Namik Selmani 

Kur flasim për Shkodrën, përnjëherë na shkon mendja të Kalaja. Te legjenda. Te Buna. Të e kaluara e lashtë dhe te e ardhmja. Te forca për të jetësuar atë peisazh mrekullor ku zemrat janë në dashninë e tyre duke marrë aromë nga trëndafilishtet e shumta, nga këngët e urimet.
Po unë do të thoja se në Shkodër është një kala e madhe e lartë bedenëpaprishur. Është Kalaja e Kulturës së saj, ku mjeshtrit e penelit, të daltës të operas, të humorit, të fjalës kanë vendin e tyre.
Sa shumë na dha e ne i mbetemi asaj me një borxh të rëndë që nuk matet me trastat që mbushen! As me thasët. As me maunet e mbuluara.
Janë ngjyrat, tingujt, jaret, rrëfenjat shkodrane që dalin dhe nga guri.
E Jakup Keraj, shkodrani i mirë që iku para kohe nga jeta, Mjeshtri i Madh është pjesë e atij tharmi që e jetëson portetin e tij.
Sa shumë stacione në jetën e tij! Dikur student i pasionuar i Leningradit që kishte marrë me vete artin e prindërve të tij artistë zejtarë që njohu mbarë Evropa. Këngëtorja Shkodër i dha ngjyra jetës së tij, po edhe ai ia dha Shkodrës emrin e tij të mirë, shpirtin e tij lirik.
E në çast po më zgjohet në penelatat e tij Kolë Idromenoja, nip i Pargës së Çamërisë.
Edhe Mjeshtri Kola mbase andej mori mjaft ngjyra, por në Shkodër pa të tjera ngjyra.
Mbi të gjitha, ishin ngjyrat e shpirtit të piktorëve dhe të Shkodrës që është pikturë e bërë me dorën e zotit
Mori tharm nga piktura e huaj Jakup Keraj. Po ai ishte shkodran në gen, në sy, në hap. Në ëndrra. U bë klasik në atë shkollë, po prapë Shkodra ishte Kryengjyra.
Duke parë dokumentarin për të. më mbetën në sy thjeshtësia e modestia e tij.
Nuk e kam takuar nga afër, por e kam takuar atë në fytyrën e Petrit Kerajt, djalit të tij. Dhe e shihja te emocionet e vajzës së piktorit Albina Keraj që sikur kishte marrë përsipër të jepte emocionet e një brezi që kërkonte e kërkon shumë më tepër për kujtesën e artistëve të mëdhenj.

…Me Petritin shkëmbeja shpesh kafet në një kafene gati në zemër të Tiranës. Ishim kolegë të përbashkët dhe bisedat tona kishin si kryefjalë artin. Ishin në të rrëfenjat e tij emocionuese për të kaluarën. Në atë pak mjegullim që na jepte tymi i cigares dhe pengjet e panumërta të babait të tij piktor, unë pyesja veten. Më saktë, shpërtheja brenda ujëvarimit që po më jepte Shkodra e Kalasë e luleve, e avllive, e jareve.
Mësues dikur Jakup Keraj e ja, tani doja që në sytë e kolegut tim mësues e piktor Petrit Keraj të zgjoja një jetë. Të shihja vështrimet e dy brezave e të merrja mjaltin e pasionit, pa të cilin asnjë art nuk frymon.
Dhe të them të drejtën, zgjimi i Jakup Kerajt ishte më shumë se ai rrugëtim Rozafe në kohë. Më tej një dorë që zgjatej, një telajo ku mbetet e tharë boja e hedhur.
Mëhallat e Shkodrës më zgjonin trokitjet e hapit të tij. Brengën e tij të madhe.
Vinte nga Leningradi dhe bashkë me Guri Madhin ishin ndër më të shkëlqyerit studentë të kohës.
Një arisokrat plot hire. Vetëm shpirti i tij e dinte se sa botë kishte brenda vetes. Mund të merrte shumë nga ai vend i madh, i bukur, por ai mbetej shkodran.
Ulej kokëmenduar mbi nxënësit e shkollave tetëvjeçare ku punoi si mësues në mjaft vite.
Ai, i heshturi dhe penelndrituri, dinte se si të jetësonte ngjyrat e jetës, po edhe ato penela që ndaleshin nga terri kohës ku jetonte.
Dëgjoj sërish rrëfimin e Petritit: “Kam 33 vite që i shoh pikturat e babait tim piktor kur hap sytë dhe kur i mbyll janë po këto ngjyra.”
E kjo është mirënjohja e madhe e heshtur e padëgjuar për atë Jakup Mjeshtrin, atje në botën e përtejme.
Sërish me mjeshtrin. Me portretet e tij. Dikur do ia bënte portetin Danish Jukniut. Mikut të tij shkodran. Piktori i njohur Danishi. Të dy me brengën e një porte të mbyllur .
Dy miq. Janë si ato poezitë që sot ne i bëjmë për miqtë më të mirë që duam ta ndalë mirënjohja.

