Punimet për ndërtimin e objektit të kultit do të zgjasin 2 vite
Një objekt kulti do të ndërtohet në pikën më skajore të vendit në Vermosh dhe bëhet fjalë për kishën e Shën Gjonit, ku së fundmi u hodh guri i parë i themelit për ndërtimin e saj. Punimet pritet të zgjasin 2 vite deri në përfundimin e tyre.
Kisha aktuale, me të njëjtin emër, u ndërtua mes viteve 1995-96 në saj të kontributit të banorëve të zonës, ndërkohë që ajo e vjetra, u shkatërrua pas vitit 1967. Nga 5 projektet e paraqitura për ndërtimin e saj, fitues u shpall ajo e inxhinjerit projektues Klaud Luka dhe për të kanë kontribuar diaspora dhe anëtarë të shoqatës “Vermoshi” me një vlerë prej 700 mijë $ ku iniciatori i sigurimit të fondit është famullitari i Kelmendit Viktor Demaj.Kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe z. Tonin Marinaj vuri në dukje kontributet e vazhdueshme dhe roli i diasporës në zhvillimin e zonës, Mon. Ipeshkv Shkodër -Pult Angelo Masafra ndër të tjera theksoi forcën e besimit dhe vllazërimit mes shqiptarëve. Në mënyrë simbolike, klerikët së bashku me përfaqësuesit e diasporës dhe banorët e zonës vendosën gurin e parë të themelit të kishës së re, e cila do të ndërtohet në oborrin e kishës aktuale. Më tej aktiviteti u vijua me një program artistik nga shoqata kulturore “Jehona e Kelmendit”, me udhëheqëse Dila Vaçaj.