Nga: Zana Tako
Historia e shteteve nuk është gjysmake, por gjysmake janë mendjet që copëtojnë historinë. Të copëzosh historinë, do të thotë si të presësh gjymtyrë, sepse ngjarjet në kohë kanë krijuar identitetin e popujve duke kultivuar brenda historisë traditë dhe kulturë.
Në vendin tonë, historia flet si brenda rrënojave ashtu edhe jashtë tyre. Ata që gërmojnë nuk quhen varrmihës, por patriotë. Patriotizmi i tyre reflekton dashurinë për tokën, për rrënjën e saj, e cila nëse shkulet thahet. Por tharja e rrënjës tregon shterpësi, e cila i leverdis armiqve të kombit. Por a ka armiq vendi ynë?
Nëse do të qëndrojmë fjetur, armiqtë e kombit do i shohim nëpër ëndrra si dordolecë për të luajtur, por nëse qëndrojmë zgjuar, ëndrrat me dordolecë do ua tregojmë kalamanëve.
T’i shërbesh historisë së kombit tënd është detyrë e çdo bashkatdhetari. Historia që të qëndrojë e gjallë, nuk mund të vaditet me zorrën e ujit të kopshtit. Krerët e kombit nuk mund të mburren për gjymtimin e historisë, por për ruajtjen e saj, për transmetimin dhe rikuperimin e vlerave të saj. Por sa të shëndetshme qëndrojnë këto vlera në brezin e sotëm? Nëse marrim një shembull të thjeshtë, do kuptojmë traditën që ruajmë brez pas brezi.
Kultura jonë e lashtë, është e strukturuar brenda formatit të ngjarjeve si brenda ashtu edhe jashtë vendit tonë. Kombi ynë ka lënë gjurmë në historinë e shumë vendeve fqinjë e më tej.
Fqinjësia e mirë e respekton vëllazërinë, por mund të ndodhë, që nga xhelozia apo tradhëtia për një kafshatë më shumë në të ngrënë, të mohosh gjurmë dhe vlerë të kësaj historie.
Fqinji nuk të ruan kur fle, por bën llogari orët e gjumit tënd. Jemi mësuar tashmë me përkëdhelje fjalësh me aromë hipokrizie apo cinizmi. Jemi shumë afër betejës me një nga fqinjët tanë, me të cilin nuk na lidh vetëm historia. Dashurinë e tij, Dora e Zotit po e ve në kandar. Për nga pesha është më i rëndë, por për nga historia ia kalojmë në rëndesë, ndaj edhe oreksi i është shtuar së tepërmi. Ky oreks e bën të na quajë të vegjël për nga mosha, e si vëlla i madh, kërkon të na mësojë se sa të madh e ka hapin, dhe sa të madh e ka shtatin!
Burrat e kombit tonë, nuk e kanë lëshuar pushkën dhe shpatën nga dora kur bëhet fjalë për të mbrojtur vatanin e tyre. Sot fqinji ynë, po na buzëqesh duke na goditur me shuplakë! Por a goditen burrat me shuplakë në vendin e tyre, për të mbrojtur trojet e tyre?
Histori, nënë shekullore, që ruan e nuk i dëmton vlerat e njeriut! Por nëse ka burra, që goditjen e pabesisë e quajnë urim për martesë, atëherë Zoti do veprojë, duke i kujtuar gjithsecilit prej nesh, se në këtë vend ka ende burra që goditjes i përgjigjen ballë për ballë!
Marrëveshja për detin me fqinjët tanë, do tregojë për këtë të vërtetë, e cila nuk e përgjysmon historinë, por e shkruan të plotë sikundër dëshiron çdo bashkëkombas i këtij vendi!
ZANA TAKO