Nga : Prof. Dr. NIKOLLA SPATHARI
FAMILJA ËSHTË CELULA E KOMBIT
– Reth librit “ Shtatoret e përjetësisë “ të LEKË GOJÇAJT “ –
– ESE
Emrin e Lekë gojçajt e kam dëgjuar relativisht vonë, jo për fajin e
Lekës, sepse ai ka kohë që është një personalitet i Diasporës Shqiptare, as për fajin tim, por për fajin e rregjimeve që ndanë vëllaun me vëlla, mikun me mik. Dikur nga shtëpia e Lulash Hasajve, në vitet e zisë së bukës, siç qenë vitet 1947 – 48, patëm marrë si dhuratë disabukë misri të gatuara në tepsi, ashtu siç tregon Leka në libër, kurse sot mora një dhuratë edhe më të bukur, librin e Lekës me afro 600 faqe. Gjashtëqind faqe për një familje. Ju lutëm të mos ju dukën shumë, sepse familja është celula e kombit. Ndoshta nuk është pa vend të thuhet se një komb të madh ( të madh në mënyrë figurative ) e bëjnë familje të mëdha.Mënyra se si i mora këto dhurata nga familja me të cilën jemi miq mbi njëqindvjeçarë është krejt e pangjashme. Bukët e misrit që na i dërgonte Lukë Deda,
në vitin 1947, i pruri halla ime, Pashkë Dulja, e shoqja e Mark Lulashit, ngarkuar mbi supe që nga Sukë Rugja në Goraj të Kastratit, kurse librin e pashoq të Lekë Gojçajt ma solli nipi im, poeti Luigj Çekaj, me avion nga Nju – Jorku… Kohët kanë ndryshuar kaq shumë për malësorët.Ashtu siç i kishin mbetur jetimë Lukë Dedës fëmijët e vëllajt, Gjeto Dedës, edhe ne 5 fëmijëve të Pjetër Dules lufta na la jetimë. Lukë Deda, duke menduar si për fëmijët e vëllait të vet, na kishte dërguar gjithë ato bukë. Por ne nuk ishim aq të uritur sa kishte menduar miku ynë më i mirë i shtëpisë së dëgjuar të Lulash Hasajve. Edhe mashkujt e shtëpisë tonë thenin kufirin natën, dilnin në Jugosllavi, blinin diku atje miser dhe ne nuk e ndjemë edhe aq zinë e madhe të bukës. Madje për këtë dikush i denoncoi dhe dy djem të shtëpisë sonë i arrestuan dhe i mbajtën disa ditë në burgun e Koplikut. Këtë mënyrë të sigurimit të bukës së gojës, në ato vite të vështira, ma kujtoi libri i Lekë Gojçajt kur tregon se si e siguronte Lukë Deda bukën e familjes. Dhe libër i mirë është ai që tek e lexon të kujton ato që i ke jetuar edhe vetë. Por le të kthehemi tek bukët – dhuratë. Luku nuk e kishte ditur se kemi mujtur edhe ne të gjejmë miser dhe kishte bërë atë gjest kalorsiak që dine të ta bëjnë vetëm malësorët tanë, të cilët lindin së bashku me bujarinë.
Madje kishte dërguar fjalë se mund të na gjente edhe misër.
Në librin “ Shtatoret e Përjetësisë “ flitet me shumë dashuri për tri Pashkat. Atje thuhet se ato ishin tri shtylla të forta të familjes së madhe prej 55 vetësh. Duke lexuar këte pasazh kaq të frymëzuar mua më duket se tri Pashkat janë një kostelacion i ndritshëm prej tre yjesh. Unë dy Pashkat e tjera nuk i kam njohur, por Pashkë Dulja vërtet ka qenë një yll. Një prej atyre yjeve, për të cilët shkenctarët thonë se edhe pasi shuhen drita e tyre vazhdon të përhapet edhe qindra vjet nëpër galaktika.
Lekës nuk i ka shpëtuar të evidentojë faktin se familjet e mëdha në Malësi të Madhe kanë lidhur gjithmonë miqësi me familje të serës së vetë. A nuk ju duket ky një zakon mbretërish !? Mbretërit lidhin miqësi me mbretërit. Kështu bëjnë edhe malësorët, sepse edhe ata janë mbretër në trojet e tyre autoktone. Kështu bëri edhe kulla e lashtë e Lulash Hasajve ( kështu kam dëshirë ta quaj, ashtu si e mbaj mend që në fëmini, mbiemrin
“ Gojçaj “ e kam dëgjuar gjithashtu vonë, sepse malësorët, në shekuj, i kanë lënë në heshtje mbiemrat dhe kanë përdorur emrin e babës ). Ajo, siç tregon autori në libër, u lidh me Sinishtajt e Grudës, që ishte një familje po aq e dëgjuar sa edhe kulla e Baca Kurtit dhe e Sokol Bacit, siç u lidh edhe me Dulo Stakën, i cili sipas shtypit të kohës pati dalë kaçak, në Krasniqe, së bashku me Dedë Gjo’ Lulin, kundër Perandorisë Osmane, dhe me Vativanajt, një shtëpi e përmendur në Kastratin e Epërm.
Mikun me të cilin kanë marrë ose kanë dhënë, malësorët, në mënyrë metaforike e kanë quajtur mik kreje. Domethënë, jo mik e çfardo miku, po mik që le kokën për ty.
Duke dashur të ilustroj në mënyrë modeste me ndonjë fakt të ri ato që autori pasqyron në libër dua të shtoj diçka që flet qartë çfarë miku “ për kokë “ ishte Lukë Deda, i zoti i kësaj shtëpieje të dëgjuar… Malësorët gjatë gjithë historiesë janë kthyer të gjithë nga lufta. Të gjallët me këmbët e veta dhe të rënët mbi supet e shokëve. Por ndodhi që babaj im Pjetër Dulja, me Nikë Tomën dhe me katër grudianë, që fatkeqsisht nuk ua di emrat, mbetën në Qafë të Kokotit dhe nuk mund të tërhiqeshin përmes luftës. Mundën vetëm ti varrosin shpejt e shpejt aty. Në vitin 1944, kur lufta ende s’kishte mbaruar, por krahina e Malësisë ishte disi më e qetë, Kolec Nika, i zoti i shtëpisë sonë, në mënyrë krejt të zakonëshme shkon mik në Lulash Hasaj. Sigurisht i papërgaditur për ndonjë ndermarrje, që përveç tjerash, kërkonte edhe shpenzime. Në mbrëmje Lukë Deda i thotë:
– Kolec, ka ardhë koha ti marrim eshtnat e Pjetrit. Më duket se edhe grudjanët janë ba gadi për njerëzit e tyne.
Të nesërmën Lukë Deda, Gjeto Deda, Ujkë Gjeto Mirashi dhe Kolec Nika dalin në Tuz dhe hyjnë në një kafe për të biseduar edhe me grudjanët që ishin aty. Në bisedë e sipër njeri prej grudjanëve i thotë Kolecit se ai nuk ishte i zoti të shkonte me ta. Lukë Deda është hedhë menjëherë:
– E përse nuk është i zoti ky ?
– Sepse ka shpenzime shumë dhe ky e tha vetë se ka ardhë rastëshit.
– Ndigjo ti djali i Grudës,- i ka thënë Luku, – na Pjetër Dulën jemi në gjendje ta peshojmë edhe me ar… Mos fol pa u mendue mirë.
E tregova këtë episod për të thënë se kush ishin Lulash Hasajt në raport me miqtë e tyre dhe dua të vazhdoj edhe pak në këtë linjë. Leka përmend në libër edhe Shukun, djalin e Dilë Markes që me sa di unë ka vdekur i ri. Këtë djalë Kolë Gjeloshi i Lashajve
ia fali hallës time , Pashkë Dules që e kishte djali i vajzës. Por malësorët birësimet i bëjnë me fjalë, jo me dokumenta. Vonë, shumë vonë, në vitet tetëdhjet, Dilë Markja erdhi tek unë në Shkodër dhe më solli një këmishë, një palë çorape e s’di çfarë tjetër dhe më tha : “ Më kanë çue gjinia hisën e Shukut “. Unë u habita për këtë gjest të çuditshëm që kishte bërë familja e Lulash Hasajve, në këtë botë jallane ku vëllaj me vëlla vritën për një pëllëmbë tokë. Meqenëse Leka, ndoshta për modesti, nuk e përmend këtë fakt shumë domethënës për mirësinë e familjes së tij, thashë ta them unë që e pata mësuar krejt rastëshit nga mbesa e babajt tim, e cila për vite e vite gjininë e bëri tek ne, pasi Lulash Hasajt kishin mbetur matanë kufirit.
Familja e madhe malësore, e organizuar si një minishtet, kishte jetën e saj, do të thosha të madhërishme, që aq bukur dhe aq me pasion ka ditur ta pasqyrojë në librin e vet Lekë Gojçaj. Por me punën, me përpjekjet e saj për të gjalluar dhe për të mbrojtur trojet kur rrezikoheshin, kryqëzohej edhe një dimension tjetër: Qenja e në mëshirë të Zotit. Është interesant të thuhet se çdo natë, pas lodhjes së ditës, në kullat malësore dëgjohej të
këndohej me zë të lartë Rruzarja e Zojës, si një falënderim për Mbretin e Qiejve. A mund ta përfytyroni madhështinë që krijohej çdo mbremje në kullën e lashtë të Lulash Hasajve, kur 55 vetë së bashku thonin rruzarën në lavdi të të Bukurit të Qiejve !? Mua për vete, në këto momente që shkruaj këta rreshta, më shfaqën si një haluçinacion tri Pashkat, si tri
shejtnesha në Jeruzalem, që i bashkohën korit të madh të familjes. Dhe kjo nuk është merita e imagjinatës sime. Është merita e Lekës që ka ditur ti tipizojë me një mjeshtri prej romancieri.
Pinjollit të një familjeje të tillë, ku në shekuj ka mbretëruar religjoni dhe paqja e Zotit, siç është Lekë Gojçaj, nuk ka se si të mos i ketë lënë mbresa të thella puna e françeskanëve të mëdhenj në atë anë të Malësisë. Autori i librit “ Shtatoret e Përjetësisë “ i ngre Patër Marjan Prelës një përmendore të pavdekëshme, ashtu siç ka bërë të mundur
ti ngrihën Nënë Terezës, Shejtëreshës sonë, shtatë përmrndore prej bronxi.
Si njeri nga njerëzit që jam marrë mbi pesëdhjetë vjet me etnokulturën në Malësi të Madhe, kapitullin e librit për At Marjaninin e shoh të përpiluar terësisht brenda psikologjisë së malësorëve. Në shekuj malësorët ua kanë lënë emrin e vet brezave të ardhshëm në një mënyrë krejt të veçantë. Kanë mbjellur një pemë apo kanë hapur një pus për hajrad. Kështu prej sa e sa vjetësh përmendën Qarri i Gjelosh Frangut, Foleta e Lekë Gjonit, Kroni i Dulo Stakës. Pikërisht kështu vepron edhe Patër Marjani, Por në përmasa më të mëdha se mbjellja e një peme apo hapja e një pusi. Ai ndërton një kishë, Kishën e Tuzit dhe bëhet i pavdekshëm.Lekë Gojçaj ka qenë akoma i palindur kur disa nga klerikët e famshëm janë larguar nga Malësia. Por kjo gjë nuk e pengon atë të shkruaj për ta, sepse jehona e tyre ka mbetur e gjallë në Malësi. Unë do të veçoj tre prej asaj çete françeskanësh që gjëndet në librin e autorit: Patër Mati Prennushi, i përmendur në Malësi, jo vetëm si meshtar, por edhe si patriot e udhëheqës popullor. Në kryengritjën e Malësisë së Madhe të vitit 1911 e shohim në krah të Dedë Gj’ Lulit, mes burrave , që ishin truri dhe shpirti i kryengritjes.
