Mbani sytë hapur dhe mendjen të kthjellët, që kur të vijë stuhia të mos ju gjejë në befasi!

0
Nga :Zana Tako
Fjalët janë shterpë kur njeriu nuk i dëgjon apo nuk i kupton, por kjo pamendësi nuk është për të mirën e tij. Sot lipset të dëgjosh, të shikosh, të kuptosh dhe të veprosh, pasi është domosdoshmëri jetike për të gjithë.
Të quhesh i paditur kur e keqja të ka zënë udhën, është njësoj si të jesh i lidhur me zinxhirë kur kërkon të ecësh në liri. Liria e njeriut nuk serviret në pjatë të argjendë nga politikanë, që forcën e pushtetit të tyre e mbështesin fort në shtrëngimin e ligjeve që ndihmojnë pushtetin por jo shtetasit, thënë ndryshe, politika është si rripi me shumë vrima, i cili liron dhe shtrëngon, sa herë barku i pushtetarit fryhet dhe çfryhet sipas oreksit të qeverisjes.
Pushtetari sjell në pushtet ata lojtarë (jo rezervë), në fushën e lojës së polikës së tyre. Kjo prurje është efikase jo për shumë kohë. Në strategji, politika shquhet për lojra me shumë porta. Portierët janë të stërvitur për të pritur goditjen e kundërshtarit brenda fushës së tyre. Sa herë që portat rrezikohen nga kundërsulmi, aq herë bie edhe bilbili i alarmit për mbrojtje dhe kundërsulm, thënë ndryshe, lojrat në politikë janë ndeshje ku luhet për të fituar dhe jo për të humbur.
Nëse humbja vjen si pasojë e stërvitjes jo të mirë të portierit besnik, atëherë zëvendësimi është dhe quhet mënyra më e mirë për të rregulluar standartin e masave ndëshkuese. Në të kundërt, kundërshtari sulmon fort jo vetëm për një fitore, por për shumë të tjera, duke rrëzuar kështu edhe rezultatin e fituesit në pushtet.
Fitorja është kusht për pushtetarin, i cili nuk negociohet me partnerë të rastësishëm. Rastësia nuk ekziston në politikë, pasi gjithçka është e mirëformuluar dhe e sofistikuar në fortesa sigurie absolute. Kush mendon se politika zgjedh rastësinë si argument të fitores, është diletant mëshirues.
Të qënit politikan, është fryt i zgjedhjes së standartit reformator, ku përqëndrohet çdo individ që e lakmon politikën. Nuk mund të mendosh se zgjedhja quhet dëshirë, por bëhet detyrë e trashëgimisë së zinxhirit të gjatë me shumë hallka ndërmjetëse, ku sundon fuqia dhe protagonizmi i atyre që kanë themeluar ligjin në politikë. Nga ana tjetër, të zbatosh më së miri këtë ligj, duhet të njohësh edhe forcën e shtypjes me anë të këtij ligji, i cili favorizon politikën në atë shkallë, ku detyrimi mbi shtypjen bëhet energji që furnizon dhe mbështet qëndrimin në pushtet të udhëheqësve politikë.
Ka ardhur koha që lojrat e pushtetit të politikanëve anembanë botës të marrin formën e dështimit, pasi politika nuk është armë që mbron njerëzimin, përkundrazi, po lufton dhe vret me anë të ligjeve që shpërbëjnë fuqinë matëse të energjisë së potencialit njerëzor. Kjo fuqi nuk mund të shkarikohet nga politika, pasi politikbërësit janë të shfuqizuar përpara ligjit të Zotit të krijimit. Forca që ushtrojnë me anë të ligjit të pushtetit të tyre, është medalja që kanë varur në qafë.
Çdo politikan që i shërben ligjit kundër njerëzimit, është shpallur fajtor në emër të drejtësisë Hyjnore, ku vetë Ati vendos me pushtetin e drejtësisë së Tij.
Çdo pushtetar që i shërben pushtetit ku zbatohen ligje kundër njerëzimit, është shpallur fajtor në emër të drejtësisë Hyjnore.
Pushteti njerëzor është laku në fytin e çdo njeriu që lëngon nga padrejtësitë e lojrave pushtetare.
Ka ardhur koha të ndahet gruri nga egjra. Ka ardhur koha që lëvizjet e politikës të njohin devijimin e lojës së tyre të rreme, nga Dora që mban busullën e drejtimit të krijimit.
Ata që nuk besojnë tek kjo e vërtetë, janë dhe quhen shërbëtorë të padijes që lufton dijen e krijimit.
Nuk ka mbetur edhe shumë kohë të ndahet i dituri nga i padituri. Vetë e vërteta do largojë mjegullën e paditurisë, për të çelur sytë e çdo krijese, dëshmi e gjallë e dashurisë së pamatë që sundon në krijim. Amen!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.