KUR NUK TË VLERËSON VENDI YT, MOS PRIT TË TË VLERËSOJË EUROPA DHE BOTA

0
Nga:Vasil Premçi:  – Botuar në  gazeten”Fjala”- Intërvistë e Prof. Dr. Nikolla Spathari, dhënë shkrimtarit Vasil Premçi –
Nga shkrimtarë, poetë apo qarqe letrare në vend, qarkullon mendimi se, “Kalaja letrare”, (njohja dhe fama), siç shprehen disa prej tyre, në mënyrë figurative, mund të pushtohet nga jashtë. Bëhet fjalë për disa prej shkrimtarëve shqiptarë, që janë përkthyer në disa vende europiane. Cili është mendimi juaj?
Nikolla Spathari: Po, e kam dëgjuar, në rrethet e shkrimtarëve këtë mendim, që u dashka ta pushtojmë nga jashtë opinionin shqiptar me librat tanë, të përkthyer në gjuhë të huaja. Po pse more, këta shqiptarët nuk i lexojnë librat tanë në gjuhën e nënës, po duhet t’ua sjellim në gjuhë të huaj!? Apo, me që vepra është përkthyer në një gjuhë të huaj, domosdoshmërisht është e bukur. Krijimtaria është e pavdekshme, kur shkruhet bukur. Dhe ajo shkruhet bukur, kur autori, sëbashku me talentin e lindur dhe punën, ka edhe ndërgjegjen krijuese.
Lavdia! Ata, që e kanë mendjen si ta kërkojnë e ku ta kërkojnë, s’kanë për ta arritur kurrë. Më të predispozuar për ta arritur janë ata poetë, shkrimtarë, kompozitorë e piktorë, që e kanë mendjen te krijimtaria e jo tek lavdia. Mendimi im është se lavdia e vërtetë, nuk të vjen as nga jashtë as nga brenda, po nuk e pati në vetëvete krijimtaria jote. E megjithatë hesape të tilla matematike për lavdinë, bëjnë vetëm mediokrit. Të talentuarit nuk e kanë mendjen te ajo dhe mirë bëjnë. Por edhe mediokrit, që harxhojnë kohë për t”u rropatur pas lavdisë “mirë bëjnë”, sepse koha nuk u duhet për të krijuar letërsi të vërtetë.
Kur nuk të vlerëson fahati, qyteti e vendi yt, mos prit të të vlerësojë Europa apo Bota. Shkrimtari shkruan për popullin e vet, por nëqoftëse vepra e tij ka diapazon të tillë, që u vlen popujve të tjerë aq më mirë.
Po kujtoj këtu çfarë shkruan shkrimtari amerikan Elie Viese. Ai thotë: “Ku duhet tё filloj? Bota ёshtё aq e madhe. Do tё filloj me vendin tim, qё e njoh mё sё miri. Po vendi im ёshtё aq i madh. Po filloj mё mirё me qytetin tim. Po qyteti im ёshtё aq i madh. Mё mirё po e filloj me rrugёn time. Jo, me shtёpinё time. Jo, me familjen time. Ah, po! Po filloj me veten time…”.
Rapsodët tanë të hershëm, nuk janë kujdesur të lënë as emrat në krijimet e tyre, por ama na kanë lënë perla të tilla si “Ciklin e Kreshnikëve”:
Fort po shëndrit ky diell e pak po nxen,
Ç’po e merr fryma rrapin e Jutbinës,
Borë e madhe paska ra.
Randojnë ahat për me u thye,
Kishin çetinat vetëm kreshtat…
Thesare të tilla, lanë pas vetes, krijuesit e hershëm, në vetminë e maleve, pa menduar për lavdinë. Krijimtaria e tyre i mbeti popullit si një monumemt dhe ky duhet të jetë qellimi i madh i krijuesit. Po qe se është i zoti ta realizojë këtë qellim, lavdia vjen vetë. Ç’rëndësi ka se nga vjen, nga jashtë apo nga brenda?!
Një episod mallëngjyes me Isuf Myzyrin, autorin e famshëm të shumicës së këngëve qytetare të Elbasanit, e nënvizon në mënyrë të thjeshtë, por tepër madhështore modestinë e skajshme të krijuesit të vërtetë. Ishte viti 1955. Në mos gabohem vetëm një vit para se gjeniu i këngës popullore të Elbasanit të mbyllte sytë përgjithmonë, duke i lënë popullit shpirtin e tij të madh në këngë. Një grup prej 4-5 shkodranësh shkuam për një çështje pune në Elbasan. Njëri nga ata, me të cilin kisha lidhje familjare, më mori edhe mua si fëmijë për të parë Elbasanin. “Për të parë botë me sy”, siç më tha ai. Meqenëse ishte verë, në mbrëmje, grupi ynë i vogël u ul në një bar-lulishte të vogël, të cilës tani nuk ia mbaj mend as emrin, as pozicionin ku ndodhej. Kur pija filloi të bënte të vetën, grupi ynë i vogël nisi këngën. Duhet thënë se është zor të gjesh shkodran, që, kur shtrohet tryeza, nuk di të këndojë e të bëjë humor. Ndaj, më kujtohet që, atë natë të largët të viteve pesëdhjetë, grupi ynë i vogël e bëri fora në Elbasan, me këngë qytetare shkodrane. Vura re se një plak i hajthëm dhe i veshur në mënyrë karakteristike, që rrinte i vetëm në tryezën përballë, e shoqëronte këngën tonë me lëvizjet e trupit të tij të lodhur, por të shkathët. Ai më bëri me shenjë mua, që e vështroja disi i hutuar. Ndofta ngaqë ngjyra e bardhë që mbizotëronte në veshjen e tij më ngjalli ndjenjën e qefinit. Unë iu afrova me frikë, por ai më ledhatoi me dorën e tij të rreshkur dhe më fali tri hudhra, për t’ia dhuruar grupit. Dhurata kaq modeste e plakut zemërbardhë duket se njëkohësisht ishte edhe një ftesë për grupin tonë që t’i linte njëherë këngët shkodrane dhe t’ia merrte elbasançe. Kënga “S’paske pasë një pikë mëshire” çau natën e Elbasanit dhe u përhap në sokakë. Se si më shkuan sytë tek plaku dhe, për çudinë time, pashë se po fshinte lotët.
– Ai po qan, – thashë unë, por të gjithë i kishte rrëmbyer kënga dhe askush s’më dëgjoi.
Kur mbaroi kënga, plaku u çua i përlotur dhe erdhi për të na takuar gotat.
– Qofshi jetë gjatë! – uroi ai. – Nuk kam menduar se këngët e mia kanë arritur deri në Shkodër.
– Pse, kush jeni ju? – pyeti njëri nga grupi ynë
– Kam qenë dikur Isuf Myzyri, sepse tashti, siç e shihni, pothuajse nuk jam – tha plaku dhe sytë iu përlotën përsëri.
Me këtë episod, desha të them se krijuesit e vërtetë, nuk kanë menduar kurrë se sa larg mund të shkonte lavdia e krijimtarisë së tyre. Madje ishin aq modestë sa u mjaftonte bota e vogël e një qyteti.
Vasil Premçi: Mjaft shkrimtarë të mirë kanë ardhur nga poezia. Siç dihet, fusha e poezisë është më e vështirë se ajo e prozës. Përse këta poetë braktisin poezinë dhe shkruajnë në prozë?
Nikolla Spathari: Çdo gjë që ndodh në jetë, ka arsyen e vet pse ndodh. Gjeneza e universit letrar, pa dyshim është poezia. Por edhe vetë njeriu është një univers, i cili s’u shmanget dot ligjve të përgjithëshme të zhvillimit.
Ashtu si popujve, që në foshnjërinë e tyre, krahas gdhendjes, fillimisht, u vajti mendja te poezia, edhe çdo të riu, kur fillon të shkruaj, te poezia e gjen angazhimin. Poezia u përshtatet më shumë ndjenjave rinore, sepse, me anë të saj, ndjenjat rinore shprehen aty për aty dhe figurshëm.
