25 qershor 2021/Françeska Ndoja/Porta Vendore/Shkodër
Simboli i Shkodrës, Kafja e Madhe do restaurohet dhe vitalizohet nëpërmjet një projekti të vetë pronarëve. Ndërtesa madhështore, monument kulture, ishte lënë prej vitesh në harresë, ndërsa ekspertët japin alarmin dhe për monumente të tjera. Disa prej atyre që janë lënë në harresë janë edhe varri i arkitektit Kolë Idromeno, ose “Kulla e Inglizit”.Kafja e Madhe njihet si simboli kryeqendrës së Veriut, Shkodrës. Pikërisht ky vend ishte për dekada me radhë shtëpia e elitës shkodrane. Një ndërtesë madhështore për Shkodrën, me një stil austro-hungarez, Kafja e Madhe ishte pikë takimi i shkrimtarëve, emrave të njohur të artit, muzikantëve dhe shumë qytetarëve shkodranë. Ishte një vend luksi në Shkodrën e fillim shekullit XX, ku organizoheshin teatro, ballo dhe luhej muzikë moderne. Për diplomatët ishte vendi i vetëm ku ata mund të ndiheshin si në perëndim, në një vend që kishte qenë nën sundimin otoman për pesë shekuj.Kafja e madhe, një dhuratë që piktori Kolë Idromeno i la vendlindjes së tij, nuk diti ta ruante lavdinë e dikurshme. Ndërtesa ishte aq e njohur saqë austriakët në vitin 1914, pasi u larguan nga Shkodra, foton me Kafen e Madhe e shtypën në kartolina.Por fatkeqësisht, pas rënies së komunizmit, ndërtesa historike u la në harresë dhe në degradim total.E kush do ta mendonte një harresë të tillë që çdo qeveri i bëri simbolit të Shkodrës, vendit ku takoheshin dhe diskutonin Asdreni me Lasgushin, apo Dom Nikoll Koliqi me Tefta Tashkon. Çdo pushtet ndër vite mbylli sytë dhe nuk deshi të dinte mbi këtë simbol që dikur shkëlqente Shkodrën.Familja Ashiku donte të investonte në infrastrukturën e mirëpritjes së vizitorëve, prandaj i kërkoi arkitektit të njohur Kolë Idromeno të skiconte një vend për t’i pritur ato. Menjëherë artisti Idromeno filloi punën dhe përgatiti skicën, e cila edhe sot gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit.Me të përfunduar ndërtimin në vitin 1920, Kafja e Madhe filloi të frekuentohej jo vetëm prej të huajve, por edhe prej shkodranëve, duke u kthyer në strehën e pikëtakimeve. Ndërtesa ndahej në dy kate, ku i pari kishte ambient të madh me kapacitet deri në 200 persona dhe 50 tavolina. Vend me një joshje të veçantë për të huajt, të cilët nuk kalonin asnjëherë pa u ndalur. Në katin e dytë ishin 9 dhoma gjumi dhe dy banjo të përbashkëta, ku turistët apo të huajt që vinin për punë kalonin ditët.Në vitin 1920, Ndoc Luka, konsulli i Italisë në Shkodër, e bleu Kafen e Madhe. Me vdekjen e tij, gjithçka i kalon së bijës e cila martohet me Muzale që trashëguan atë godinë.Në 1960, me vendim të Ministrisë së Kulturës, Kafja e Madhe shpallet “Monument Kulture”. Me ardhjen e demokracisë në vitet ’90, godina duhej t’u kthehej pronarëve. Nga një që kishte qenë shumë vite më parë, tani kishte shumë trashëgimtarë të rinj, të cilët nuk ranë dakord për ta ndarë, e për këtë arsye, ajo mbeti e braktisur dhe askush nuk u kujdes për të.
