Ndahet nga jeta poeti dhe kineasti Petrit Ruka

0

Është ndarë nga jeta në moshën  67 vjeçare poeti dhe kineasti i shquar Petrit Ruka.Petrit Ruka ka lindur në Tepelenë më 21.08.1954.  Ai ka kryer studimet e larta për Gjuhë Letërsi Shqipe dhe studimet pasunuversitare pёr dramaturgji filmike, Akademia e Arteve të Bukura, Tiranё 1985 – 1986.Ka punuar si pedagog nё Shkollёn e Mesme tё Pёrgjthshme, Tepelenё.1976 – 1984. Skenarist dhe regjisor. Kinostudio “Shqipёria e Re” dhe Alba Film Studio.Tiranё.1986 – 1996. Drejtor nё Teatrin Kombëtar të Fëmijëve. Tiranё 2000 – 2000. Kryetar i Qëndrës Kombëtare Kinematografike Shqiptare 2000 – 2005.

Ai la pas një sërë veprash si:

  1. “ Rinia ime” vёllim, poezi, 1978.
  2. “ Atdheu fillon tek zemrat” vёllim, poezi 1983
  3. “ Mirupafshim, hënë e vendlindjes!” vёllim, poezi, 1990
  4. “ Vërtitu, Kokë e prerë!” vёllim, poezi, 2000.
  5. “ Në zemër bie shi…” vёllim, poezi, 2003
  6. “Shtatë mijë shirat e mi” poezi të zgjedhura, 2008
  7. “Kalorësi mbi det“ esse monografike për Kadri Roshin 2009

Ka realizuar me shume se 30 vepra kinematografike si skenarist dhe regjisor.

Poezi nga Petrit Ruka
 
E SHKRETA, NËNA IME!
E shkreta, nëna ime,
tre ditë e tre netë në koma,
vdiq në një nga datëlindjet e mia…
Shuhej e shuhej zemra në ekranin mbi kokë,
mbajtur me rrjeta tubash plastike.
s’i dilte më tërë oksigjeni i gjithë botës
Ajo, lutej të shkonte,
ne se linim të ikte.
Binin vijëzat e shpirtit, të kaltra, në ekran,
drejt zeros bursa e jetës së saj
në bisht të grafikut,
vëllai im biolog, i studiuar Parisit,
ia dorëzonte një nga një titujt  panikut…
Ç’të bëjnë më mjekët me përzierje kimikatesh,
vrapojnë drejt meje – ilaçi i fundit,
i vogli i nënës.
Unë hyj sërish që t’u dhuroj ca minuta,
po unë s’jam mjek, ia lë në dorë zemrës.
Ulem pranë saj, nuk di çfarë i flas,
ajo lëviz qepallat nën maskën plastike,
“Kozmonautja ime, o nënë, ku shkon,
kam frikë të ikësh
në ato fundbotrat kozmike.
Të lutem Nën-o, kam frikë pa ty,
dhe zë i tregoj si më lindi një nate,
dua ta prek aty ku s’duron?
Apo tani ta lind unë
përmes një lëngate?!
Të kujtohet i them, kur Havaja e Kuçe
ma preu kordonin me dhembë,
s’iu ndodh gërshërë,
kur të piva gjirin dhe bota u përsos,
se bota për ty akoma s’ish bërë?!
Dhe shoh se si vijëzat në ekranin e kaltër
ngrihen,
si valëza e Vjosës nga era,
shqyejnë sytë profesorët që kohë kanë fituar
përziejnë kimikate të tjera…
E shkreta nënë, tre netë në koma,
me lutjet e mia
u mbajt e kandisur.
Pastaj u lodh e m’u lut; “o bir!
“Më ler të shkoj andej nga jam nisur.
Ma pre këtë kordon ajri që bie,
drejt e nga mushkritë e tua,
o djalë,
dhe unë nuk doja
të të nxirrja prej barkut
po ti hidhje shqelma për botën e gjallë.”
…….
Në koridor me mjekun, aty sy më sy,
u pamë tërë një jetë ….
vendosëm për Po!
Nisu astronomia ime e bukur drejt yjeve
Digj lotët e mi për t’u ngjitur ku do…
Kujdes mos të digjen ato gërshetat e mbetura
sa gishti im i vogël, nën vesh.
Kudo që të shkosh,
kësaj datëlindjeje që ike,
përpara do më gjesh…
E di përse ike në ditën që më linde,
deshe të më lindje dy herë.
Në fakt unë të linda ty prej një kënge
kordonin e saj duke prerë…
 
Tiranë, 21 gusht 2002- 21 gusht 2015

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.