Nga : ZANA TAKO
Mjeti i shërben qëllimit, por qëllimi është aleat për të pambrojturit. Kjo sintezë parakalon në kohë fushate, ku zgjidhja nuk quhet më problem për të fuqishmit, por bëhet armë për t’u mbrojtur në kohë të vështira.
Me qëllimin kuptojmë kapërcimin e situatave të ndërlikuara, të cilat krijohen nga konflikte të brendshme por jo të sajuara. Konflikti është rrjedhojë e punës që kërkon përgjegjësi maksimale në udhëheqje, e cila nuk mund të mos kontrollojë degë e nëndegë, të krijuara nga nevoja e përballjes me përgjegjësitë.
Partitë e nisin rrugëtimin e tyre në nevojë e jo në dëshirë. Dëshira mbetet dhe quhet e tillë, kur qëllimi kthehet në ide, e cila duhet zëvendësuar me punë kreative brenda strukturave, të cilat as manipulohen e as vetëkontrollohen.
Të ecësh me sy në ballë e jo prapa shpine, di të dallosh dhe jo të kundërshtosh. Dimë atë që duhet të dimë, por nuk dimë atë që luhet në fshehtësi. Papërputhshmëritë në politikë, shkaktojnë probleme me anë të të cilave kuptojmë shkaqe influencash të brendshme dhe të jashtme. Nëse dikush vëren se masa e programit partiak e tejkalon volumin e zgjedhjes, atëherë kemi kapërcyer kufirin e bindjes, i cili e detyron çdo individ të tejkalojë principe, të cilat nuk janë lule që duhen mbledhur fushave. Çdo parti i kanalizon programet e saj përmes burimit të informacionit strategjik, i cili shpie në përparim e jo në degjenerim. Përparimi është natyrë e të drejtit, i cili luan rol tepër të rëndësishëm në qasjen e elementëve novatorë, të cilët kryejnë qark të shkurtër në realizimin e objektivave.
Nëse sipërmarrjet godasin në kohë krize, atëherë goditja quhet vdekjeprurëse për më të dobtit. Por nëse kriza e konkurencës godet të zgjedhurit të cilësuar si novatorë, atëherë përparimi quhet zhgënjim. Organizimi i forcave që prodhojnë energji, i nevojitet atyre që besimin e kanë fikur njësoj si zjarri i vatrës në orë të vonë.
Arena e politikave të vjetra dhe i politikave të reja, zbardh ngjarjet në kohë të plotë, ku vërehen mangësi të pariparueshme. Të vjetërohesh në kohë kur mendimet nuk vjetërohen, do të thotë se largpamësia është parë me sy prej të verbri. Mosha e njeriut janë ato vepra të cilat lenë gjurmë, nga ku dallojmë shërbimin që duhet të kryejnë partitë politike kudo në botë, të cilat vjetërohen pa e shkëputur fillin e marrëdhënieve me njëra-tjetrën.
Në marrëdhënie politike qartësohen kapilarët e çdo kombi, zhvillohen aspirata shumëshekullore, marrin përparësi zhvillimet ekonomike, por jo ato interesa që shpien në prishjen e mureve apo themeleve të kombeve. Jeta sot bëhet e vështirë nga politika që shohin me sy të verbër ata që ulërasin për drejtësi. Drejtësinë nuk e quajnë barazi kombesh. Fatin e njeriut nuk e quajnë dashuri në lulëzim. Të drejtat e njeriut nuk i quajnë liri e patjetërsueshme e çdo individi. E përsa kohë politikat e mbrapshta thurrin plane për të krijuar zinxhirë me të cilët do prangosen skllevër që i shërbejnë majmërisë së politikbërësve, bota do rrotullohet rreth vetes për të dalluar të mirën nga e keqja, shërbyesin dhe sunduesin.
Liria nuk është fjalë me pesë gërma, por është rreze drite e formuluar nga gjaku dhe sakrifica e mijra e mijra njerëzve që i kanë shërbyer rrënjës së saj. Kjo rrënjë nuk shkulet nga politika globaliste, por forcohet edhe më shumë, sa herë dhimbja bëhet zë që kumbon për ata që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar!