Të nderuar zonja e zotërinj, adhurues të krijimtarisë sime muzikore,
Ndiej kënaqësi të veçantë të Ju njoftoj se dje, më 12 korrik 2022, pata nderin që nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, shkëlqesia e tij, Zoti Ilir Meta, të marr titullin “Mjeshtër i madh”, siç thekson ai, në vlerësim të kontributeve të çmuara si krijues dhe interpretues i shumë këngëve e melodive popullore të trevës së veriut, për ç’gjë i jam shumë mirënjohës dhe e falënderoj nga zemra. Falënderoj edhe organizatorët e ceremonisë së ndarjes së këtij titulli, në krye me biznesmenin, Zotin Agron Çelaj, i cili dha ndihmesë të madhe që i gjithë ky proces, të realizohet me sukses. Falënderoj edhe të gjithë ndjekësit e mi besnikë, pa të cilët do të ishte e pamundur të arrij këtë që kam arritur në artin muzikor. Këtë titull, ashtu si edhe tiullin “Mjeshtër i merituar”, të ndarë kohë më parë nga Presidenca e Kosovës, i konsideroj si vlerësim të lartë dhe ua dedikoj të gjithë atyre që më kanë mbështetur dhe kanë vlerësuar punën time shumëvjeçare. Dua po ashtu të theksoj se ky titull nga institucioni më i lartë i shtetit shqiptar më nxit dhe më motivon që edhe në të ardhmen të angazhohem me të gjitha forcat e mia që të jap kontributin tim modest artit muzikor shqiptar.
Me respekt e dashamirësi i juaji
Nikollë Nikprelaj