Të rinjtë, në përgjithësi, nuk preferojnë angazhime të gjata siç i kërkon proza. Por me kalimin e viteve, kur i riu ka fituar një përvojë në krijimtarinë poetike, kur ka arritur pjekurinë letrare, fillon e mendon për një kostum më të gjerë të kriimtarisë së tij. Pozia vërtet është gjini e vështirë dhe kërkon talent të fuqishëm, por, në hapat parë, të gjithë hyjnë atje. Shumica mbeten rrugës, vetëm disa arrijnë finishin. Asgjë nuk është e prerë me thikë. Bie fjala, tre shkrimtarët tanë të shquar, të shekullit njëzet: Migjeni, Ismail Kadre dhe Dritëro Agolli, nuk e braktisën pozinë. Vazhduan t’i lëvrojnë me sukses të dyja gjinitë. E rëndësishme është, që në çdo gjini që shkruan shkrimtari, duhet të shkruaj me cilësi. Është interesant se të gjithë shkrimtarët, që vinë nga pozia e vërtetë edhe prozën e kanë poetike, me fjalë të kursyera dhe të figurshme. Din të shkruajë ai, që thotë shumë gjëra me pak fjalë.
Vasil Premçi: Është një fakt i njohur se, disa shkrimtarë me famë botërore, si Ernest Heminguej, Dino Buxati, por edhe nga tanët, si Petro Marko etj. kanë ardhur nga fusha e gazetarisë. Ndërkaq, një nga shkrimatarët më të mirë francezë, Emil Zola, pak a shumë shprehet kështu për profesionin e gazetarisë: “Gazetaria është një kaminë (furrë për djegien e gurëve për gëlqere Shën. im.) e cila kërkon një përkushtim të madh, të merr të gjithë kohën, të ndan nga familja dhe së fundi, të shkatërron edhe talentin.” Edhe Heminguei, por edhe Buxati, kanë vënë në dukje se për t’i shpëtuar këtij “rreziku”, duhet të dish të gjesh kohën e duhur për të ikur prej saj. Cili është mendimi juaj?
Nikolla Spathari : Jo unë, po çdo shkrimtar, sado i madh të jetë, do gjendej ngusht t’i kërkoje mendim për definicionet, që kanë dhënë kollosë të tillë si Emil Zola, Ernest Heminguei e Dino Buxati. Megjithatë, duke perifrazuar Zhvejkun, do të thosha: Marr guximin, jo t’i kundërshtoj, por të shtoj diçka. Unë besoj se ata e kanë fjalën për kronikat dhe informacionet. që i zënë gjithë kohën gazetarit, sepse ato janë buka e përditëshme e gazetës. Ndryshon puna me publicistikën, e cila mund t’i shërbejë shkrimtarit si paradhomë e veprave letrare.
Në përgjithësi, puna në gazetë, në të tëra kohrat, ka qenë e lidhur me bukën e gojës. Në kohën e Emil Zolas, Ernst Hminguejt dhe Dino Buxatit, një shkrimtar fillestar, nuk e nxirrte dot bukën me romane apo tregime. Kurse në sistemin socialist as që bëhej fjalë. Duhej të bëheshe shumë i njohur që të dilje në “profesion të lirë”. Kështu që tek ne në gazeta e revista kanë punuar, për vite e vite, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Petro Marko, Qamil Buxheli, Xhevahir Spahiu, Niko Nikolla, Gaqo Veshi (Hyskë Borobojka), Zija Çela etj. Është e vërtetë që gazeta të konsumon, por është po aq e vërtetë që edhe të ndihmon. Të bën të njohësh jetën dhe njerëzit deri në detaje. Pastaj gazetari, duke bërë punë për gazetën, mund të bëjë punë edhe për vete. Bie fjala, po të shkruash me frymëzim një fejton për gazetën, nesër mund ta kesh atë të gatshëm për ta bërë tregim humoristik.
Vasil Premçi: Cili është mendimi juaj në lidhje me kritikat ndaj shkrimtarit më të njohur shqiptar, Isamil Kadaresë, për retushimin e disa prej veprave të tij?
Nikolla Spathari: Përdorimi i fjalës “retushim” për një vepër letrare nuk më pëlqen. Të ripunosh nuk do të thotë të retushosh. Ismaili vetë i ka dhënë përgjigjen më shterruese këtij problemi: “Shkrimtari bën ç’të dojë me veprën e vet”. Unë nuk e di që Ismaili të ketë bërë retushime për t’u dukur se nuk ka shkruar për Partinë. Po ta kishte këtë qellim, mendoj se retushin e parë mund t’ia bënte një kryevepre të tij poetike, poemës “Shqiponjat fluturojnë lart”. Dhe s’donte ndonjë retushim të madh ajo: Hiq emrin Parti e në vend të saj vër’ emrin Shqipëri. Në serinë e veprës time të plotë, prej 20 volumesh, dymbëdhjetë nga të cilët kanë dalë nga shtypi, janë edhe pesë volume me publicistikë. Vetëm njeri nga të pësë vëllimet është shkruar pas nëntëdhjetës. Katër të tjerët përmbajnë shkrime të botuara në sistemin totalitar. Asgjë nuk do të ndryshoj. Madje as një titull, që unë e kam pasur “Kohët Tona”, por redaksisë i është dukur më bukur dhe e ka bërë “Kohët që solli Partia”, sepse brezat duhet ta njohin edhe atë kohë ashtu si ka qenë, e jo të retushuar.
