka marrë pjesë me tekstet e tij, të cilat shpesh herë kanë fituar çmime të para e të dyta. Duke qenë njohës i mirë i muzikës e partiturës, ai dinte ta gjente menjëherë theksin e fjalëve që ato të shkonin në harmoni me melodinë muzikore e kjo bënte që kompozitorët ta kërkonin bashkëpunimin e Paulinit. Nga ana tjetër Paulini, që kishte punuar disa vite si mësues, e njihte mirë botën e fëmijëve, dinte të kapte motive të bukura e domethënëse nga jeta e tyre dhe ato i hidhte në vargje që shumë shpejt ktheheshin në këngë të pëlqyeshme për publikun e sidomos për fëmijët.
Dje më erdhi lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta të Paulinit. Sot Shkodra i jep lamtumirën birit e krijuesit të saj të njohur. Në këtë hidhërim e ndjej veten pranë familjes Shtjefni, edhe për faktin se vetëm pak kohë më parë ishte ndarë nga jeta edhe bashkëshorttja e tij, Terezina, një zonjë me cilësi shumë të larta njerëzore si njeri e si bashkëshorte, si mësuese e si qytetare.
Krijues të tillë, edhe pse u nënshtrohen ligjeve të natyrës, mbeten përherë të gjallë me emrin e mirë dhe me veprën që lënë pas.
Vargjet e tij të muzikuara nga Pjetër Gaci do të rrjedhin përjetësisht si gurra jo vetëm Grykës së Kaçanikut e gjithë trevave kosovare, por kudo ku ka shqiptarë nëpër botë, të cilëve këngë të tilla bëjnë t’u gufojë zemra nga malli dhe dashuria për Atdheun.
Nga: Ndue Lazri