Vite më vonë është famullitar i Katundit të Kastratit dhe pleqtë kujtojnë se Patër Matia u binte kumonëve të kishës në formë kushtrimi sa here që shkjau mësynte tokat tona. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, fratin e dëgjuar, e gjeti Provincial të Françeskanëve në Shkodër. Rregjimi komunist e burgosi dhe e pushkatoi, por sot ai ndodhet në mes të dyzet Martirëve të Kishës Katolike Shqiptare, të shpallur nga Selia e Shenjët dhe prêt shejtërimin. Patër Anton Harapi gjendet gjithashtu në librin e Lekës. I ndritshëm si një kometë. Një meshtar i paharruar, një predikatar i pashoq. Filozof, shkrimtar, publicist e pse jo edhe burrë shteti. Në qelën e Kishës së Grudës u shkruan “ Andrra e Pretashit “ ,
“ Urti e burrni në banorë të Cemit “ dhe vepra të tjera. Atje, Patër Antoni, mblodhi perla të tilla të folklorit shqiptar siç është “ Vaji i nënës grudiane “ mbi bijën e vrarë :
… Drita e diellit futë e zezë,
Rrezja e qiellit gurë le t’qesë,
Toka qitët bolla e gjarpij,
Era fryftë zjarm e thëngjíj,
Bora n’bjeshkë e zezë u ngriftë,
Lulja n’fushë e thátë -o mbiftë,
Asaj kurrë mos i ardhët era,
M’sa për loken del prendvera!…
Thashë se At Anton Harapi ishte edhe burrë shteti. Ai u bë njeri nga katër regjentët shqiptarë në kohë të Gjermanisë. Me këtë rast me 13 janar 1944 mban fjalimin e betimit në Parlament ku në mes tjerave thotë : “ Më rrenë mendja se nu ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigue. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji mani e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe unë po ua vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnis… “
Manija për ti dalur zot Shqipërisë, sa ç’mund ti dilej në momente të tilla, e detyroi Patër Antonin të pranojë të jetë njëri nga anëtarët e Këshillit të Lartë të regjencës. Për këtë ai pati marrë edhe lejën e Selisë së Shenjët në Romë, por komunistet kur morën pushtetin nuk pyetën për asgjë dhe Anton Harapit i iku koka. Sigurisht Martir i Kishës është shpallur edhe ky. Shejtërimi i tij do të jetë kurorëzimi i epopesë jetësire të tij.
I treti meshtar nga ata që përshkruan Lekë Gojçaj dhe që unë dëshroj ta komentoj pak është Patër Luigj Bushati. Edhe ky kishte veprimtari fetare e atdhetare të shkëlqyer. Por unë këtu dua të evidentoj një përmasë tjetër të tij: Qenjën mjek i famshëm popullor. Pas Hotit ai shkoi në Dukagjin. Atje i doli nami i madh si Frati i Kirit. Ishte i vetmi shërues i kohës. Njerëzit nga Dukagjini, nga Malësia e Madhe, nga Puka e Mirdita si edhe nga qyteti i Shkodrës rendnin tek ai në Kishën e Kirit dhe gjenin dërman. Dy dhoma të qelës së tij I kishte kthyer në formë spitali ku mbante të sëmurët që kishin nevojë në observacion. Patër Ndou, edhe me këtë emër e thërrisnin në Dukagjin, ka shëruar shumë të sëmurë edhe nga sëmundja e tuberkulozit që atëherë ishte e pashërueshme. Duke mos pasur mjekë të vërtetë, tradita e mjeksisë popullore në Malësi ka qenë një traditë e lashtë. Fishta na njofton për një mjek popullor me shumë nam në kohën e largët të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pas betejës, pranë të plagosurve, fluturojnë frati e mjeku popullor. Meshtari për ti përcjellur shejtërisht në jetën e pasosur ata që kanë marrë plagë të pashërueshme dhe mjeku popullor për të shpëtuar ata që mund të shpëtohën. Poeti shkruan :
Patër Gjoni po i bjen shpatit
Me at Nikë Gjonin e Kastratit,
Në nam e n’za ky për mjeki:
Lypë e thirrë gjithkund n’Malci,
Frati rrfe e Nika pre:
Vojo gjinden Patër Gjoni,
Të varruemt shëri Nik Gjoni,
Si të kshtenë, si muhamedan:
Dlirju varrë, venju melhem
Më vonë këtë traditë e çuan më tej dhe e bënë më shkencore françeskanët, të cilët nuk kishin kryer fakultete mjeksie, por sidoqoftë ishin të diplomuar dhe me dijeni të gjëra në të gjitha fushat e shkencës. Një nga këta françeskanë, madje më i përmenduri është Patër Luigj Bushati për të cilin shkruan Lekë Gojçaj. Ndofta është vendi të thuhet se pas gjysmës së parë të shekullit njëzet në Kishën e Brigjes së Hotit kemi një frat tjetër, që jo vetëm është mjek popullor, por eksperjencën e tij me barnat e malit e len të shkruar edhe në një vepër shkencore. Ky është At Benedikt Dema, i cili meriton nderimin e gjithë Malësisë,
por unë po bëj sëpaku minimalën, po shkruaj monografinë e tij.
