Nga : Zija Vukaj
“O Tarabosh i mnertë, ndêja hyjnore,
Ku e rrebtë rrufenat Fromboja farkote,
E e perzemruem, qyteteve mizore
Pshtjellë me shtergata e bubullimë i lshote.”
“Scodra”, N. Mjeda
Këto kohët e fundit e kam përshëndetur si kurrë më parë Taraboshin. E përshëndes nga ballkoni i pallatit tim, nga kati i shtatë, që për fat më ka qëlluar përballë këtij mali. Sidomos këtë periudhë meditimesh, zhytem në soditjen e kësaj skulpture gjigante që të zgjon vegime hyjnore. Ky “dëshmitar i shekujve t’panjehun” është interesant në çdo kohë dite e në çdo situatë moti. Mëngjeseve të dimrit paraqitet i zymtë e kërcënues, stoik ndaj sulmeve të acarta të rrebesheve, suferinave të borës e litarëve të shiut, gjarpërimeve zig-zage të rrufeve dhe buçimës së mnershme të bubullimave. Ditëve të ftohta pa reshje kundron në pasqyrën e trishtë të liqenit vragat dhe plagët që ka marrë gjatë luftës dhe kacafytjeve me motin e ashpër dhe gjamat e natyrës. Ndonjë copë reje mbulon si fashë gjymtet dhe majat e currave të tij. Është përherë aty dhe asnjëherë nuk e përsërit vetveten. Bujar i madh, dhuron prore imazhe të reja, pasqyrim i dinamikës së jetës. Çdo mëngjes dhe muzg e ka të ndryshëm prej tjetrit; në secilin syresh shfaq një spektakël të ri. Në një nga muzgjet e fundit, kishte pamjen e një dinosauri me kokën nga Kalaja ndërsa bishti i shtrihej dhe përhumbej në një sfumaturë brenda vargmalit të Rumisë në atë perëndim të përskuqur. Nga cepi më i skajshëm i liqenit ngrihej në atë prag perëndimi, nuk e di se për çfarë parimi atmosferik, një avull i bardhë. Dukej sikur dora e një skenografi hyjnor lëshonte shtëllunga të buta e puplore resh që mbulonin pak nga pak të gjitha pjesët e trupit të këtij gjiganti, duke filluar nga bishti, mbushnin kurrizin e tij dhe i grumbulloheshin te koka pranë Kalasë si një krifë madhështore. Shquhej tashmë vetëm gjysma e poshtme e trupit të Tij, duke krijuar pamjen e një elefanti të ngarkuar me pambuk. Taraboshi është shumë i ndjeshëm. Ai është barometër. Tregues i shkëlqyer i parashikimit meteorologjik. Gjestet e tij janë aksiomatike: “Kur Taraboshi vên kapelën/ kthehu n’shpi e merre mrrelën”
Por magjinë më të madhe e ka tani në pranverë. Tani është nisur e stolisur si krushk. Veshja e tij është e gjelbër. “Pasha jeshilen e Taraboshit!”- shkruan një poet i sotëm shkodran. Shpati i tij i gjerë në këtë stinë bëhet i lëmuar, shkrepat, gërxhet, currat thepat e lugjet e thikëta nuk dallohen më. Gjithçka duket e mbushur dhe e rrumbullakosur nga bari. Tashmë ai është kthyer në një fasadë të blertë me bukuri verbuese. Shquhen vetëm disa si ngastra, luspa gjigante, që ndahen nga njëra- tjetra prej vijave të holla që përshkojnë nga maja e deri në breg të liqenit masivin e këtij shpati magjik. Ndërsa sot, e pashë teksa po bënte një dush në shiun e butë pranveror të mëngjesit. Vijat e shiut lejonin të nëpërdukej trupi i tij masiv, mbështjellë nga avujt e kësaj banjoje. Kur shiu u largua dhe doli dielli, Taraboshi shfaqi me krenari para pasqyrës së liqenit pamjen e tij madhështore, të kthjellët e të kulluar.