Meditim mbi atin

0
Nga:Ormira Lulani 
Ora … Ora një zë ere preku qënien time, që më bëri të shkeputem nga libri dhe t’i tregoj kujdes zërit që era solli. Hap më shumë dritaren, duke lënë erën që të hyjë brenda ne dhomen, i ngul sytë diku thjesht në zbrastësi, mbaj frymëmarrjen dhe pres zerin të vijë përsëri.
Ora….Ora kaloj një frymë, siç duket truri im po luan çuditshëm me mua, a është i vërtetë ky zë ere apo dëshira e madhe e imja të të ndiej afer. Atëherë marr lapsin e po të sjell pranë, skicoj dhe hedh linjat e para, mbase kështu bisedojmë qetë si dikur..Eh, kemi aq shumë për të thënë e për të kujtuar. Laspi ngadalë shkarravit në letër, ti rri me dorë mbështetur duke vështuar dëborën. Është ftohtë them unë, ti qesh, e di që dëbora të pëlqen, unë thjesht po e vizatoj aq sa mundem, s’kam kurajo ta pikturoj, jo nuk matem dot me ty, asnjë s’e pikturon deborën aq bukur sa ti. Shikoje se si luajnë hijet në dëborë,- më thua. Ok, po mundohem t’i kap dhe ato, i fsheh mes drurëve, por mua më pëlqen dëbora më shumë kur bie, kështu po lë ca flokë bore të bien dhe në floket e tu të thinjur; e di flokët e tu kanë marrë nuancat e deborës tani.
Ti vazhdon e shikon qetësisht. Dëgjoje këngën e këtij zogu, më thua, e gjen çfarë është? Unë mundohem, mbase zog dëbore, s’e di, ndjek fluturimin e tij, ai sillet e sillet, sikur po kërkon strehe, dhe ulet pa u ndierë në gjurin tënd si një mik i vjetër. Dhe unë atë çast ndjeva shumë mall, doja të thoja diçka por e mbajte për vete, m’u kujtuan ato momente kur ti leshoje zogjte në dhomë, ajo brendi me nuanca të kuqe nga loja e flakës në oxhak, dhe flurimi i çuditshëm i tyre, që kthenin çdo gjë në një situate irreale, e mban mend, çdo gjë, orenditë, hijet mbi mure fluturonin bashkë me zogjtë.
Ti që veç qeshje e qeshje, kur ato uleshin e qëndronin mbi kornizat e mbi pikturat, dhe zeri yt: Ora , zogjtë e njohin shpinë e vet. E çuditshme lidhja që kishe me ta, me ikjen tënde, dhe ata ikën një pas një, ulën kokat, varën krahët, ikën pas teje. Dhe ky zog që tani qëndron i qetë mbi gjurin tënd, sikur mban me vete të 50 zogjtë që kishim në shtëpi.
Mbaj vesh, dëgjoje kumonën e dashit, po vijnë bagëtitë nga një shteg, dhe une pres bashkë me ty, pres daljen e tyre nga ai shteg i ngushtë, por qetësisht mbi dëborë kokëulur dhe mira dalin dy dhi. Unë qesh e të vështroj, mbase Tobnës i kanë ikur dy dhitë e saj, në fakt dhe dhitë e dinë vetë rrugën për në shtepi. Dhe lapsi vazhdon të shkarravisë në letër, unë ndjek ecjen e tyre, ashtu të qeta tek ikin dhe siluetat e tyre ngjajnë tashmë si dy njolla mbi dëborë. Personazhet e tua të dashura, një dash me një plak që nxiton të arrijë në shtëpi, ku një vatër e ngrohtë e pret, një kalë që i bindur ndjek të zotin, një muzikë cigane që luhet e vallëzon bashkë me erën, një hënë e plotë që merr fytyrën e vajzë të re, një gjel që këndon pa zbardhë dita duke thyer heshjen e natës së rëndë…., janë të shumë personazhet e tua, por në fletën time të varfër nuk mi zë të gjithë, ajo është tepër e vogël për krijmtarinë tënde të madhe.
Ngre kokën e të kërkoj, me sy të ulur si për të kërkuar falje, letra ime është teper e vogël ati im, tepër e vogël për të futur qënien tënde.
Vështrimi im shkëputet nga zbrastëtia. Era vazhdon të fryjë, më fort se më parë, dhe zëri yt me vjen më pranë, më dashur dhe i qartë. Hedh lapsin dhe veshtoj skicën, nuk ka nevojë më për fjalë, ne flasim me mendje me njëri-tjetrin.
Zëri yt vjen përsëri, Ora të du fort…
Dhe shpirti im ngrohet, dhe me mirënjohje i drejtohem zbrazëtisë e bindur që ti me ndjen “Edhe unë të du fort, malli më ka marrë shumë, mendja ime, dora ime krijon bashkë me ty”. Faleminderit ati im.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.