Vasil Premçi: Për shkrimtarin ekzistojnë dy realitete, njëri ai, të themi, objektiv dhe tjetri subjektiv dhe që ekziston vetëm në kokën dhe laboratorin e shkrimtarit. Ka shkrimtarë të cilët, kur duan të rrisin vemendjen e lexuesve për subjektin e librave të tyre, shprehen diku në hyrjen librit se, “Ngjarjet e këtij libri janë reale”. Cili është mendimi juaj në lidhje me raportin midis realitetit objektiv dhe realitetit që përshkruan shkrimtari?
Nikolla Spathari: Ata shkrimtarë, që betohen se ashtu ka ndodhur, nuk kuptojnë se ka dy të vërteta: E vërteta jetësore dhe e vërteta artistike. Ai shkrimtar, që të vërtetën jetësore nuk e kthen dot në të vërtetë artistike, betohet se ashtu ka ndodhur, por nuk ja beson njeri, sepse artistikisht nuk ka nundur të na bindë. E vërteta jetësore, në laboratorin e shkrimtarit të talentuar shndërrohet në të vërtetë artistike dhe, si e tillë, bëhet e besueshme e s’ka nevojë për asnjë betim. Madje e vërteta artistike ka forcë të madhe. Ndonjëherë edhe pse e ndryshon krejtësisht realen, mbetet e besueshme. Mund të sjellë një shembull nga letërsia jonë. Ata që e kanë njohur Qazim Mulletin kanë pohuar se ka qenë një njeri i kulturuar dhe i shkolluar në Europë, njohës i disa gjuhëve të huaja. Mirëpo dramaturgu Besim Lëvonja na jep një prefekt gjysëm injorant. Natyrisht ka pasur prefektë të tillë, po jo Qazim Mulleti. Sikur t’i kishte ndryshuar edhe emrin real, ai personazh do të ishte një figurë aristike e skalitur. Në përgjithësi njerëzit kur kujtojnë Qazim Mulletin kanë gjithënjë, jo të vërtetin, po atë që ka bërë dramaturgu Besim Lëvonja. Ja ç’është e vërteta artistike!
Vasil Premçi: Ju keni lëvruar disa gjini të letërsisë, duke botuar poezi, tregime, romane, letërsi për fëmijë, publicistikë dhe studime, siç është libri juaj interesant “Malësia e Madhe siç e njoha unë”. Në cilën gjini e gjeni më shumë veten?
Nikolla Spathari: Shkrimtari, të gjitha gjinitë, që lëvron, i ka për zemër. Është si puna e dashurisë së nënës për fëmijët. Por, ashtu si çdo nënë, që ka dëshirë t’i ketë të gjithë fëmijët të bukur, edhe shkrimtari duhet të përpiqet që, të gjitha gjinitë që lëvron, t’i lëvrojë me sukses. Se sa e kam arritur unë këtë nuk e di, por mund të sjellë ndonjë shembull se çka thënë kritika:
Kryetari i “Etorisë së shkrimtarëve të Greqisë Përendimore, Leonidha Margariti, mes të tjerave, shprehet: “ Personalisht dua që poeti të më lejojë, duke perifrazuar titullin e këtij vëllimi të tij poetik, ta imitoj dhe ta paraqesim si më poshtë: “DO TË MBETET PËRGJITHNJË NIKOLLA SPATHARI”.
Prof. Dr. Gjovalin sjkurtaj “…Pastaj, Nikolla Spathari, edhe me poezinë e tij, arrin kulme të letrave shqipe, me një yllësi poezish nga më të pëlqyeshmet e me të qëlluarat.”
Prof. Dr. Flori Bruqi: “Nikolla Spathari, autor me një gamë të gjerë në fushën e letrave si shkrimtar humorist, poet, reporter, studiues, shkrimtar për fëmijë, si dhe me një hapësirë të gjatë kohë si krijues, ka bërë emër dhe është shquar me veprën e tij, por mendoj se me krijimtarinë poetike ka arritur vlerat më cilësore.
