Ky është mjeti i kryeplakut të Vermoshit në Malësinë e Madhe i cili është gjetur i djegur. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë rreth orës 14:30 në qendër të Vermoshit, pjesë e njësisë Kelmend në Malësinë e Madhe teksa mjeti i shtetasit Prekë Vushaj, 74 vjeç është shkrumbuar nga flakët. Makina tip Toyota Rav 4, fouristradë ndodhej e parkuar në qendër të fshatit kur persona ende të paidentifikuar i kanë vënë flakën.Në vendin ku ndodhej mjeti i djegur nuk ka patur kamera sigurie megjithatë policia po bën kçyrjen e kamerave të sigurisë të disa bujtinave që janë në atë zonë për të parë të gjitha lëvizjet e mundshme dhe për të arritur në identifikimin e autorëve.
Një gjë e tillë mbetet e vështirë për shkak se Vermoshi është një terren malor i hapur ku mundësitë për t’u larguar janë nga të gjitha anët.I pyetur nga efektivët e policisë kryeplaku i Vermoshit Prekë Vushaj ka deklaruar se dyshimet e tij janë se kjo është një ngjarje e qëllimshme. 74 vjeçari nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët dhe nuk ka dhënë ndonjë emër si të dyshuar por fakti që mjeti i tij është djegur me lëndë djegëse benzinë ka bërë që të mendojë se kemi të bëjmë me një ngjarje të qëllimshme.Pasi kryeplaku ka njoftuar policinë efektivët kanë mbërritur në vendin e ngjarjes duke bërë të gjitha hetimet por deri më tani nuk kanë arritur ende të identifikojnë autorët e mundshëm që shkrumbuan fouristradën e 74 vjeçarit.
Ndërkohë policia një prej pistave kryesore të hetimit për djegien e këtij mjeti ka ngjarjen e ndodhur në fillim të tetorit të vitit të kaluar kur një avion i vogël që dyshohet se transportonte drogë drejt Malit të Zi u rrëzua aksidentalisht në një fushë të Vermoshit. Policia nuk ka gjetur as drogën dhe as autorët pasi dyshohet se persona ende të paidentifikuar e kanë larguar me disa fouristrada duke ikur në drejtim të paditur.Edhe pse kanë kaluar 6 muaj nga ajo ngjarje ende nuk ka persona nën hetim. Kryeplaku i Vermoshit pas rrëzimit të avionit ka shkuar në vendin e ngjarjes pasi këtë ia ka kërkuar vetë policia dhe drejtues vendor duke qenë se efektivëve u duheshin disa orë për të mbërritur aty. Kryeplaku është kërcënuar edhe në rrjete sociale përmes komenteve të ndryshme nga adresa fallco duke i thënë se “do t’ia shohë sherrin” por që nga ajo kohë nuk ka patur presione apo kërcënime direkte. Policia po heton për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje.