Defrim Methasani
Vazhdoj të përjetoj emocione të mëdha në realizimin e ciklit më të bukur të viteve të fundit në karrierën time 32 vjeçare në RTSH :”Kam lindur kuqezi”. Një pritje për tu respektuar na u rezervua edhe në familjen e futbollistit të kombëtares që luan për Lacion në seria A Elseid Hysaj, buzë liqenit të Shkodrës, nga prindërit dhe motra e tij. Historia familjare e Hysajt zbulohet për herë të parë, në një rrëfim tejet emocional, ku nuk munguan as lotët e nënës së tij Shpresa, por dhe detajet që për herë të parë i tregoi edhe babai Gëzimi. Një mirënjohje e kam edhe për drejtorin e klubit Veleçiku Nuri Rexha (mik i ngushtë i familjes) dhe kryebashkiakun e Malësisë së Madhe Tonin Marinaj, të cilët na shoqëruan në familjen e Elsit, por na qëndruan kaq pranë edhe në këtë mision televiziv të historive familjare të të gjithë lojtarëve të kombëtares që i takojnë kësaj treve, histori që të xhiruara nga operatori Agron Hoti, do ti sjellim në ekranin e RTSH 1 dhe RTSH SPORT.