Gjergj Vlashi (Nderi i Kombit) : “Ai (Nikolla Spathari), në poezi, përgjithësisht është kursimtar në fjalë, heq gjithçka të tepërt, duke punuar si një gdhëndës”.
Sazan Goliku: “Krijimtaria poetike e Spatharit zë një vend të konsiderueshëm e cilësor në opusin e veprës së tij … Vizioni poetik i këtij poeti është i pandarë nga natyra. Ai e gatuan brumin e qelqtë të motivit me elemente, që e rrethojnë, të cilat i lirojnë ndjenjat”.
Bardhyl Agasi: “ Nikolla Spathari mund të cilësohet si një nga poetët aktualë, që i ka kënduar më shumë dashurisë, kësaj materje sa hyjnore aq dhe njerëzore, e cila në poezinë e Spatharit tingëllon gjithmonë rinore, e përhershme”.
Agim Bajrami: “Me që hoqëm një paralele mes poezisë së Rreshpjes dhe Spatharit dua të them se, pas vdekjes së Frederikut, pak kush mundi t’i ngrejë atij një monument poetik siç ia ngriti Nikolla Spathari, binjaku i tij në poezi, por me më shumë dritë. Ndofta sepse askush s’e kishte pasur më të afërt se ai, as në jetë as në poezi”.
Fatmir Minguli: “Spathari ka dhe luksin e të qenit studjues, për aq më tepër njohës i poezive epike të kreshnikëve të veriut. Ky luks i bashkuar me melodiozitetin poetik dhe mendimin lëvizës e bën poezinë e tij të veçantë”.
Vladimir Muça: “Në gjurmët migjeniane të poezisë, Shkodra riafirmoi, në fundshekullin XX dhe fillimet e shekullit XXI, si produkte të trashëgimisë poetike, dy poetë, sa të afërt aq të veçantë, Frederik Reshpen dhe Nikolla Spatharin, që vinë si krijues të së njëjtës shkollë poetike.Të dy ndjeksit më të denjë të artit poetik të Migjenit të madh”.
Pa e zgjatur më tepër, po sjell shkurt edhe disa konsiderata për gjininë e tregimit:
Dritëro Agolli shkruan: “Në librin e Nikolla Spatharit buron një humor elegant, plot paradokse, një humor i hollë, që kalon shpesh ku në ironi e ku në sarkazëm të mprehtë, duke vënë në lojë dhe duke thumbuar veset e vjetra dhe të reja të njeriut
Prof. Dr. Jup Kastrati: “ Ne, shkencëtarët, qeshim shumë rrallë, megjithatë, duke lexuar këtë libër tregimesh, edhe unë, si të tjerët, qesha dhe u çlodha. Ishte një pushim i këndshëm dhe i gëzuar, sepse lexova një libër, që të bën të mendosh”.
Fadil Kraja “ Në tregimet e Nikolla Spatharit, veset, arroganca dhe e shëmtuara nuk janë më pronë e referentëve a brigadierëve. Këtë radhë kemi zyrtarë të lartë, deputetë e politikanë, ministra shteti, e pse jo, edhe president. Autori sikur do të na thotë: Nëse këtu poshtë vjen rendom erë e keqe, mos harroni se peshku qelbet nga koka.”
Paulin Selimi: “ Situatat komike janë të ndërthurura me mjeshtri, ndaj lexuesi gëlltit me ëndje si humorin fin, si groteskun, sepse edhe grotesku jepet me një finesë të admirueshme”.
Mendimi im është se lëvrimi i shumë gjinive e pasuron curiculumin e shkrimtarit, por me një kusht: Kudo që vë penën të jetë cilësor.
Vasil Premçi: Si janë pritur nga rrethet shkencore botimet tuaja me studime historike dhe etnografike?
