Kur mbarova librin e MURAT GECAJT “Gjurmë nëpër udhë”, vetëvetiu më shkoi mendja te një mendim i GORKIT, që thotë diku:” Edhe gurët e udhës,po t’i shtrydhësh, janë të mbushur me kujtime”. Edhe libri,i sapodalë (nuk pranoj që të jetë i fundit),i PROFESOR MURAT GECAJ është krejtësisht si një alamanak apo si album kujtimesh. Bukuria dhe vlera e tyre qendron në faktin se janë si një “blic” i një jete vitale. Kushdo që e njeh ( unë besoj që jam veç njëri) Professorin që ne, në intimitet, e thërresim BABUSHI, ka parë tek ai një njeri të kudogjendur, të papërtuar dhe i gatshëm që të të ofrojë çfarëdo ndihme. Nuk është bërë kund një përurim, ngjarje kulturore apo dhe historic, ku të mos e shihje atë. Jo vetëm pjesëmarrës,por orator prudent e racional. E ndjen si detyrim, gati i ha trupi, nëse nuk reklamon me penën e tij, në median e shkruar apo internet, vetëm e vetëm që autori apo autorja e re, të bëhet sa më shumë i njohur për lexuesin. Nuk e zë gjumi, po nuk dogji nja “30 litra vajguri” me hallet e botës. Dinamik, si një djalosh, nuk e ka për gjë që të jetë në të gjitha ngjarjet kulturoro-shkencore, brenda Tiranës, po se po, po deri në Kamëz apo kudo, që ka ngjarje të të tilla.
Nuk është fluturak, por me këmbë në tokë: i ditur dhe i urtë, si një SOKRAT dhe i paepur dhe neveritës, për çdo puthadorë partiakësh a liderësh.
E njeh dhe të mban mend, sikur të ka njohur prej kohësh dhe, mjafton t’i bësh një zile,dhe ja tek e ke ballas. Kur i ndjek këto”gjurmët” e BABUSHIT, them me vete:-Ah, mor mik i mirë, këto nuk janë gjurmë npër udhë; këto janë bash jeta jote, më dinamike se kushdo: mbushur me miq e mikesha, që ti u ke blatuar shpirtin e zemrën qelibar dhe ata ( jo të gjithë,se ka dhe mosmirënjohës dhe ti ata as që i zë në gojë,se je zemërmadh), janë munduar që, sadopak, të ta kthejnë atë ndihmesën tënde me vlerë.
Të thua se ke botuar 17 libra(pa dorëshkrimet tjera). Por vlera e një njeriu dhe krijuesi nuk matet me numra, por matet nga ajo se si vepron ai në jetë; si i ka raportet me njerëzit; a i shikon dot njerëzit drejtpërdrejtë në sy: a iu bë mburojë, kur deshën ta nëpërkëmbin dhe në një emrues të përbashkët, nëse zbres në fushën e mathematikës për të vlerësuar ty, PROFESOR; po ta them ballaçik: E ke ballin të bardhë e të bukur. Sado i ditur, bëhesh një me bashkëbiseduesin,për mos u mbajtur i rëndë. Je gati ta bësh shpirtin”fli” për dike, që ka hall. Sikur të bësh një anketim për njerëzit, që ke ndihmuar gjatë jetës, atëherë duheshin tri shifra dhe, në vazhdim të”analogjisë”, gjithmonë në fushën e matematikës, sikur për çdo ndihmesë, po të merrje nga një lek, sot do të haje me lugë floriri dhe nuk do rrije atje te kati i katërt, së bashku me KATERINËN (përfitoj nga rasti ta përshëndes,ZONJËN TUAJ TË NDERUAR), me ca shkallë që,po të biesh, shkon drejt e në FERR. BABUSH ti je IDEALIST dhe idealistët kanë fatin e “SOKRATIT të vuejtun”.
* * *
Kur them që “Gjurmët nëpër udhë” janë dëshmi e një jete vitale, unë jam krejt i saktë dhe nuk shkruaj me apriori.
Ke bredhur gati tërë EVROPËN dhe, veç EVROPËS, deri në AMERIKË. Sado që ke shkuar vizitor, kudo ke lënë gjurmë. Kudo është ndjerë ai lapsi i mprehtë prej gazetari profesionist dhe jo vetëm kaq: ana më e shndritshme e kësaj “medaljeje shkrimesh”, nëse shprehem kështu, është ajo e ATDHETARIT. Pse ke lënë gjurmë të tilla, porfili yt i bukur ka një shtrirje të madhe gjeografike, që nuk e hedh dot në hartë. Për ty flitet tek”Vatra” dhe “ILIRIA” në Amerikë; për ty mund të botohet një libër me shkrime te “Fjala elirë” në Londër; te “Zemrashqiptare”; te “Albemigrant” në Kanada; te “Dituria” në Suedi; te “Diellidemokrat” në Austri; në Zvicër, në Itali dhe lëre, mandej, në KOSOVË apo në gjithë trevat shqiptare, në Mal të ZI apo Maqedoni e Preshevë. Kudo… kudo. Adoleshencës kam parë një film gjerman,”Muku i vogël”. Mjegullash zë e më shfaqet (duket regjisori këtë kishte qëllim) që ky,MUKU i vogël ua kalonte të gjithëve me shpejtësi. Edhe ti,BABUSH, tërë jetës ke”bredhur me vrap”, vetëm për t’u gjendur aty, ku ofroje me zemërgjerësi çdo ndihmë. Por ç’të them më për ty, BABUSH? Më duhet një ditë e tërë dhe nuk mabroj dot. Le ta vazhdojnë shkrimin për ty, ato krijueset që ti, enkas për to,ke botuar tri antologji. Edhe tash, që, për fat të keq nuk ndihesh fort mire me shëndet, dukesh nëpër faqet e Internetit vetëm e vetëm që të reklamosh autorë apo autore.
Këto”Gjurmë”, more BABUSH, le të zmadhohen në kohë, se ti,vital siç je, ende për shumë kohë do lësh gjurmë me penë,po se po, por dhe me praninë tënde, që zbukuron çdo mjedis.
Nga: Përparim Hysi