Duke lexuar librin e Lekë Gojçat dhe duke medituar për lidhjën e familjes së madhe të Gojçajve me këta tre klerikë të famshëm, por edhe me françeskanët e tjerë që kanë zënë vend aty, mua më ngjanë se Kulla e vjetër e Lulash Hasajve nuk ishte me 55 vetë. Ishte më shumë. Duhet ti shtojmë edhe këta klerikë të dëgjuar. Kjo ndoshta ndodh, sepse vetë libri, në një farë mëyre, i trajton si njerëzit e familjes, me po atë dashuri.
Që nga nëntitulli i librit “ Familja Gojçaj mes Malësisë dhe Amerikës “ e kupton se ke të bësh me një familje, historia e së cilës shtrihet në dy kontinente. Tamam si të ishte një perandori. E them këtë se, duke e vlerësuar veprën në terësinë e saj, njeriu arrinë në konkluzionin se kjo nuk është një familje që fillimisht han bukë në Hot e pastaj shkon e han në Nju – Jork, por një familje që bën histori, si në Malësi ku ka trojet e të parëve, ashtu edhe atje larg në botën e metropoleve. Për këtë histori flasin qartë edhe vlerësimet e bëra që i gjejmë mes albumit të fotografive në fund të librit : Mirënjohje për ndimën në ndërtimin e katedralën së Prishtinës, nënshkruar nga Papa Benedikti XVI, Mirënjohje nga Presidenti Rugova, Mirënjohje nenshkruar nga Papa Gjon Pali i dytë, Kryqi i argjendë nga Imzot Mark Sopi e plot vlerësime të tjera nga personalitete të ndryshme.
Sot që po ulëm të vazhdoj shkrimin e nisur për librin “ Shtatoret e Përjetësisë “ të Lekë Gojçajt është dita e Lumturimit të Nënë Terezes. Mbase është pikërisht pritja e kësaj dite të madhe që më bëri të thyej kronologjinë e ndërtimit të librit dhe të mos i shoh kapitujt në radhën e tyre si një togë ushtarësh.Ndoshta e solli rasti, po ndoshta është edhe një rregullsi tjetër, që nuk është në dorën tonë, e cila bëri që për kapitullin e Nënë Terezës ti them sot ato që kam për të thënë e jo një ditë tjetër. Siç duket forca e rrugës së shejtërimit nuk është si forca e çdo rruge tjetër. Ajo të tërheq kur do vetë e jo kur të teket ty.
Në këtë festë të bukur të shqiptarëve, por edhe të gjithë botës, pa dallim kufinjësh, feshë, racash e kombesh, gjeja më poetike do të ishte, po të kishe mundësi të kaloje që nga Nju – Jorku në Tuz, në Strugë, në Prishtinë e Mitrovicë, kudo ku vëllezrit Gojçaj kanë ngritur shtatoret e Nënës së Madhe.
Lexoj ç’thuhet në libër dhe krahët e imagjinatës më shpien tek këmbët e zbathura të çdo shtatoreje, ku më bëhet se dëgjoj një “ Te deum… “. Një “ Te Deum… “ që këndojnë engjujt e qiellit për shenjtëreshën tonë. Ky është një “ Te Deum… “ që do të këndohet përjetësisht në malet tona. Qindra e qindra vjet më parë këtë himën të Kishës Katolike botërore e pati shkruar një iliras, sikur kishte pasur parandjenjën se kombi i tij do të nxirrte një shejtëreshë. Dhe kur ta vinte ajo, le ta kishim gati himnin për t’ia kënduar.
I kam parë shtatoret e Nënë Terezez në Tuz, në Prishtinë , në Mitrovicë e në Strugë. Te të gjitha këto shtatore kam venë nga një tufë me lule të freskta. Në Tuz u harrova para Nënë Terezes, por ra këmbana e kishës dhe më zgjoi. Desha të shoh një meshë të përshpirtëshme për Shejtëreshën, për Patër Marjan Prelën, që e kishte ndërtuar atë kishë, dhe për mikun tim të paharruar Patër Vinçens ( Vinko ) Malaj që meshoi një jetë të tërë në atë altar dhe, diku aty pranë, shkroi gjithë ato vepra të vyera që na la. Pas meshes prsëri u gjënda para Nënës së përbotëshme. Ajo ishte e gjallë, tamam siç e kisha parë në Shkodër. Më shkoi mendja ti them dhe unë “ Fol tani “, ashtu siç i thanë dikur përmendores së Mojsiut.
