Memorja e politikës

0
NGA:ZANA TAKO
Harresa dhe dëgjesa janë dy elementë tepër të rëndësishëm në vendimmarrje politike. E para nuk e ndihmon të dytën, por e dyta e ndihmon tepër të parën. Faktet nuk harrohen, as nuk lihen mënjanë për t’u përmendur jo në kohën e duhur. Shumë prej tyre i shërbejnë figurës së portretit të një politikani, i cili kërkon të zbukurohet edhe kur është i shëmtuar për nga morali. Shëmtinë njeriu e fiton përmes veprës që kryen, por bukurinë e shpirtit dhe mençurinë e mendimit si në të folur ashtu edhe në vendimmarrje, e fiton përmes veprës që prodhon pa u ndyrë në llumin e veseve. Shembuj ka plot. Politikani me vese është si karrige me këmbë të thyera, e cila nuk të ofron rehatinë por të rrëzon dhe të dëmton. Politikani i mençur është si barrikadë që të mbron nga sulmet e armikut.
Rrethi i veprimeve në politikë, është formë e cila përdoret jo për të ngritur kurthe, por për të vendosur ligje dhe reforma në tryezë të përbashkët, për qëllime që i shërbejnë bashkimit dhe jo përçarjes. Por nëse kjo formë deformohet nga qëllime të mbrapshta, atëherë politika kthehet në lojë reformash dhe ligjesh, të cilat hidhen e priten nga duar të papastra dhe mendje të çjerra, për të mos respektuar kufij dhe etikë në qeverisje. Loja e politikës fshihet nga sytë e drejtësisë, e cila është e dukshme nëpërmjet pasojave, të cilat rëndojnë shpinën e atyre që nuk e shohin këtë lojë.

Njeriu nuk mund të krahasohet me kafshën, përndryshe inteligjenca njerëzore nuk do të prodhonte zhvillim, por kjo inteligjencë kthehet në grackë zhvillimi për njeriun, duke e kthyer në qenie pa shpirt dhe mendim, sikundër po ndodh me zhvillimin marramendës të teknologjisë, e cila zhvillon politikë dhe vendimmarrje që vihen në zbatim pa u pyetur njerëzimi se çfarë është mirë dhe çfarë është keq nga përdorimi i kësaj teknologjie.

Teknologjia nuk është politikë, por politika e përdor teknologjinë si armë të fuqishme për të realizuar qëllime dhe objektiva të përsëritura në kohë. Jemi të rrethuar dhe të bllokuar nga teknologjia, e cila është duke referuar dhe zbatuar ligje të politikës së saj, të cilat po i shohim të zbatohen me kohë të përshpejtuar, duke e përdorur qenien njerëzore si objekt të politikave të zhvillimit të saj. Njeriu nuk mund të mendojë më duke vënë në shfrytëzim inteligjencën e tij të pastër të dhuruar nga Krijuesi i tij, por vepron, mendon dhe sugjeron si një objekt staturë, duke përdorur gjymtyrët e tij mbi tastierën e teknologjisë, por jo në përfitim të vetvetes, por për përfitimin e politikës së teknologjisë.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.