Gratë punonjëse të një fasonerie në Shkodër kanë protestuar përpara Zyrës Rajonale të Punësimit në Shkodër duke kërkuar që të marrin pagën e papunësisë duke qenë se janë pa punë që me 12 mars. Këto punonjëse e kanë përfituar pagën e luftës por paga e papunësisë është një tjetër mbështetje që jepet për ata që kanë dalë të papunë gjatë kësaj periudhe të pandemisë.Drejtorja rajonale e Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Shkodër Rozafa Zmijani bisedoi me punonjëset e fasonerisë duke iu thënë se shumë shpejt do të ketë një përgjigje për ta.
Përgjigja për këta punonjëse të fasonerisë por edhe gjithë punonjësit e tjerë që kanë të njëjtin problem erdhi shumë më shpejt.Burime pranë Shërbimit Rajonal të Punësimit në Shkodër bëjnë me dije se drejtoria e përgjithshme e shërbimit kombëtar të punësimit ka dhënë dritën jeshile. Tashmë të gjithë ata punonjës që kanë mbetur të papunë përveç pagës së luftës do të përfitojnë edhe pagën e papunësisë gjithmonë në rast se kanë aplikuar brenda afateve ligjore.