Ilir Meta:Sot ënde gjëjmë në zyra Zylon dhe Demnken…

0

Presidenti Ilir Meta, me anë të një statusi në “Facebook” ka kujtuar ditëlindjen e shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli.

Meta shprehet se Agolli na mungon fizikisht sot të gjithëve, por do jetë përherë midis nesh, me librat e tij.

Postimi i presidentit Ilir Meta:

Dritëroi ynë dritëron gjithmonë!

Thellësia e mendimit, këshillat e mençura, forca e karakterit, urtësia, e në veçanti kurajoja për t’u ballafaquar me padrejtësinë janë një pasuri e madhe që ai na la të gjithëve, së bashku me kryeveprat artistike, ngahera aktuale, frymëzuese dhe shumë të dashura.

Dritëroi ishte një derë e hapur ku gjeje një mik të mençur e të gjendur. Ai ishte dhe do të mbetet i të gjithëve, prezent në çdo kohë me idetë e tij, në art, kulturë, letërsi dhe politikë, sepse forca e talentit, karakterit dhe fuqia e mendimit i buronte nga populli dhe madhështia e të qenit në radhë të parë njeri modest dhe i thjeshtë,

pranë halleve e problemeve të bujkut, fermerit, punëtorit dhe shqiptarit patriot, gjithmonë i pari për t’u “përleshur” me padrejtësinë, arrogancën, megalomaninë, burokratizmin dhe presionet e pushtetit.

E kush do ta mendonte se “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” do të ishte edhe sot kaq prezente si fabul në administratën shtetërore, ku ende e gjen edhe Zylon edhe Demkën.

Sot në ditën e tij të lindjes, Dritëroi na mungon fizikisht të gjithëve. Por ai do të jetë përherë i gjallë midis nesh, në çdo raft librash, në kujtimet e paharruara që la pas dhe në çdo këshillë të vyer që na dha ne miqve të tij!

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.