Kur prek Çamërinë

0

NAMIK SELMANI 

Nuk dua buzuqet ku ngrihet dallga e këngës

Kur pjatat thyhen nga hapat e valles palikare.

Dua të shtrihem qoftë një natë në Tokën e Ëndrrës

Në Globoçarin çam të zgjohem mes portokalleve.

Nuk dua të më mbeten sytë ziliqarë pas vetrine.

As të shoh markat e makinave luksoze në semaforë.

Dua aromë borziloku e manxurani në vatra Çamërie

Të mos më vijë droje nga loti i mallit parajsor.

Nuk dua të shoh tragetet  e mbushura me reklama

Nuk kam nevojë për tabelat që tregojë rrugë.

Ja këndej xhixho Rexhua ecte mes mjegullave të bardha.

Me një këngë dashurie si trëndafili në buzë.

Sikur shoh lotë nënash që derdheshin atë ditë qershori

Tek linin pas krahëve tym lufte, furrat dhe pragjet.

Dua të vë në  flokë kurorë me lule shege e ftoi.

Të prek duardridhur livadhet, arrat, fiqtë e bajamet.

Mos më shihni si lypsare ne sy të trishtuar mëshire!

Kam shushurimën e krojeve në brigjeve të blerta.

Në palcën e palcës kam Jonin me rreze drite.

Kam amanetin që vjen në zemër si lule të freskëta.

Dhiolitë presin, presin për Festën e Kthimit

Në rrënoja gurësh ka ende ce djepe të fshehur.

Gurët e luturvive edhe me gjokset do i lëvizim

Për ëndrrën e shpirtit  që si moshkall është mbledhur.

Dhiolitë-orkestra popullore që përdoreshin ë Çamëri

Luturvi-punishte për vaj ulliri

Moshkall-peng. lëmsh, brengë.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.