Universiteti më i vjetër në SHBA ka përfshirë gjuhën tonë amtare si lëndë me zgjedhje.
Lajmin e ka dhënë Faton Limani, administrator pranë Departamentit të Letërsisë Krahasuese në këtë universitet.
A do e kenë menduar vallë për një çast atdhetarët shqiptarë në Kongresin e Manastirit, se gjuha shqipe do të mësohej në një nga universitetet më të mira të botës?
Kjo është një arritje e madhe për identitetin tonë.
Nga përpjekjet kolosale të kolonive shqiptare në Bukuresht, Sofje dhe Kajro, në kontributet e Naum Bredhit, Kristoforidhit, Mësonjës Todhrit, Skiroit, albanologëve të huaj e gjuhëtarëve vendas si Çabej e Kostallari, të gjithë pa përjashtim, në kohë të ndryshme, vendosën gjuhën shqipe në themel të vetëdijes sonë kombëtare.
Ne jemi një komb mërgimtarësh të shpërndarë anekënd botës, prandaj flisni shqip me fëmijët tuaj të lindur jashtë truallit amë, se me të do të kuptojnë ninullat e gjysheve e do të mësojnë të duan atdheun e prindërve. Gjuha mëkon krenarinë e origjinës.