Shkodranët presin me padurim rilindjen e Kafes së Madhe, presin me padurim që të kujtojnë atë krikun me birrën e ftohtë në netët e nxehta që kaplojnë hera-herës Shkodrën.Ndërsa tani ka nisur puna nga vetë pronarët që duan t’i rikthejnë dinjitetin Kafes së Madhe duke e kthyer atë në atë që ka qenë dikur, por tanimë si një biznes të mirëfilltë, ku do të ketë restorant, bar, hotel dhe një muze që do të rrëfejë më shumë mbi Kafen e Madhe.Agron Çela është një nga pronarët e Kafes së Madhe, teksa rrëfen për Portën Vendore me nostalgji punën e tij të parë në të.“Unë 18 vjeç, kam punuar në Kafen e Madhe dhe kam nostalgji për ato vite si gjithkush kur kujton moshën e rinisë, kur kujton ato kohna, atë xhiro, atë piacën e bukur, të lulëzume, të kënaqur. Ato njerëz që kishin dëshirë me dhuru jetësi, dashamirësi, muzikë, harmoni. Kafja e Madhe këtë i krijonte Shkodrës, i jepte shumë dashuri. Mu më kujtohet rreth vitit ’87 , me shumë respekt më ofrohet një vend pune tek Kafja e Madhe. Ishte një dhuratë e madhe për çdo të ri, një andërr në atë kohë. Për gjashtë muaj, mbaj mend shumë figura, njerëz të nderuar, njerëz të artit, të kulturës, gazetarë të ndershëm, të cilët e kanë frekuentu Kafen e Madhe”, thotë ai teksa kujton rolin që luajti ky monument kulture në jetën e shkodranëve.
“Kafja e Madhe ishte një shtëpi e madhe, një vend ku njerëzit edhe Shkodra u dashuronte pas saj, sepse u dashuronin të rinjtë pas Kafes së Madhe, aty u njihnin çiftet e reja, ku janë lidh shumë familje, kanë lulëzu shumë familje, shumë të suksesshme dhe të nderuara të Shkodrës”, shprehet Çela për Portën Vendore.Belma Çela, investitore dhe njëkohësisht pronare e këtij objekti historik, tregon më tepër detaje nga projekti. “Personalisht, kam qëndruar afër një skuadre, inxhinierësh, instruktorësh dhe arkitektësh që morën pjesë në zhvillimin e këtij projekti. Sigurisht Kafja e Madhe vjen me një projekt shumë ambicioz. Nëse në fillimet e hershme të saj, aktualisht edhe tani i referohemi një sipërfaqe ndërtimi prej 780 metër katrorë, aktualisht projekti i ri zhvillimor i këtij monumenti kulture do të jetë me një referencë mbi 4000 metra katrorë, duke e pasuruar atë në shumë shërbime. Pra, duke përjashtuar fillimisht idenë e të shërbyerit thjeshtë si një kafe dhe duke e vitalizuar atë me asete që vetë koha i kërkon”, shprehet zonja Çela.Aktualisht, Kafja e Madhe është në proces restaurimi, ku do të ketë sërish të njëjtën strukturë të saj si vite më parë, e do të mbetet me dy kate.“Do të jenë restorantet, sallat e eventeve dhe rreth 24 dhoma që do të përfaqësojnë një standard butik në raport me hotelerinë. Kafja e Madhe meriton një vëmendje të jashtëzakonshme, është dashuria e Shkodrës. Kemi vendosur 2 apo 3 suita presidenciale, të cilat do të jenë të destinuara për kërkesa specifike, gjithmonë duke ruajtur arkitekturën që Kolë Idromeno ideoi fillimisht për këtë objekt”, rrëfen pronarja e Kafes së Madhe.Prej vitesh në pritje, shteti nuk bëri asgjë për rikonstruksionin e këtij objekti, duke detyruar në një farë mënyre vetë pronarët që ta hidhnin këtë hap.“Në kuadër të ruajtjes së arkivit në raport me aktivitetin historik të Kafes së Madhe, ne si pronarë kemi menduar të krijojmë një mini-muze, për sa i përket të gjithë historisë dhe aktivitetit të njerëzve, të frekuentuesve, të autoriteteve, të qytetarëve të thjeshtë , i cili do të përkoj me kujtesë në brezat që vijnë në raport me vlera historike”, përfundon ajo.
Para se të quhej “Kafja e Madhe”, godina pati tre emra: Quhej Kafe “Adriatik”. Më pas u quajt Kafe – Hotel “Park” dhe në fund, me ardhjen e malazezëve “Grand Hotel Savija”. Por prej të gjithëve ruajti dhe kujtohet me emrin Kafja e madhe.Ndërsa Helidon Sokoli, arkeolog në Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Shkodër, thotë për Portën Vendore se janë të shumta monumentet në rrezik në Shkodër. “Përsa i përket restaurimeve ai nuk quhet më i tillë kur 70-80% e godinës shembet. Tek Kafja e Madhe po bëhet rindërtim, pasi vetëm faqja ballore e godinës është lënë në këmbë. Ai zotëria për objektin që do të zhvillojë e ka marrë lejen që në vitin 2016 nga Këshilli i Restaurimeve, afati i saj është 2 vite, por megjithatë fakti që kjo leje duhej aplikuar nuk e pengon pronarin e pronës me e zhvilluar objektin me një leje të vjetër. Normalisht që investitori duhet të sjell me shkrim njoftimin për nisjen e punës edhe tek drejtoria jonë, por kjo gjë deri më tani nuk ka ndodhur. Ne po jetojmë në një sistem që respektohet prona, dhe kjo shpesh herë ka sjell amortizimin e objekteve, pasi pronarët nuk kanë pasur dakordësi dhe kanë pasur konfliktet e tyre çka kanë sjell rrënim të monumenteve të shumta, kryesisht flasim këtu për banesa të ndryshme me vlerë për restaurim dhe rikonstruksion”, tha arkeologu për Portën Vendore.Në harresë duket se është lënë edhe figura që sot Shkodra i detyrohet shumë, arkitekti Kolë Idromeno, varri i të cilit është monument kulture dhe është i ngritur në varrezat e Rrmajit në Shkodër. Kjo nuk ka pasur aspak vëmendjen e Ministrisë së Kulturës dhe dita-ditës po shkon drejt degradimit. Restaurimi i këtij varri u bë shumë vite më parë, por ishte një punë e cila nxori shumë shpejt në pah dëmtimet e tij.Amaneti i fundit i Idromenos ishte ky varr , ndërsa engjëlli mbi këtë varr është punim i tij personal. Nuk duhet harruar fakti që kolosi i pikturës dhe arkitekturës punoi fort për Shkodrën, duke i falur pedonalen që sot mban emrin e tij, Kafen e Madhe e shumë vepra të tjera me vlerë.“Idromenoja i cili na dhuroi pedonalen dhe shumë projekte të tjera interesante me të cilët ne mburremi , nuk gëzon respektin dhe autoritetin që duhej të kishte. Me çdo kusht duhet dikush t’a marr seriozisht këtë punë edhe të çoj në vend dinjitetin e artistit të madh, i cili është Da Vinci shqiptar”, shprehet skulptori Ferid Kola për Portën Vendore.
Në kryeqendrën e veriut ka mjaft monumente të kategorisë së parë dhe të dytë të cilat janë simbole me vlera të këtij qyteti por të cilat nuk kanë pasur interesimin e duhur nga institucionet e Shkodrës.
Një nga këto që po shkon drejt zhdukjes është edhe monumenti më emblematik i qytetit të Shkodrës “Kulla e Inglizit”, apo siç e quajnë shkodranët “Sahati i Inglizit”. Ky atraksion turistik i jashtëzakonshmë është lënë jashtë vëmendjes nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, një monument shekullor i trashëgimisë kulturore në kryeqendrën e veriut, që dita- ditës po degradon.