Një tufë lule aty ishte fare pak. Kurrsesi nuk mund të largohesha pa bërë diçka modeste. Diçka fare të vockël para asaj që kishin mundësuar vëllezrit Gojçaj. Por gjithsekush në kandar të vet. Nxorra bllokun e shënimeve dhe shkrova këtë poezi :
NËNË TEREZËS
Ndofta vetë Perëndia
Bëri një himn, plot me dashuri,
E vendosi tek ti,
Dhe u bë simfoni…
Pastaj erdhe këndej nga Bota
E, si në hijen e një palme, u ule tek poezia,
Këtu, sigurisht, do t’ishe e shejtëruar sa në çdo parajsë
Që mund të ngrinte për ty Perëndia…
Vitet ikin, e ti rri në profile ajrore ,
Siç rri një këngë
Në fragmente ere,
Sepse të kemi vëndosur atje ku zbërthehën të gjitha ngjyrat,
Në pjesën më të ndritëshme të një pranvere.
Dhe së bashku me ty
Rri mirësia,
Lebrozët dhe të varfërit e Botës grumbullohën atje
Siç grumbullohën lutjet tek Ave Maria .
Këto vargje që i shkrova aty para shtatores në një buzëmbremje pranvere më ishin vërtitur në mendje gjithë atë ditë: Kur shetisja në rrugën e vetme që ka Tuzi, kur rrija shtrirë në hotel dhe kur shihja meshën e mbasdites. Objekti që më frymëzoi është madhështor. Nëqoftëse nuk kam mundur ti afrohëm fare pak asaj madhështie faji është i imi.
Libri që kemi në dorë të bën ti rijetosh peripecitë e shumta që i janë dashur autorit të tij për të ngritur, që nga Nju-Jurku e Detroiti e deri në Klinë, shtatë shtatore të Nënës Terezë. Nganjëherë këto peripeci kthehën në Kalvar. Madje në një Kalvar që e ngritë vetë Shteti Shqiptar. Ashtu siç thoshte dikur Martin Luterkingu: “ Unë kam një ëndërr “ , edhe endrra e Lekë Gojajt është e madhe: “ Një shtatore e Nënë Terezës para Kombeve të bashkuara . Kjo shtatore Pallatin e Qeqlqët të shteteve të botës do ta bënte më të bukur, më të paqtë, më të kristaltë. Të gjitha misionet që janë aty nuk do ta arrijnë kurrë numrin e misioneve të Nënë Terezës nëpër Botë. Në odisenë pa finish të vendosjes së shtatores para Kombeve të Bashkuara, të përshkruar aq me detaje të imta dhe me pasion në libër, më irritojë dy gjera: Në radhë të parë më bën përshtypje, deri në turp, shteti im me heshtjën dhe me hilet e ambasadorit të tij. Por shije të mirë nuk më le as qëndrimi i administrates së Kombeve të Bashkuara: “ Nuk pranojmë dhurata nga ky, po e duam nga ky tjetri “. Populli ynë thotë se dhuratën nuk e kthen as mbreti. Pastaj Lekë Gojçaj nuk po propozonte të çonte një çfarëdo dhurate, po Nënë Terezën, simbolin botëror të misioneve, aty ku është vendi i misioneve. Nëqoftëse çmendet Shteti Shqiptar, dhe ai shpesh ka treguar se di të çmendet , nuk ka pse çmenden edhe Kombet e Bashkuara.
Në librin “ Shtatoret e Përjetësisë “ të Lekë Gojçajt askund nuk ka llogari. Por mendoni pak, 100 mijë dollarë për një kishë, mijra dollar të tjerë për një katedrale, shtatë shtatore të Nënë Terezes që secila mund të ketë dashur me të gjitha 100 mijë dollarë. Llogari e thjeshtë por shifra marramendëse. Unë nuk di një familje tjetër shqiptare që nga mundi dhe djersa e saj të ketë vu në shërbim të kombit afro një million dollarë.
Vëllezrit Gojçaj ngritën kaq shumë përmendore. Përmendorja e fundit , deri tani, është libri i Lekës. Unë nuk dua të bëj profetin, por jam i sigurtë se kombi do të ruaj një përmendore edhe për