KËNGËTARI I MADH ISMET PEJA SOT FESTON 83-VJETORIN

0

Ismet Peja është një ndër zërat më të suksesshëm të këngës kosovare dhe asaj shqiptare. Thuajse tërë jetën e tij ai ia kushtoi këngës popullore, duke u bërë një nga mjeshtrat më të shquar të saj. I nderuar me çmime dhe dekorata për kontributin e tij si solist dhe si përfaqësues dinjitoz i ahengut gjakovar e më gjërë, deri edhe me jaret shkodrane.
Ndër titujt, mirënjohjet dhe çmimet më të mëdha që iu atribuan këngëtarit legjendar Ismet Peja, vlerësimin më të lartë ia ka dhënë populli, të cilit i kushtoi edhe jeten e vet.
Ashtu siç është vlerësuar për këngët e bukura që ka sjellë para publikut në të gjithë këto vite të karrierës së tij, po aq vlerësime merr edhe sot në punën si mjeshtër i madh i këngës së bukur gjakovare në moshë të thyer, i cili vazhdon të na pasurojë kulturën dhe folklorin, duke kënduar përsëri me zërin e tij të veçantë me të njëjtin vokal si në vitet me kulminante dhe të suksesshme te repertorit te tij.
Baca Ismet, siç e thërrasin të gjithë me dashamirësi e respekt, mbetet një ndër këngëtarët kosovar më të njohur të të gjitha kohërave. Zëri i tij brilant ka zënë vend në zemrat dhe mendjet e njerëzve. Në bisedat me të shikon se ai është gjithmonë i qeshur dhe plot humor, këtë vitalitet ai e transmeton edhe në këngët që na përcillen aq të bukura dhe befasuese.
Ismet Peja ka fituar një popullaritet të gjërë si këngëtar i mirënjohur i këngës tradicionale qytetare gjakovare. Ndërmjet emrave të shquar që e lidhin talentin dhe përkushtimin e tyre me këtë trashëgimi, Ismet Peja shquhet për individualitet artistik, që e bën atë të dallueshëm prej të tjerëve.
Për vite e dekada zëri i këngëtarit të madh gjakovar Ismet Peja jehoj fuqishëm në skenën e këngës popullore, në radio e televizion, duke u bërë aq i dashur e i pranishëm edhe në vatrat shqiptare, e kudo në Diasporë. Ai u rrit bashkë me këngën popullore qytetare, duke u bërë njëkohësisht edhe një interpret i shkëlqyer dhe njohës deri në ind i ahengut gjakovar.
Qysh në vogli u aposionua me këngën popullore, kur mësoj dhe mënyrën e të kënduarit. Repertorin e këngës popullore gjakovare ai e konsideroj diçka të shenjtë, ndaj dhe u edukua t’i qëndrojë besnik, i bindur se kështu respektonte një traditë të vyer të brezave të tërë kompozitorësh e këngëtarësh popullorë.
Shumë i suksesshëm ka qenë Ismet Peja në të gjitha skenat shqiptare, aq sa u arrit të mos përfytyrohej një mozaik këngësh popullore apo edhe një koncert i mirëfilltë i kësaj natyre pa zërin e Ismet Pejës.
Ismet Peja qe i kërkuar shumë nga Diaspora, ku sidomos këngët patriotike e ato kushtuar figurave të ndritura të Rilindjes sonë Kombëtare e të kombit tonë, çonin peshë zemrat e dhjetra e mijëra shqiptarëve dhe i bënin më trima me kërkesat e tyre të drejta e legjitime për liri, drejtësi e pavarësi.
Nuk mund të gjendet një gjakovar që të mos e ketë parë e dëgjuar këngëtarin Ismet Peja. Me aftësitë e tij interpretative, ai mbledhi rreth vetes mijëra simpatizantë, të cilët e respektonin për zërin e kontributin që ai dha në ruajtjen e transmetimin brez pas brezi të këngës dhe ahengut gjakovar, duke ua kultivuar edhe brezave më të rinj.
Vite më parë ai kishte një ëndërr. Sot pas kaq vitesh legjenda e këngës popullore Ismet Peja, kujton me nostalgji ato vitet e largëta dhe ëndrrën e tij, që nuk e linte për asnjë çast të qetë, ishte një ëndërr që mbeti e tillë deri sa me një tekst të shkruar nga unë dhe me një kompozim dhe orkestrim të muzikantit shkodran Luan Dagistani, realizoi një këngë kushtuar mjeshtrit të jareve shkodrane, “Nderit të Kombit” Bik Ndoja, të titulluar: “Nuseron jarja me ty”.
Për këngëtarin nga Gjakova Ismet Peja, ja si shprehet djali i tij Visari: “Nuk kam çajre pa e thënë që baba Ismet e ka pas idol të muzikës Baca Bikun dhe me të vërtetë njëra nga dëshirat e Ismetit ka qenë që mos t’më lëshoft shpirti pa i këndu Bik Ndojës. Dhe arriti një ëndërr nga shumë të tjerat dhe sigurisht që pa ndihmen e miqve nuk kishte me e realizu.
Edhe unë si autor i këtij shkrimi, simpatizant por dhe mik i Ismet Pejës dhe i ahengut gjakovar, duke njoftë mirë rrugën e tij artistike, gjej rastin t’i dhuroj këto pak vargje këngëtarit të madh popullor, legjendës së Kosovës, Ismet Peja:
Një jet’ tanë për ne këndove
Këngë të vjetra e të reja
Kënga e bukur popullore
U vulos nga Ismet Peja

Në Kosovë e Shqipëri
E ku ka shqiptar ne Botë
Je legjendë e krenari
Zemrat peshë çon zani jot

Të urojmë 83 vjetorin e lindjes e të paçim edhe shumë vite të tjera mes nesh Baca Ismet!
Me urimin u plaksh si është zakon nuk gjen kuptim tek ti sepse kushdo t’a njeh shpirtin, e din që ti je 23 vjeç.

Ramazan Çeka
Prill 2020

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.