LIRIA, FORMA MË E LARTË E MENDIMIT NJERËZOR

0
Të flasësh për lirinë, duhet të kuptojmë përmbajtjen e fjalës së lirisë, e cila depërton në çdo qelizë të qenies njerëzore, duke larguar mosbesimin dhe frikën, dy armiq të përbetuar të lirisë. Me frikën ushqejmë mosbesimin, dhe me mosbesimin ushqejmë frikën.
Analiza e burimit të këtyre dy faktorëve dominues në jetën e njeriut, prodhon ide të qartë, se kur shkalla e zhvillimit të mendimit njerëzor kapërcen kufijtë e asaj që e quajmë ndëshkueshmëri, atëherë e vërteta lulëzon në sythet e sapoçelura të mendimit të lirë, ku vetë liria ushqen shpirtin pa e mburrur atë, por duke e përkëdhelur me gjuhën e dashurisë, e duke ujitur rrënjën e kësaj dashurie me ujë burimi dhe kthjelltësie.
Liria nuk buron nga mendimi i njeriut, por njeriu ushqehet me lirinë që në ngjizje, që në barkun e nënës. Fjalët e para i shqipton në liri, buzëqeshjet, qarjet i shpreh në liri, belbëzimat i shpreh në liri, e derisa rritet e bëhet në moshë pjekurie e më tej, shijon dhe gëzon lirinë e përplotë në të gjitha aspektet e jetës.
Në liri njeriu beson por nuk kushtëzon. Kapërcimi i kufijve të lirisë, vjen si pasojë e ritmit të besimit tek vetvetja. Njeriu nuk prodhon dituri, por diturinë e ka dhuratë. Në liri njeriu e përdor këtë dhuratë sipas dijes që përvetëson, por dija e përvetësuar me kusht, i cili vjen si pasojë e zgjedhjes, trashëgon edhe kulturën e besimit, i cili rritet ose zvogëlohet sipas zgjedhjes që njeriu bën në liri të plotë shpirtërore.
Liria është potencial mendimi, i cili zhvillon ide ku marrin jetë qëllimet në përputhje me dinjitetin e njeriut. Kemi lider historikë që lirinë nuk e dhuruan, por e mbrojtën si gjënë më të çmuar në jetë, duke u bërë shembull i vetësakrifikimit dhe i vetëflijimit.
Liria nuk përdoret por jetohet. Jeta në liri nuk quhet skllavëri. Mësimi i skllavërisë rrit vlerën e lirisë. Nëse njeriu humb lirinë, ka humbur dritën e syve, hapësirën e mendimit, ka humbur dritën e qartësisë. Liria nuk është loja e shortit të të marrëve. Njeriu duhet të kuptojë, se pa lirinë nuk mund të hapë dot më dyert e jetës, pasi jeta jetohet në liri. Por njeriu i kohëve të sotme, jeton me iluzionin e lirisë, pasi dyert po i mbyllen një e nga një, dhe pa kuptuar, hija e errësirës do ia mbyllë të gjitha dritaret për të parë qiellin e kaltërsisë, ku shkruhen në liri fjalët e dashurisë.
Por përse kemi mbërritur në këto kufij, ku po ndahet e vërteta nga gënjeshtra, dija nga padija, hakmarrjet, xhelozitë, tradhtitë, lakmitë nga dashuria? Pasi njeriu lakmoi aq shumë, sa lakmia ia vodhi dritën e arsyetimit në liri, për të mbajtur të shenjtë dhuratën dashuri. Por dashuria nuk është lakmitare, e njeriu dashurinë e mohoi sepse lakmoi. Xhelozia e njeriut për gjithçka që dëshiron në lakmi, ia ktheu krahët dashurisë, por dashuria nuk quhet vetmitare, sepse Universi është i paanë dhe i pafund, e xhelozia e njeriut mbetet në vetminë e krenarisë për vetveten, e lakmisë së pasurisë për vetveten.
Njeriu lakmon dijen e papastër, atë që e bën të shfrenuar nga dëshirat dhe pasionet e tij, e kjo dije quhet për të patënzonët. Në saj të saj njeriu bëhet i pabindur, tradhton, ngre kurthe, keqinterpreton, manipulon, ngarkon zgjedhë të cilën nuk është i zoti ta tërheqë, e kësisoj mbetet i papunë për punë të nderit e të lavdisë së të Zotit të shtëpisë. Kjo tradhti ia mohon lirinë që e ka dhuratë-bekim nga Krijuesi i tij. Ky rrugëtim për të mbyllur dyer, është rrugëtim i errësirës që burgos shpirtin njerëzor në tejskajshmëri.
Lufta mes lirisë dhe skllavërisë është në pikun e saj. Të patënzonët kanë sajuar një “fron nderi” ku hipin të paudhët, të molepsurit, trushpëlarët, mëkatarë të një soji të shpërfillur nga të drejtët që zotërojnë mendimin e dlirë të lirisë së shpirtit njerëzor.
Froni nuk nënkupton lavdinë e mëkatit, por atë të dinjitetit njerezor, i cili zbukuron e nuk bën pis krijesën që i bindet Urdhëresave që shpien në gjurmët e lirisë.
Frika është bijë e skllavërisë, që sot po shitet si bijë e “virgjër” për punë të pastra. Por papastërtia bie erë të rëndë. Parfumi i imoralitetit është i skaduar e nuk vlen për shumë kohë. Njeriu do përballet me këtë manipulim papastërtie të gjuhës së skllavërisë, duke kuptuar se çfarë do të thotë të mos njohësh lirinë dhe vlerat e saj.
Jemi në prag të daljes në dritë të kësaj përballje kaq të madhe në histori. Gjuha gënjeshtare është zgjatur shumë, por e vërteta është aq e madhe, sa i gjithë krijimi mbarë. Dora që e pret këtë gjuhë të mbrapshtë për të mos bërë më pis shpirtrat njerëzorë, është gati me gërshërët e kohës për ta prerë, duke dhuruar mësim, se pa të vërtetën, pa lirinë dhe të drejtat e saj, njeriu nuk mund të jetojë dot në krijim. Amen!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.