Mos hesht!

0
  • Kësaj rradhe  në  rubrikën tonë  “Fjala Poetike” vjen  një poete  që thyen heshtjen.ndaj jo më  kot Kozeta Zavalani  ka cituar:”Liria dhe përparimi, nuk kanë lindur nga heshtja”
    Hillary Clinton
  • Nga : Kozeta Zavalani
  • Mos hesht!

“Liria dhe përparimi, nuk kanë lindur nga heshtja”
Hillary Clinton
Pse nuk flet?!
Heshtur mos rri, o njeri!
Rrugëve të botës pa asnjë liman, mos u end!
Rrugëve të shpirtit bërtit, me fjalën që shemb!
Mos hesht, zhytur në humnerat e heshtjes,
Pa thënë asnjë fjalë!
Mos e lerë errësirën, të vrasë dritën!
Kështu, as vetë nuk e di,
Nëse ke vdekur apo je gjallë?!
Në pellg të shpirtit, qiellin thyeje si qelq!
Hidhe tutje kryqin e rëndë që mban mbi shpinë!
Por, mos braktis çdo shpresë!
Sepse edhe muzgjet ndër vegime
Ëndrrën nga gjumi nuk ta zgjojnë!
Nxirre fjalën, bërtit!
Mos e mbaj si hallkë, të kapur në pranga!…
Fjala, të mban gjallë o njeri!
Kozeta Zavalani ©

  • Mirëseardhe Korrik!

Unë fjeta si çdo natë dhe u zgjova si çdo dit’
Ashtu sikurse Krishti, vdes e ringjallet çdo vit.

Mbrëmë edhe Qershori fjeti e për këtë vit vdiq
Ndërsa pemët lulëzojnë në fushën e gjelbër
Ajri i nxehtë sillet lart e poshtë si i verbër.

Mirëseardhe Korrik, këtë mëngjes të përshëndes!
Ndonëse nuk më pëlqen ky muaj
Sepse më bën të ndihem në atdhe si e huaj.

Ndaj valiçen e mbaj gati e dua të ik
Larg Tiranës sonë, ku ajri të mbyt
Majë kodrinash me gjelbërim
Apo erëdallgëve të detit, ku shpirtin të flladis.

 

-Zgjedh metafora për çdo stinë.

 

Larg etheve të lehjeve që ma lëndojnë ditën

shfletoj historinë që rri si ndërgjegje e plagosur,

strukem fletëve, mes librave gjunjëzohem

derisa mes faqesh lëshoj spirancat e etjeve.

Lermëni të mat vetveten në pranverë

nën rritmin e hapave të lodhur

Duke pastruar në ajër dashuri të mykura,

mes metaforash që lehin si qen i ngordhur.

Si lypsare kërrusur mbi dy gjunjtë

Në lutje të vazhdueshme për jetën

Mëngjesit që pres me shekuj

I zgjas duart për përqafim.

Pëllëmbët mbeten zbrazur

e gishtat mbeten shtrirë

Mbi shiun e pranverës pa gjethe

Zgjedh metafora për çdo stinë.

 

 –Toka ime!

Kanë thënë se këtu

Është më e ëmbël balta,

Se mjalta…

Por nuk kanë thënë se

Edhe shpresat humbin

si në trekëndëshin e Bermudeve,

nëpër stacionet,

që presin e përcjellin dhimbjen,

plot ikje e ardhje, lamtumira…

Toka ime,

ku shikimiet e njerëzve thyhen

e humbasin bashkë me shpresat,

në një mister.

Mbetet vetëm ideja e braktisjes,

sepse njerzit në shumicë,

nuk mund të mbijetojnë me paga kaq të vogla,

në këtë krizë të thellë.

Stinët ikin të penduara!

Ndoshta edhe ato kërkojnë një fat më të mirë,

një vendstrehim ku të gjejnë prehje shpirtërore,

një vend ku njerzit të jetojnë për të shpresuar!

 

 

  • Jetoj

 

Mendimi humbur në stuhitë e shpirtit,

ndez thëngjijtë pranverës që frymon,

nën tingujt e pëshpëritjes së pemëve,

varur në shkëlqimin surreal që na rrethon.

Asnjë çast nuk merrem me dhimbjen.

Shtretërve të yjeve, vë të flejë trishtimin.

Gëlltis krenarinë time rrënojave.

Braktisur brenda peizazheve të mendimit.

Tek endem nëpër kthina mërgimesh
Malli veshur nëpër ëndrra shtegëtimesh
Strofat pa rimë derdhur trishtimit
Si lumë, luginës sime të zemërimit!

Përgatitem për një udhëtim të ri.

Ajrit ngopur me forma kaosi absurd,

ku grimca drurësh rinovojnë kulmin e tyre,

për të rilindur brenda tempullit Askund.

Pritja e zgjatur zvarrit hijen në hapat e heshtjes.

Lodhur nga kurthet e fatit, humb në zbrazëti.

E palumtur me atë që më është dhënë.

Jetoj për sot, sepse nesër, nuk e di…

Kozeta Zavalani © All Rights Reserved

 

 

 

 

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.