IKËN NJË DEPUTET SOCIALIST… NË DREJTIM OPOZITAR, DUKE KËRKUAR LISTA TË HAPURA

0

Për herë të parë një deputet nga shumica socialiste del hapur duke kërkuar që të hapen listat për zgjedhjen e deputetëve dhe të mos ketë koalicione parazgjedhore. Deputeti Adnor Shameti në një postim në faqen e tij në Facebook shkruan se ndryshimi i sistemit nuk duhet të jetë tabu për partinë Socialiste, që është shumicë në parlament. Po ashtu, ai thotë se që të ketë hapje listash dhe natyrisht si rrjedhojë nuk duhet të ketë më koalicione parazgjedhore.“E kotë ta mohojmë që hapja e listave gëzon suport qytetar! Pavaresisht se edhe une kam bindjen që nuk janë ndonjë recete çudibërese, listat e hapura s’duhet të jenë tabu për maxhorancën. Ata jashtë parlamentit e morën çfarë deshën. Madje shumë më shumë se sa u takonte edhe po të ishin sjellë demokratikisht këto 3 vjet. Këtu s’eshtë puna çfarë do marrin keta brenda parlamentit, po çfare do marrë populli nga ky proçes! Ne nuk duhet të shqetësohemi sa do merziten ata që janë jashtë apo sa do tronditen ata që nuk hyjnë dot me brenda po u shkeputen nga kërthiza e partive të mëdha. Besoj se është shumë e shëndetshme që të ketë hapje listash dhe natyrsh si rrjedhojë të mos ketë më koalicione parazgjedhore. Boll besoj u benë 30 vjet me kryetarë partish pa parti që futen nëpër barqet e partive meme, me koalicione të mbyllura per te mbyllur pastaj ca ministri dhe drejtori! Sikur s’ka më lezet do thoshte gjyshi im” shkruan Shameti.Listat e hapura dhe ndalimi i koalicioneve parazgjedhore janë dy kërkesat e opozitës parlamentare. Kërkesa për ndryshimet kushtetuese me 29 firma, u dorëzua nga opozita parlamentare dy ditë më parë. Tashmë pro këtyre dy kërkesave është edhe socialisti Shameti. Partia Demokratike ka kundërshtuar ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Por, opozita parlamentare ka deklaruar se nuk do të votojë marrëveshjen për reformën zgjedhore pa u plotësuar kushtet e tyre, mes të cilave hapja e listave. Shumica socialiste ka vetëm 77 dhe jo 84 vota për të miratuar draftin e reformës duke u detyruar që të ulet me opozitën parlamentare.Ndërkohë edhe opozita Parlamentare ka nisur që të përçahet në një farë mënyrë. Dy deputetë të opozitës parlamentare Artur Roshi që është kreu i Ballit Kombëtar Demokrat dhe Besnik Troplini janë tërhequr nga listat e 29 deputetëve të opozitës parlamentare që firmosën për ndërhyrjen në Kushtetutë. Deputeti Roshi thotë se firmosi për ndryshimet në Kushtetutë për hapjen e listave dhe jo ndalimin e koalicioneve parazgjedhore dhe vendosjen e pragut 5%, që u jep fuqi absolute dy partive të mëdha. Për këtë arsye, Roshi deklaron tërheqjen edhe në emrin e deputetit Troplini. Tashmë ndodhemi në një kaos sa i përket reformës zgjedhore e cila rrezikon që të mos kalojë sepse përveç deputetëve të opozitës parlamentare shtohen edhe në radhët e PS zërat kundër dakordësisë mes palëve politike, PS, PD dhe LSI.

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.