Edi Rama do me çdo kusht Shkodrën këtë herë dhe unë besoj se kjo vetëm për egon e tij personale, për të fituar diçka që s’e ka, pasi ka zotëruar çdo institucion e pushtet të mundshëm në Shqipëri. Pasi dështoi të zotëronte edhe opozitën (pavarësisht se dëmin e bëri), Edi Rama kërkon tashmë të zaptojë Shkodrën, qytetin (bashkinë) që e majta nuk pati kurrë shansin t’a ketë prej 32 vitesh.
Rama këtë herë e do Shkodrën me çdo kusht! Është i gatshëm për çdo pakt djallëzor mjafton që të plotësojë ‘tekën’ e tij më të fundit, Shkodrën! Ai po përpiqet t’a bëjë këtë duke afruar rreth Rilindjes së Tij të personalizuar të gjithë faktorët e mundshëm të majtë që të maksimalizojë votat në Shkodër. Përpjektet arrijnë deri aty sa të premtojë shuma të majme parash të hedhura në investime, mjafton që dëshira e Tij të bëhet realitet!
Strategji e mirë për t’u ndjekur ndoshta në bashki të tjera të Shqipërisë, por në Shkodër jo!
Shkodra nuk e do të majtën sepse është qarku që vuajti më së shumti persekutimin e regjimit diktatorial, rrënjët e të cilit nuk janë shkulur akoma nga PS-ja e sotme. Rilindja sot ka në radhët e saj nga poshtë e deri ne qeveri pasaardhësit e atyre që paditën e persekutuan shumë shkodranë. Vetëm deri para pak vitesh, kryetar I kuvendit të Shqipërisë ishte përgjegjësi kryesor I masakrēs së 2 prillit në Shkodrën e 91-shit, asokohe ministër I brëndshëm, Gramoz Ruçi. PS nuk ka arritur të ndahet nga e shkuara komuniste, po ashtu Shkodra nuk ka arritur te ndahet dhe të mbyllë plagët e asaj që shkaktoi udhëheqja komuniste, pinjollët e të cilëve sot vazhdojnë të kenë poste të rëndësishme në mazhorancën shqiptare!
Shkodra, është bashkia e harruar dhe e braktisur në këto 9 vite të qeverisjes së majtë. Shkodra vuan papunësinë, mjerimin, mungesën e theksuar të investimeve, indiferencën dhe arrogancën e drejtuesve të institucioneve (jo të gjithëve por shumicës) e deri tek nënpunësit më të vegjël të cilët duke patur parasysh paaftësinë e tyre, arrogancën e kryeministrit e shohin si virtyt që duhet aplikuar apo shembull që duhet ndjekur!
Kjo qeveri largoi të gjitha drejtoritë kryesore në Lezhë dhe në Rrëshen, duke nëpërkëmbur e zh’vlerësuar një qytet që e vlerëson historia përmes kulturës dhe trashëgimisë që ky qytet trashëgon në shekuj.
Rrethinat e Shkodrës u goditën nga përmbytjet. Qeveria ishte pothuajse inekzistente dhe e vetmja që përpiqej të mbronte imazhin e një qeverie totalisht indiferente ndaj halleve të atyre banorëve (me aq sa ka pushtet) ishte prefektja e qarkut, znj.Angoni! Kryeministri nuk u duk asnjë ditë në ato netë të zeza për banorët që flinin në ujë apo ishin të rrethuar nga uji. Qeveria nuk shpalli gjëndjen e emergjencë dhe arsyeja e vetme ishte të mos dëmshpërblente banorët e prekur (arsyet I di vetëm kryeministri, nuk dua të aludoj mbi arsyet). Deputetët u dukën pothuajse aspak, edhe kandidati për bashkinë (jo i zyrtarizuar) erdhi vetëm një herë sa për të dokumentuar me foto e video ‘interesimin’ për hallin e madh të banorëve.
Deputetët e majtë gjatë fushatave premtuan shumë por asgjë nuk bënë. U bënë deputetë me premtime madhore të cilat rezultuan të realizuara me ‘çikërrima’ sa për të justifikuar fushatat e ardhshme.
Sot duket se kandidat për kryetar I bashkisë Shkodër i të majtës do jetë z.Benet Beci. Një shkodran në prejardhje, I lindur dhe banues në Tiranë që rruga në Shkodër e ka sjellë më së shumti gjatë këtyre 9 viteve për aq shpesh sa mund të ketë ardhur. Sa e njeh Shkodrën z.Beci, rrugat e rrugicat, zonat e banorët, problematikat e kërkesat e këtij qyteti dhe banuesve të saj nuk e di por llogjika të çon tek ‘shumë pak’.
A do mundet z.Beci t’u shpjegojë ‘shkodrançe’ shkodranëve premtimet për investimet që do realizojë, nëse do dalë fitues i garës së 14 majit?
Shkodra nuk harron, Shkodra nuk gënjehet, Shkodra nuk mashtrohet. Ajo bazohet tek historia dhe historia që ka prodhuar e majta në Shkodër nuk është aspak favorite në fitoren e garave elektorale sado që Edi Rama të mundohet të afrojë e shfrytëzojë çdo arsenal të mundshëm për të bërë të mundur të pamundurën!
Persekutimi që I është bërë Shkodrës nuk mund të harrohet dhe të shlyhet në 3-4 muaj fushatë. Shkodra ka plagë të thella të hapura siç është shpopullimi. Dhe këto plagë është e vështirë t’i mbyllin ata që i kanë shkaktuar!