“Me Zotin flas shqip” me autor Lulash Palushaj Një libër plot dhimbje, thirrje dhe shpresë

0

Promovohet në Shkodër me dat 27 tetor në bibliotekën Marin Barleti libri “ Me Zotin flas shqip” i shkrimtarit tashmë të mirënjohur Lulash Paluashaj i dekoruar nga Presidenti me titullin e Lartë “ Kalorës i Urdhërit të Skenderbeut” . Titulli i librit është një sintezë e mirëfilltë me përmbajtjen. Çdo paragraf përshkohet nga dhimbja, bën thirrje për të kontribuar për fatet e atdheut, por ka shpresë përherë të ndezur për ta pare ndryshimin shpejt. Një kumbonë alarmi për mbarë shoqërinë tonë për me shumë vemendje ndaj njerëzve me vlerave dhe kontribute. Thumbon qeveritarët paaftësinë e tyre për të gjetur alterantiva për zhvillimin e vendit duke theksuar se me tërë këto bukuri natyrore, resurse detare, minerale, pyjore e me këto vende të shumëkërkuara turistike duhet të jemi një ndër vendet e zhvilluara të Europës. Autori krahas burrërisë që kanë si karakteristikë të gjithë malësorët me mjaft finesë shkruan dhe për zgjuarsinë dhe burrërinë e grave apo të burrneshave të malësisë. I jep të drejtë Faik Konicës kur shkruan se e keqja e shqiptarëve janë vetë shqiptarët. Kritikon ashpër kokat e politikës për paftësitë e tyre ku mund të citoj: Ç’ka mendon kur njeriun e ç’veftëson nga morali e karakteri, shpirti e zemra me traditë që ka jetu e ka mbajtë gjallë shpresat? A mund të kërkosh nga një bari i zakonshëm të udhëheqë një shtet pa pasë kurrfarë predispozitash të aftësisë së arsimit dhe kulturës së qytetnimit që duhet të ketë? Bariu mbetet bari kur ti nuk i krijon kurrfarë kushtesh ekonomike për zhvillim. Moszhvillimi mendor e psiqik vazhdon me të lanë në moszhvillim. Shpeshherë ndalet tek harmonia ndërfetare si një cilësi mjaft e vyer e të gjithë shqiptarëve ku me dorë në zemër thekson se të gjitha fetë duhet të konvergojnë në më kryesoren “shqiptari”. Lulashi bën thirrje : Heu o Zot?! Ç’ka kishte me fol ky popull shqiptar për ndjenjat e veta, për përgjegjësitë e veta, për ndërgjegjen e vet, për korigjimet e veta?! O Zot po për këta nuk ka faj nji popull, po le të shikjojnë udhëheqësit e tij se si i kryejnë obligimet, betimet, korigjimet e përgjegjësitë. Gjithmonë nga populli lind vlera e diellit. Libri vjen pas disa botimeve dhe shkrimeve të shkrimtarit si romanet : Nusja nën duvak, Lotë që nuk treten, Zemra që s’pushon etj ku mund të veçoj frymën atdhetare, dashurinë për vendlindjen dhe për tërë kombin. Ai shkruan me zemër të pastër, me plot ndjenjë dhe çiltërsi. Gjithë jetën ia kushtoi çështjes shqiptare dhe aspiratës për një komb të pandarë. I ndodhur në emigracion ai vjen shpeshherë nga Amerika sepse e thërret afshi i tokës në Malësinë e Madhe, aty ku ajri ka më shumë oksigjen dhe ai frymon lehtë, përherë me mendimin se do të gjejë diçka ndryshe, se jeta ka më shumë progres në Shqipëri apo Kosovë. Por jo! Ikën me një barrë dhimbjesh mbi supe, me zhgënjimin që lodhin malet e ndjenjës, me shpresën që i venitet dhe me diellin që përherë ndriçon më pak. Autori ka përherë rrezerva por përherë shpreson dhe kjo e bën të udhëheqet me optimizmin që e karaktrizon atë si njeri me dimensione të mëdha. Libri është një pasqyrë e realitetit të jetës në familje dhe shoqëri ku secili ka forcën e vet për të ndryshuar për mirë dhe të gjithë sëbashku të arrijmë atë që kërkojmë për një Shqipëri e Kosovë të zhvilluar dhe mbarë shqiptarinë të bashkuar. Jeta asht evolucion dhe revolucion. Faleminderit Lulash Palushaj për këtë vepër të bukur dhe që na bën të reflektojmë të gjithë për ta bërë Shqipërinë siç e dëshiron ti dhe siç e dëshirojmë të gjithë Ne.

Shkroi: Farida Ramadani

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.