Nga: Zana Tako
Nëse kombet përplasen si dallgët për drejtësi, është shpirti i tyre që errësirën nuk e quajnë dritë. Nëse drejtësia mungon, është shpirti njerëzor që kërkon bashkim për të prodhuar forcë në revoltë. Nëse një popull, një komb në çdo vend të botës ndien shtypjen e lirisë, janë vetë të shtypurit që duan të rrëzojnë nga supet zgjedhën që ua gërryen shpirtin. Qeveritë i shtypin revoltat jo me paqe por me dhunë. Dhuna është simboli i mohimit të lirisë. Dhunë ushtrohet për të nënshtruar, për të mposhtur. Një popull që duartroket për mirëqenie nuk dhunohet. Por një popull që kërkon mirëqenie nëpërmjet revoltës qytetare, shtypet dhe dhunohet. Protestat prodhojnë fuqi, prodhojnë ndryshim, i hapin rrugë mirëqenies dhe zhvillimit. Ndryshimet nuk vijnë nga lart, por nga poshtë, me anë të së cilës kuptojmë, se pushteti nuk dorëzohet. Të rrëzuarit janë ata që vetëshpallen fajtorë kombesh dhe popujsh. Sundimtarë të njohur e të panjohur, e kanë shpallur sundimin si qëndresë e pushtetit të më të fortit. Por ata që nëpërmjet dhunës përfitojnë nga pushteti, nuk quhen pushtetarë, por quhen diktatorë. Njohim shumë prej tyre, që nga koha e militantizmit të flaktë të etjes për pushtet. Pushtetin e ëndërrojnë ata që nuk vijnë rastësisht në atë fron që lakmojnë. Rruga që bëjnë për të realizuar ëndrrën e tyre, është shtegu me shumë prapaskena që nuk njihen nga të gjithë, por ata pak që i njohin, luajnë letrat jo me sy mbyllur, por duke punuar natë e ditë, që skema e pushtetit të funksionojë pa thyer asnjë rregull nga rrethana të papritura. Ligjet e pushtetit janë formula, ekuacioni i të cilave është i pazgjidhshëm dhe me shumë të panjohura për rebelë dhe reformatorë. Nuk njihen dështime. Letrat luhen sipas rradhës. Nëse dështon njëra prej tyre, ilaçi i dezinfektimit është gati për të zëvendësuar numrin e rradhës. Etja për pushtet është grafik ku njihen arritje e jo zbritje. Kjo etje nuk njeh pastërti. Virtyti nuk lakmohet, degjenerimi mbrohet. Prapaskenat janë module fjalësh e fjalish me ultratinguj, që motivojnë shpirtra drejt ambicieve për të hapur sa më shumë porta të mbyllura, kodet e të cilave nuk mësohen përmendësh. Numri i kodeve ndryshon sipas arritjeve. Lufta në ngjitje nuk shpall dezertorë. Ata që luftojnë për të mbërritur në majë, janë përdorues të zotë të kodeve ku ruhen sekrete që nuk tradhtohen, por mbrohen me jetë. Jeta për ta nuk është një cikël i shkurtër. Jetëgjatësia nënkupton edhe arritjen e qëllimeve të përcaktuara me marrje pushtetesh, me ngrirje llogarish me fitime të pamohuara, drejt një renditje ku masa që zëvendëson kriterin, bëhet lëvruese e rrjedhjes së çdo llogarie fitimprurëse nga i vetmi drejtim, që simbolizon sot krizë për pushtet. Kjo krizë që ka kapluar mbarë njerëzimin, po e shpie botën drejt një gremine të thellë, ku nuk gjen dot shkallë për t’u ngritur pas rënies. Lufta për pushtet, do shpallë falimentin e atyre individëve, që qëllimin e kanë kthyer në mjet për t’u mbrojtur nga llogaridhënia, për dhunën e diktaturës më të egër që ushtrohet për mbrojtjen e lirisë së çdo individi në mbarë globin. Nuk mund të lexojmë pa kuptuar, ndryshe do të quheshim të humbur mes pasurisë që na është dhuruar!