U përurua gjimnazi “Aleksandër Moisiu” në Kavajë. Ky gjimnaz, i cili u hap për herë të parë në vitin 1956, tashmë është tjetërsuar në një ambient modern që i plotëson të gjitha standardet me ambientet sportive, klasat, laboratorët e fizikës, biologjisë dhe informatikës, etj.Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, Kryetari i bashkisë Redjan Krali, drejtues të drejtorisë arsimore dhe zyrës vendore arsimore, drejtues të shkollave të ndryshme të Kavajës, mësues dhe prindër.Gjatë fjalës së saj, ministrja Kushi theksoi se momentet më të bukura dhe domethënëse të punës në arsim janë gjithmonë përurimet e shkollave të reja, të cilat mbushen plot me nxënës dhe mësues.“Ju të gjithë e dini që nuk ka investim më të mirë sesa investimi në arsim. Gjithmonë nëse investimi në arsim bëhet në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe në mënyrën e duhur, ky është kontributi më i mirë që mund të jepet për një shoqëri për vendin dhe për të ardhmen,”- theksoi ministrja Kushi.Më tej Znj. Kushi u shpreh se për të pasur arsim cilësor nuk mjaftojnë vetëm ambientet fizike të shkollave, por edhe mësuesit e përkushtuar, me përvojë dhe me integritet të lartë, të cilët ky gjimnaz i ka; duhen kurrikula dhe programe bashkëkohore si të vendeve evropiane që i përshtaten kohës dhe tregut.“Me buxhetin e këtij viti do të ketë investime më shumë për sa i takon laboratorëve të lëndëve biologji, kimi, fizikë dhe informatikës, me standarde të larta dhe teknologji të re”- tha ministrja.Ajo falënderoi kryetarin e Bashkisë Redjan Krali për punën që ka bërë që kjo shkollë historike të shndërrohet në një godinë moderne.