Ervin Gjini ish drejtori i DRKK Shkodër dhe ish anëtar i Këshillit kombëtar të restaurimit i tha Portës Vendore së rëndësia e kësaj ndërtese është tejet e veçantë dhe është mëkat që është lënë në këtë gjendje.“Sahati i Inglizit quhet kështu sepse porositësi i saj (chateau) ishte Lordi Paget. Një personazh që erdhi në fund të ekzistencës së Perandorisë Osmane, fillimisht si gjuetar e tregtar antikuaresh por pastaj me qëllimin e përhapjes së protestantizmit. Kjo bëri që autoritetet fetare në qytet të alarmoheshin dhe është historike lidhja mes minares së xhamisë së Fushë Çelës dhe kompanjelit të Kishës Françeskane. Duke mos parë ndjekës dhe mundësinë për përhapjen e liturgjisë anglikane, u largua përfundimisht nga këtu. E bëra më parë këtë hyrje historike për të treguar se ajo çka mbetet nga Chateau Paget (sepse një pjesë është rrënuar), është dëshmi e një arkitekture të tipit anglo sakson me një misturë orientale. Gjithashtu është dëshmi e tentativës së parë (edhe pse e dështuar), për të krijuar një bërthamë protestante në Shqipëri. Kulla vetë u fillua si kullë këmbanore por u shndërrua në një sahat kullë”, rrëfen Gjini mbi historinë e këtij objekti.Objekti është i ndarë në dy seksione: pjesa e prishur që ka pronarë të ndarë nga pjesa qendrore dhe kulla, dhe pjesa qendrore, që për një kohë të gjatë ka qenë muzeu historik i qytetit, ndërsa tani shërben si bar/lokal.Disa herësh ka patur ndërhyrje restauruese nga atelieja e monumenteve dhe pastaj drejtoria rajonale e monumenteve duke mos e lënë që të shkatërrohej. Meqë është në qendër të qytetit, është një pronë e lakmueshme për zhvillim dhe ndërtim, por statusi i monumentit ka frenuar pretendimet e shumë kujt.“Në 2005, sipas studimit të qendrës së qytetit, u projektua nga studioja e projektimit që u mor me këtë studim, një objekt 5 katësh në formë harku, me xhama pasqyrë, që do të pasqyronin kullën. Nisja në afërsi pa ruajtur distancat ligjore të ndërtimit, bëri që të ketë çarje në strukturë. Pasi u ndalën punimet, u hartua projekti i restaurimit të të gjithë objektit”, thotë ai për Portën Vendore duke nënkuptuar faktin që ky projekt mbeti thjesht në letra pasi nuk u vu kurrë në zbatim, madje këtë e dëshmon me sy të lirë çdo kush që kalon aty pranë.Ndërsa burime nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër i thanë Portës Vendore, se përsa i përket restaurimit, pronësia e shumëfishtë pengon në zhvillimin e projektit, pasi sipas ligjit pronarët duhet të hedhin një pjesë të shumës së preventivit.
Porta Vendore kërkoi informacion pranë Bashkisë lidhur me buxhetin e planifikuar të vitit 2021 për rikonstruksione të monumenteve të kategorisë parë dhe të dytë .
“Në buxhetin e Bashkisë Shkodër për vitin 2021 janë parashikuar fonde për mirëmbajtjen e rrjetit muzeal, të cilat administrohen nga Bashkia Shkodër .
Rrjeti muzeal nën varësi të Bashkisë Shkodër përfshin institucionet e mëposhtme:1. Banesa “Oso Kuka”, 2. Muzeu i Kështjellës , 3. Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës prej të cilëve, vetëm Banesa “Oso Kuka” gëzon statusin e muzeut të kategorisë A në vetëm 2 dhomat e tij , konkretisht a) një dhomë me tavan me kënde të gdhendura b) një dhomë tjetër me tavan me kënde të gdhendura , të cilat janë objekt i ligjit për trashëgiminë kulturore dhe ku Bashkia Shkodër nuk mund të ndërhyj pa lejen e Monumenteve të Kulturës”, shprehet bashkia në përgjigjen zyrtare referuar Portës Vendore, duke shtuar se “ Në kuadër të financimit për objektet e trashëgimisë kulturore në varësi të Bashkisë Shkodër , ju bëjmë me dije që çdo mirëmbajtje e tyre, realizohet me fondet e Bashkisë Shkodër”, tha ky institucion ndërsa thekson se nuk është ndihmuar nga fondet e Ministrisë së Kulturës për ndërhyrje në monumentet e Kulturës.