Nga Rita Filipi
Ishte një emocion i veçantë pjesëmarrja si juri në konkursin “Libri i karantinës”… dhe sidomos që i vlerësuam dorëshkrimet pa emra. Në fund ishte shumë bukur të shihje pranë titujve emra shkrimtarësh që i njihje apo që nuk kishe lexuar asgjë për ta. Jashtë 3-shes apo 10-shes që u përzgjodhën me meritë, e them me bindje se mbetën dhe disa dorëshkrime të tjera shumë të mira që kam besimin se do të mirëpriten nga lexuesi kur të botohen.
Më poshtë fjala ime në ceremoninë e çmimeve.
Përshëndetje të gjithëve
Ndihem e nderuar që isha pjesë e jurisë me kolegë e miq të letrave, Fatmira Aliaj, Ylli Demneri, Loer Kume dhe kolegu nga Kosova, Durim Abdullahu.
Plot 82 dorëshkrime në prozë na u paraqitën në konkurs. Ajo çka na befasoi si juri ishte serioziteti i shumicës së pjesëmarrësve; secili prej tyre ishte munduar të paraqiste një material të punuar përgjithësisht mirë, pavarësisht se mbetet në kuadrin e një dorëshkrimi dhe jo të një libri, i cili kalon të gjitha proceset e botimit për t’u bërë i përshtatshëm për shtyp.
Një nga kriteret që vendosëm së bashku si juri ishte që dorëshkrimet nga sekretaria e Qendrës të na dorëzoheshin pa emra. Pasi klasifikuam librat më të mirë, atëhere na u paraqitën emrat e shkrimtarëve. Midis shkrimtarëve të afirmuar, kishte plot emra të rinjsh, dhe kjo për ne ishte befasuese, sidomos kur i shihje ata përkrah dorëshkrimeve që kishim dalluar. Gjithashtu, kishte dhe pjesëmarrje dhe të autorëve nga Kosova.
Me thënë të drejtën ishte një nga vendimet më të drejta për të cilat nuk pendohemi, pasi shpesh emri është paragjykues dhe fillimi i minuseve apo i pluseve për një libër ende pa e lexuar.
Shkurtimisht po përmbledh disa çështje që lidhen me ato dukuri të përgjithshme të prirjeve letrare që vumë re në konkurs:
Sjellja e dorëshkrimeve – romane, që shkonin nga 100 fq – 350 fq. Midis tyre binin në sy romanet me temat aktuale shqiptare (të dramave politike, familjare, individuale, temat dramatike që lidhen me luftën e Kosovës, tërmetet dhe së fundi, pandemia) , të shkruara me stile të ndryshme, shumica si vazhdimësi e traditës, por midis tyre dua të theksoj romanet që krijonin një lloj shmangie dhe të befasonin me mënyrat moderne të rrëfimit;
-roman me temën e ditës, ku personazh i riu mbijeton përmes punëve të rëndomta, fati i tij në dorë të pronarit të kompanisë dhe zgjidhja mbetet vetëm ikja në perëndim; rrëfim i natyrshëm, pa sforcime, dialogu me të folmen e gjuhës së përditshme pa stërhollime libreske apo sentimentale e romantike edhe kur flitet për marrëdhëniet intime.
-roman (në vetën e parë) mbresëlënës nga ironia dhe sinqeriteti i personazhit rrëfyes, me temën për komunitetin rom, vështirësitë, paragjykimet për ngjyrën e lëkurës dhe fati i trashëgimisë që i përndjek, por që gjithnjë ka shpresë për ndryshim;
– roman me nëntekst të fuqishëm filozofik, simbolik, metaforik, fantashkencë, ku imagjinarja kombinohet natyrshëm me probleme të jetës së përditshme (dhuna familjare, konvencionet shoqërore, mbijetesa dhe ambicia e individit për të ndryshuar botën/mikromjedisin);
– roman/kronikë shkruar në vetën e dytë me një stil mjeshtëror që e bën lexuesin të ndihet aktiv e pjesëmarrës në ngjarjet që ndodhin në një kohë dhe në një hapësirë të caktuar;
-roman me elemente të rrëfimit ngjashëm me romanet dedektivë, etj.
– roman për të rinj (që aq shumë i mungon tregut të kibrit) me problematikat e gjimnazistëve, marrëdhëniet e tyre me prindër e mësues, tema e përdhunimit, përdorimi i drogave, roli negativ i rrjeteve sociale si shkelëse të privatësisë etj.
Sjellja e dorëshkrimeve – tregime; shumica prej të cilave ishin të një cilësie befasuese. Tregimi kohët e fundit sikur ishte zbehur, por tani e shohim me shumë shpresë ringjalljen e tij. Përveç tregimeve që ndjekin denjësisht traditën tonë, por të sjella me një stil krejtësisht origjinal,
kishte rrëfime metaforike, surreale, me një stil tregimtar modern, mbështetur në objekte apo hapësira të jetës së përditshme, që përcjellin në mënyrë mbresëlënëse mëkatet fillestare apo ato të njeriut modern, pështjellimin e këtij të fundit në një botë ku natyrorja, e buta, delikatja ndotet nga bota industriale apo virtuale.
Ajo çka vihet re në këto rrëfime por dhe në librat që janë botuar së fundmi, është se sa shumë na është zgjeruar hapësira ku ndodhin ngjarjet në rrëfim; pra nga romanet e tregimet që dikur rrotulloheshin brenda kufijve tanë, tani ato kanë kapërcyer në vende e shtete të tjera; fati i personazheve shqiptarë plekset me fatet e personazheve të huaj, ashtu siç ndodh në realitetin që po përjetojmë në këtë 30 vjeçar të fundit.
Të pranishëm në konkurs ishin disa dorëshkrime në tregime dhe romane për temën aktuale të pandemisë. Raporti i tyre me dorëshkrimet e tjera ishte shumë i vogël, që tregon se autorët i kanë patur materialet të filluara me kohë dhe i kanë mbaruar gjatë kohës së izolimit, për t’iu përgjigjur ftesës së konkursit. Që e mendoj këtë dicka të mirë, pasi vetë jam krijuese dhe mendoj se kemi nevojë për disa data kushtëzuese t’i japim fund një libri.
E them me bindje si krijuese dhe botuese se midis atyre dorëshkrimeve (përtej listës me 10 tituj) ka dhe të tjera, që duhet të shohin dritën e botimit.
Në mbyllje falenderoj kolegët e mi të jurisë për debatet profesionale dhe të mirëkuptuara për të arritur në një vendim të përbashkët (që për hir të së vërtetës nuk e patëm të lehtë të arrinim te lista e 10-shes dhe e 3-shes), drejtoreshën e qendrës znj. Alda Bardhylin që na besoi gjykimin, znj. Erina Shehaj që na e lehtësoi aq shumë si juri mbarëvajtjen e punës në lidhje me dokumentacionin e të gjithçkaje tjetër.
Dhe dua ta mbyll me falenderimin për ministren e kultrurës znj.Elva Margariti, për vemendjen dhe përkushtimin ndaj librit, dhe këtë falenderim e kam edhe si krijuese, edhe si botuese.
U uroj fituesve Ervin Nezha, Lum Gashi, Vera Bekteshi sa me shumë lexues për librat e tyre që do të jenë të pranishën në Panairin e librit të Tiranës.