Nga: Sokol Dema, gazetar
I shkova për ngushëllim mbrëmë. Sapo kishte futur në dhe të birin 25-vjeçar. Nuk isha i zakonshëm kur trokita në portën e tij, e cila ishte hapur për të pritur miq e të afërm për ngushëllim. Profesioni jonë nganjëherë na vë para vështirësive që vetëm ne që i përjetojmë arrijmë t’i perceptojmë. Qazim Rashës iu prezantova si gazetar. Më uli në tavolinën e oborrit, e cila ishte vendosur enkas për drekën e vdekjes së djalit. U ulëm bashkë, më dha një cigare, pak më vonë edhe një tjetër. E ndeza për t’a respektuar. Gishtat e dorës që mbanin cigaren i dridheshin pa pushim, po ashtu edhe buza. Sytë gjithë kohës të lëngëzuar nga dhimbja që vetëm një prind që humb fëmijën arrin t’a ndiej. Më pa në sy dhe më pyeti sa vjeç isha. Kur i tregova më duket se ia shtova më shumë dhimbjen. “Fiks sa ti ishte Klodi”, ma ktheu. Sa hap e mbyll sytë tavolina para nesh u mbush me ushqime nga më të ndryshmet. Pasi insistoi disa herë që unë të haja, mora vetëm një copë hallvë. E dija se nëse nuk do e bëja, do e fyeja. “Kjo që më ka ndodhur mua uroj të mos i ndodh asnjë prindi”, shtoi. Më bëri shumë përshtypje që Qazim Rasha nuk i urrente policët, një ish-oficer nuk do e bënte asnjëherë në fakt. Qazim Rasha patjetër që do mallkoj efektivin që qëlloi në drejtim të djalit të tij në pragun e shtëpisë, por jo Policinë e Shtetit. Është i inatosur, ndjenë mllef, zien nga brenda. “Ia kam lënë shtetit”, më tha, “kërkoj drejtësi nga shteti”.