E më tej një kalërim piktori në vitet e Skënderbeut
I kam parasysh sytë e menduar të piktorit para portetit. Një zgjim shenjtëror, por si ai i Mikelanxhos para Davidit. Gjuha e përbotshme e pikturës është porteti. E ai ishte pjesë më e bukur e kopështit të krijimit të Jakup Kerajt.
E ne, pa e fshehur lotin e syrit dhe dhimbjen e fshehur apo dhe me atë heshtjen pak të trishtuar për kujtesën fisnike, na duhet të themi se Shkodra është e bukur se ka patur brenda mureve avllive, lulishtoreve, brenda dimrit e pranverave dhe varkave të peshkatarëve që shkonin në Bunë, Jakup Kerajn.
Po më shkon tash fjala te ajo rreze që zhbiron edhe në të çarën më të vogël të një tjegulle, te ajo lëvizje e vogël e perdes për të ecur.
E diellnaja e tij është përherë e dritëzuar.
Ai, jetëshkurtëri që e donte lirinë bash si një artist.
Ai, jetëtrazuari që e kishte zemrën si livadh si peisazh i pambaruar është me kujtimin mes nesh.
E në kalanë e artit të Shkodrës e të kombit, vezullon dhe arti i tij. Vezullojnë sytë e menduar sytë lirikë, sytë që hapnin dhjetra horizonte, që shihnin shtëpitë e Shkodrës, rrugicat e tij. Kishte lumturinë e perëndishme të krijimit.
Artist që jeton shumë më tepër se koha e jetës fizike.
Me shumë dritëzim fjale e mendmi na e jep portretin e tij piktori I njohur Vladimir Myrtezai
“Jakup Keraj është tipiku i dashurisë që ecën përkundër, si i dyshuar që në lindje, sepse ishte një zë lirik i pikturës intime dhe ndjesive të brendshme. Piktura e tij është një lloj drite e patinuar dhe e mbështjellë nga ky tis elegant e shumë i kultivuar, që i buronte nga sensi qytetar dhe parimet e elitave të zgjedhura. Krejt i vetmuar në oborrin e njerëzve që e deshën, veçmas familjarët, ruante oazin e djalit të vetëm, që buronte dritë dhe linte zgjuar një mëhallë të tërë. “

Njëri nga familjarët kujton lotët e vetme të jetës së tij me një arsye të madhe.
“Po kam droje se kam harruar fytyrën e nënës!!!!!”
E ne themi sot se kaq fshehtaz me lotë të brendshëm të shpirtit shqiptar apo dhe ballaz pa droje, qajmë për forcën e tij të artit dhe për mungësën e tij të madhe.
Se ai ishte Jakup Keraj, dritëpenelti.
Boston, 7 korrik 2021
marre nga libri “Mbjellesi i diturise”, 2022