ZADE KUQI
Sa shumë ngjanë njeriu me kafshën e zakonshme, në dukje të parë, një katërkëmbëshe paksa e lodhur së tepërmi, e drobitur, por kjo kafshë sikur nuk i fle sytë e mendjes kurrë, edhe në momemtet kur duket bën gjumë gati fëmijëror! Është teori e njohur moti dhe pa të sikur nuk mbinë sythi i parë i drurit, as nxjerr asnjeri një buzëqeshje, po nuk kujtoi këtë. Ndonëse nuk hedh sytë te dritarja, as kupton kohën, stinën, datën, nga brenga e madhe që ia hedh bënë lëmsh zorrët e barkut, kujton pikërisht përgjasimin me langoin ose edhe me një tjetër që çuditshëm i kujton lojën e shahut në ditë të mugët dimri, ku egërson thëllimi heshtjen e gurin dhe kjo është hiena. I bëhet krahasim i çuditshëm, por e di që është i saktë, shkon dorën nëpër fytyrë dhe rri kënaqshëm që pikasi këtë gjeturi. Por vazhdon dhe i krijohet edhe gjasimi i njeriut me nje luan a tigër. Ngrihet në këmbë dhe i afrohet edhe më shumë dritares. “Po! të gjitha rrugët të çojnë te i njëjti përfundim. Kjo është vetëm pjesa e ditës e një date, po nata? Apo forma e langoit të qenka njëra anë e medaljes, ndërsa ana tjetër është vetë ekzistimi i atij në formën edhe të shumë hijeve të langoit.Tmerrohet si u shfaq rrumbullakësimi kësisoj!
Langoi rri te porta dhe ajo rri te porta. Heshtin ose ulurojnë padiktueshëm. Harrojnë apo injorojnë. Që të dy presin te porta me ngulm e neveri. Presin me patjetër të shfaqet ajo diçka te porta dhe ata, me mirësjellje, si me dashni, duke e mikluar, i afrohen. Ajo, në anën tjetër, e di se ç’do të thotë kjo. Ajo e di fort mirë se çfarë e pret. Duhet të tregohet e kujdesshme që të mos bëjë papritur ndonjë gabim rrugës, nëpër të cilën duhet të shket. Duhet të ecë me kujdes, për aq kohë sa ajo shtaza, ai langoi ia kërkon të ecë. Ai është i ngazëllyer për atë që mund t‘ia bëjë asaj. Mënyra e tij e ngazëllen! Ai gjithnjë e pret te dera dhe kur ajo i ofron diçka tjetër, përveç asaj që ai parapëlqen, ai njëkohësisht tund kokën dhe bishtin, në shenjë mohimi dhe jargavitet neveritshëm nga zemërimi. Ai është mësuar të ushqehet me mishin e saj dhe çdo shije tjetër e refuzon. Vetëm kjo e përmbushë. Në anën tjetër, ajo mendon se sa mund të zgjasë një gjendje e tillë? Pastaj në gjithë atë terr kërkon me sy të masë hënën edhe sa i ka mbetur të përëndojë?! Mbyllë ngadalë sytë e mavijosur dhe kujton lindjen e diellit, larg në katundin e saj, ndoshta ai edhe ka mund të ketë lindur tash? Kaq e papranueshme i duket e gjithë kjo, sikur t’ishte një tregim nga ata te Juan Rulfos, e jo realiteti i saj. Prandaj edhe vazhdon të qëndrojë symbyllur, për aq, sa langoi vazhdon ta hajë pjesën e mishit të saj që i takon kësaj here.
Ka kohë që nuk ndjenë më dhimbje! E ka harruar diku në palosjet e turbullta të jetës. Çdo gjë është heshtje e njëtrajtshme dhe gjumi është kaq i thellë e kaq i gjatë, vetëm langoi vazhdon të mbllaçit darkën e tij të zakonshme me mishin e saj. Ndërsa ajo është një gjë e imët, e vogël, gati e padukshme për të tjerët rretheqark saj. “Shumë gjëra ulurojnë dhe mbesin akoma pa një zgjidhje”, ju kujtua. Kur mbështillet me hijen e dhimbjes s’duket fare ose duket edhe më pak. Langoi ka vetëm një frikë, se mos ndonjë pjesë e saj i shpëton e kështu ajo mund të rigjenerohet nga vetvetja, duke krijuar një vete të re nga fillimi. Ani pse nuk gjenë ngushëllim edhe në gjithë këtë, d.m.th. as në mishin e saj, por vazhdon ta hajë.
Herë pas herë edhe ajo vetë kishte filluar të mendonte pak më thellë se duhet t’ia ndalonte langoit të ushqyerit me veten e saj. Kur e si ishte tjetër magmë mendimesh?! Ajo kërkonte mendim me të thellë dhe gjetje rrugësh të reja! Langoit, herë pas here i kujtohej çmenduria e papritur e saj dhe masat e tij të mundshme që duhej t’i kishte të gatshme. Ajo edhe mund të kishte shqetësime në formë të një dhimbjeje, të një proteste të zakonshme e që mund të dilte shumë lehtë nga kontrolli dhe të shndërrohej në një plasje të përgjakshme. Atij nuk i pëlqenin disa terme të vështirë as nga socio-filozofia, sepse edhe ia prishnin darkën. E kështu, me gjithë feçkën e tij prej derri, vazhdonte të mbllaçiste, ulur përballë dritares dhe një pakufi yjesh. Ajo, gati e shpërfytyruar, i shërbente deri në çastin kur do t’ishte e gatshme të ndërmarrë masat e saj.
-Ti s’ke asgjë për t’më dhënë mua?- i tha papritur një ditë ajo atij. Neveria ishte në anën e saj. Ajo hapur u neverit prej tij dhe ia gjuajti copën e radhës të mishit të saj. Por, të paktën kishte arritur të neveritej haptas.
Gjatë shëtitjeve në vetminë e saj, ajo kishte zbuluar plot gjëra të reja, psh: një fole të re të laraskave, në pullazin përballë dritarës së dhomës së gjumit dhe një tjetër të dallëndysheve, pastaj pagesën për kanalet shtesë të kabllovikut dhe numrin e saktë të këpucëve të saj, tretur mes gjërave!
Herë pas here ai mundohej që ta nxirrte ate nga rrethi i saj i kujtesës dhe kreshpërohej para saj, si gjeldeti, ndërsa ajo nuk jepte asnjë shenjë pëlqimi, nuk bëhej fare e gjallë. Behej më e humbur, më e thelluar, si një brazdë are mbi plugun e të cilën, bujku e rëndon me gjithë fuqinë e tij, bëhej më e venitur, si një lule në një muaj të thatë, shirat e të cilit një ditë do t’ia përtërinin të gjitha fuqitë. Asgjë që ndodh, nuk ikë nga mendja edhe kur ngatërrohet paksa. E brengosi kjo, sepse gjërat shtojnë ritmin degradues, edhe kur, disi pak, dalin nga mendja ose, më keq, kur qëndrojnë në tru, por kapardisen si brenda një tërësie të penjve merimangorë e kjo cerimangë ia thyen gjithmonë narracionin fatit të njeriut, sikur ia thyen kurrizin heshtjes që përvëlon jetën këtej.