Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit aktual të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, e ka propozuar atë si kandidat të partisë për president në zgjedhjet e ardhshme. Këtë njoftim partia e Gjukanoviçit e bëri përmes llogarisë në Twitter. Vendimi u mor gjatë mbledhjeve që kjo parti ka mbajtur më 24 shkurt. Gjukanoviç mori mbështetje unanime nga partia e tij për të hyrë në garë për një mandat të ri pesëvjeçar në
krye të shtetit.
Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi janë caktuar për 19 mars dhe kandidatët duhet të dorëzojnë aplikimet për të marrë pjesë në zgjedhje deri më 26 shkurt pranë Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Deri më tani, kandidatët e konfirmuar për zgjedhjet presidenciale janë lideri i Frontit Demokratik pro-rus, Andrija Mandiç, dhe zëvendëskryetarja e Partisë Socialdemokrate, Draginja Vuksanoviç Stankoviç.