Nikolla Spathari: Përsëri do t’ua lë fjalën autoriteteve shkencore, që pak a shumë i janë përgjigjur kësaj pyetje:
Akademiku Gjovalin Shkurtaj: “Malësia e Madhe siç e njoha unë” është një nga librat më me vlerë kushtuar Malësisë së Madhe, një “enciklopedi” e virtyteve, bëmave, pësimeve, ruajtjes së elementeve, që shfaqin lashtësinë dhe “palcën “ e traditave kombëtare të pavdira, siç janë besa, bujaria dhe atdhedashuria. Për këtë vepër, ai punoi më shumë se dyzet vjet. …Si askush tjetër (dhe këtë do ta bënte vetëm një bir i saj), N. Spathari, me librin e tij, shpjegoi se emërtimi i përbërë “Malësia e Madhe” është një emërtim simbol, është emërtim që jep portretin e virtyteve të mëdha që ka Malësia”.
Prof. Dr. Agrron F Fico: “Studiuesi Nikolla Spathari, në librin “Malësia e Madhe – tokë e një etnokulture të lashtë” sjell prurje të reja e për herë të parë për disa probleme të etnokulturës, si psh shqyrton emërtimin e kanunit që mban emrin e Lek Dukagjinit, shtjellon gjerësisht jetën fisnore të Malësisë së Madhe. Mësova mjaft fakte dhe koncepte të panjohura nga unë. Në libër duket mendja e mjeshtrit studiues dhe dora e stërvitur. Ky libër, në gjykim tim, nderon autorin por sjell edhe një prurje të re, origjinale dhe të pasur të etnokulturës së kësaj zone me kaq pasuri, që ka qënë objekt studimi edhe i mjaft të huajve. Autori shtron probleme për diskutim për herë të parë, si, a është Leka autori i Kanunit? Po koncepti “mik” sa shtresa ka? etj. Libri pasuron bibliotekën e librit shqip.”
Prof. Dr. Flori Bruqi: “Me librin “Malësia e Madhe siç e njoha unë”, Spathari, ka treguar kulturë, intelekt, formim shkencor, analizë e argumente të fuqishme. Ka përdorur informacion të madh, referenca të mençura e të gjetura me kujdes e ndërthurje të realiteteve me traditën, që e ka gjurmuar deri në prehistori”.
Meçan Hoxha: “Një tjetër vlerë e shtuar, në krijimtarinë e Nikolla Spatharit, është libri “Në këngë është edhe historia”. Ky libër, nga tematika, që trajton dhe serioziteti me të cilin është punuar, shkëlqen si një perlë në gjerdanin e artë të krijimtarisë së Nikollës. Studimet e përmbledhura në këtë libër e veçojnë Nikollën ndër shumë studiues të tjerë profesionistë, që janë marrë me historinë dhe kulturën shkodrane, si etnografë, historianë, muzikologë, kritikë arti, etj”.
Skender Temali: “ Në rrugën e tij të gjatë, mbi gjysmë shekullore krijimtari, tallazet e kohës ai i mposhti me gjoks, burrni, urti e talent, se nuk qe fort e lehtë të të mos fundosnin kur kishe një cen biografik që as të linte të botoje e as të mos ishe përjetësisht mësues katundi. Arriti të imponohej, sa fillimisht me librat për fëmijë aq edhe në publicistikë, ku reportazhet e tij letrare deri në gazetën kryesore të kohës, në “Zërin e popullit” ishin ku e ku më lart se të atyre që ngrohnin prapanicat në kolltukët e redaksive e të zyrave të tjera. Ndaj dhe në pak vargje të poezisë “S’e dua buzëqeshjen tuaj” sintetizohet kalvari i tij”.
Vasil Premçi: Ju po botoni serinë e veprave tuaja. Mos tregon kjo se e keni mbyllur krijimtarinë letrare?
Nikolla Spathari: Po… Po e përmbledhi krijimtarinë time në një seri prej 20 vëllimesh. Natyrisht është një botim special i veprës time të plotë letrare. Deri tani kanë dalë nga shtypi 12 volume dhe do të botohen edhe 8 volumet e tjera. Me që më pyetët për këtë ndërmarrje, me pak fjalë, dua të them, se cila është struktura e veprës time letrare: Në tre volumet e para përmblidhen librat e mij studimor. Poezia zë pesë volume. Tregimet dy. Romanet gjithashtu dy vëllime, Letërsia për fëmijë tre dhe së fundi publicistika zë pesë volume. Sa për pyetjen tuaj në se kjo tregon se e kam mbyllur krijimtarinë letrare, unë do të thosha se kjo tregon se po punoj me intensitet më të madh…
May be an image of 1 person
Rifat Ymeri, Hajrullah Celaj and 49 others
5 comments
Like

Comment
Share

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.