FTESA E PAPIT E TAKIMI ME DURON DHE ILON…

0

Nuk ishte hera e parë, që tre kolegë e miq të mi, vinin për të më takuar dhe për të pirë kafe bashkë… Ja, përsëri sot, me “nismën” e Përparim Hysit (Papit), bashkë me të erdhën, në lokalin “Galaxy-Bar”, ku ishte stacioni i trenit dhe fillon Bulevardi i Ri i kryeqytetit, miqtë e mi të kahershëm, publicistët, shkrimtarët e studiuesit e njohur, Duro Mustafai dhe Prof.Dr.Ilinden S. Spasse. Kënaqësia për këtë takim ishte e përbashkët, pasi bisedat tona do të ishin për vitet e kaluara në shtyp e arsim, por dhe për librat e botuar, me krijimtari letrare ose studime të ndryshme. Ja, miku im Duro më dhuroi librin e tij të ri, me 158 faqe të ilustruara dhe me mjaft fotografi, “Qyteti i Monumenteve-Vlora,Histori në fotografi”(Tiranë, 2019). Në shënimin dashamirës të tij, ai shkroi: “Prof.Murat Gecajt, me shumë respekt e dashuri…”(Tiranë, 14 maj 2019). Jam i ndërgjegjshëm se, për këtë botim të rrallë në llojin e vetë, për të cilin e urova dhe e falënderova, përzemërsisht, do të duhej një recension i gjatë. Ndërsa unë po mjaftohem vetëm, duke cituar trofën e parë të poezisë, “Po, ku ka si ty!…”, të cilën Duro Mustafai e ka vendosur në kapakun e fundit të librit: Po, ku ka si ty, moj Vlora ime, monumenti mbi çdo monument; trupin në kodra, veshur gjelbërime, këmbët shtrirë në të kaltrin det; perlë e Shqipërisë, në bregdet…Gjithashtu, unë pata kënaqësinë që t’i dhuroja Duros, me një shënim miqësor, librin jetëshkrimor (nr.2), “Gjurmë, nëpër udhë…”(Tiranë, 2018). Por, më parë, dhe dy miqtë tanë kanë shkëmbyer librat e tyre me ne, gjë që është e natyrshme për takimet tona. Bisedat rreth asaj tavoline ishin të larmishme, si për gzetarinë e letërsinë, sidomos duke kujtuar me nderim autorë të nderuar e të paharruar, që nuk jetojnë më, por që u kanë lënë brezave pasardhës veprat e tyre të çmuara, si: Sterjo Spasse, Fatmir Gjata e të tjerë, si dhe studiuesit e pedagogët, Skënder Luarasi, Mahir Domi etj. Kur biseda po rridhte normalisht, Papi kërkoi që të largohej, se kishte një punë. Ndërsa Duro “e detyroi” atë që të rrinte edhe pak me ne, duke i vijuar bisedat tona të këndshme. Megjithatë, për të katër, erdhi çasti kur do të largoheshim nga ai lokal, i pëlqyer për ne. Urimi ynë ishte, me zemër: “Po ndahemi, për t’u takuar përsëri!…”

Nga: Murat Gecaj

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.